Presidenti rus Vladimir Putin falenderoi Korenë e Veriut për mbështetjen që i ka dhënë ndërhyrjes ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës dhe tha se dy vendet do të bashkëpunojnë ngushtë për të tejkaluar sanksionet e drejtuara nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa qëndron sot në Phenian për një takim të nivelit të lartë me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Komentet e Presidentit Putin u bënë publike në median shtetërore të Koresë së Veriut disa orë para se ai të mbërrinte atje për një vizitë dy ditore në një kohë që të dy vendet kërkojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërsa përballen me përshkallëzim të tensioneve me Uashingtonin.
Në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, rrugët ishin dekoruar me portrete të presidentit Putin dhe me flamuj rus. Në rrugë ishte vendosur një banderolë në të cilën shkruhej: E mirëpresim ngrohtësisht Presidentin e Federatës Ruse”.
Presidenti Putin i cili po zhvillon vizitën e tij të parë në Korenë e Veriut pas 24 vjetësh tha se e vlerëson lart mbështetje e saj të vendosur për aksionin e tij ushtarak në Ukrainë.
Ai tha se dy vendet do të vazhdojnë të “kundërshtojnë me vendosmëri” ato që i cilësoi si ambicie të Perëndimit “për të penguar zbatimin e një rendi botëror shumëpolar të bazuar në drejtësi dhe respektin e ndërsjellë për sovranitet, duke marrë parasysh interesat e secilit vend”.
Zoti Putin tha gjithashtu se Rusia dhe Koreja e Veriut do të zbatojnë marrëveshje tregtie dhe sisteme pagesash që “nuk kontrollohen nga Perëndimi” dhe se së bashku do të kundërshtojnë sanksionet e vëna ndaj dy vendeve, të cilat i cilësoi “të paligjshme dhe të njëanshme”.
Koreja e Veriut po përballet me sanksione të ashpra ekonomike nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të programeve të saj të raketave dhe armëve bërthamore, ndërsa Rusia po përballet me sanksionet e vëna nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj Perëndimorë për shkak të agresionit kundër Ukrainës.
Presidenti Putin tha se dy vendet do të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e turzmit, kulturës dhe arsimit.
Para se të nisej drejt Koresë së Veriut, zoti Putin udhëtoi drejt qytetit në lindje të Rusisë, Yakutsk, ku u njoftua se pati një takim me guvernatorin rajonal Aisen Nikolayev dhe u përditësua mbi projektet e rajonit në fushën e teknologjisë dhe mbrojtjes.
Vizita e presidentit Putin vjen mes shqetësimeve në rritje rreth një marrëveshjeje armësh që Pheniani të furnizojë Moskën me armatime shumë të nevojshme për luftën në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe teknologjike që do të shtonte kërcënimin që bart programi i armëve dhe raketave bërthamore të zotit Kim.
Zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut thonë se shkëmbimet ushtarake, ekonomike dhe të tjera mes Koresë së Veriut dhe Rusisë janë shtuar ndjeshëm që kur zoti Kim vizitoi Lindjen e largët ruse në shtator për të takuar zotin Putin, takimi i tyre i parë që nga viti 2019.
Zyrtarë nga Uashingtoni dhe Seuli e akuzojnë Korenë e Veriut se e ka furnizuar Rusinë me artileri, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake që t‘i përdorë në Ukrainë, me gjasë në këmbim të ndihmës në fushën e teknologjisë ushtarake.
Si Pheniani ashtu edhe Moska i kanë mohuar akuzat mbi furnizimin me armë nga ana e Koresë së Veriut, akt që do të përbënte një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat vetë Rusia i ka mbështetur më parë.
Së bashku me Kinën, Rusia ka ofruar mbështetje politike mbi planet e udhëheqësit Kim për të çuar përpara programin bërthamor, duke bllokuar vazhdimisht përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për sanksione të tjera nga ana e Kombeve të Bashkuara lidhur me provat e saj të armëve.
Në muajin mars, vetoja e Rusisë në Kombet e Bashkuara i dha fund mbikqyrjes së sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut mbi programin e saj bërthamor, duke nxitur akuzat e Perëndimit se Moska po kërkon të shmangë mbikqyrjen ndërsa blen armë nga Pheniani për t’i përdorur në Ukrainë.
Zyrtarë amerikanë dhe ata të Koresë së Jugut kanë thënë se po shqyrtojnë alnternativat për një mekanizëm të ri për mbikqyrjen e programit të Koresë së Veriut.
John Kirby, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare tha se thellimi i marrëdhënieve mes Moskës dhe Phenianit është shqetësuese, “jo vetëm për shkak të ndikimit që mund të ketë tek populli ukrainas, sepse ne e dimë që raketat balistike të Koresë së Veriut vazhdojnë të përdoren për të goditur objektivat ukrainase, por edhe sepse mund të ndikojë në sigurinë në gadishullin Korean”.
Lim Soosuk, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut, tha se Seuli u ka thënë autoriteteteve të Moskës se çdo bashkëpunim ndërmjet Rusisë dhe Koresë së Veriut nuk duhet “të shkelë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB0-së, ose të minojë paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”.
Tensionet mes Koreve janë në pikën më të nxehtë të viteve të fundit, me një temperaturë të shtuar që po çon në një cikël përplasjeje “dhëmbë për dhëmbë”, mbas testeve të armëve (bërthamore) të Phenianit dhe stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara, Koresë e Jugut dhe Japonisë.
Po ashtu, gjatë kohëve të fundit, Koreja e Veriut ka dërguar balona me mbeturina në Korenë e Jugut dhe Seuli ka rinisur transmetimin e propagandës me altoparlantë kundër Phenianit.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se ushtarët qëlluan në shenjë paralajmërimi për të zmbrapsur ushtarët e Koresë së Veriut, të cilët kaluan përkohësisht kufirin tokësor të martën, për herë të dytë gjatë këtij muaji.
Presidenti Putini është përpjekur vazhdimisht të rindërtojë lidhjet me Phenianin në kuadër të synimeve të tij për të rivendosur ndikimin dhe aleancat e epokës sovjetike të vendit të tij. Lidhjet e Moskës me Korenë e Veriut u dobësuan pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991. Kim Jong Un u takua për herë të parë me zotin Putin në vitin 2019 në Vladivostok të Rusisë.
Pas Koresë së Veriut, Kremlini njoftoi se zoti Putin do të vizitojë Vietnamin të mërkurën dhe të enjten për bisedime që pritet të përqendrohen tek tregtia. Shtetet e Bashkuara, të cilat prej vitesh kanë forcuar lidhjet dhe përshpejtuar tregtinë me Vietnamin, e kritikuan vizitën e planifikuar të presidentit rus.
“Ndërsa Rusia vazhdon të kërkojë përkrahje ndërkombëtare për të mbështetur agresionin e paligjshëm dhe të egër kundër Ukrainës, ne përsërisim se asnjë vend nuk duhet t’i japë zotit Putin një mundësi për të inkurajuar agresionin, përndryshe do t’i krijonte atij shansin që mizoritë t’i paraqesë si normalitet”, thuhet në deklaratë të zëdhënësit të ambasadës amerikane në Vietnam./voa/
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...
Rritet numri i të vrarëve në sulmin rus në Odesa
Chiesa rikthehet në Itali, afër gjigantit italian
Bedri Hamza në Zvicër: Diasporën do ta kemi edhe në Kuvend d...
Ishte në kërkim nga drejtësia, arrestohet një 40 vjeçar në H...
Mickoski: Është koha të flasim për ardhmërinë