Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i nënshkroi së paku dhjetëra marrëveshje me homologun e vet vietnamez, To Lam, dhe tha se është i gatshëm ta furnizojë Vietnamin me lëndë djegëse fosile dhe gaz natyror, gjatë një vizite shtetërore të enjten.
Putini e vizitoi Vietnamin në kohën kur Moska po përballet me izolim ndërkombëtar për shkak të veprimeve të saj ushtarake në Ukrainë.
Lideri rus dhe presidenti To Lam u pajtuan ta thellojnë bashkëpunimin në fushat si, arsim, shkencë dhe teknologji, në fushën e kërkimeve të gazit dhe naftës, si dhe në shëndetësi. Rusia dhe Vietnami u pajtuan gjithashtu të punojnë për një udhërrëfyes për një qendër të ekologjisë bërthamore dhe shkencore në Vietnam.
Nga 12 marrëveshjet që u bënë publike, asnjëra prej tyre nuk ndërlidhet me mbrojtjen. Por, Lam tha se ka marrëveshje të tjera të cilat s’u bënë publike.
Ai shkoi në Vietnam nga Koreja e Veriut, ku me liderin e këtij shteti, Kim Jong Un, nënshkroi një marrëveshje, sipas së cilës, Peniani dhe Moska zotohen se do të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të ndonjë lufte.
Pas bisedimeve, Putini dhe se Rusia dhe Vietnami janë të interesuara për ta “zhvilluar një arkitekturë të besueshme të sigurisë” në rajonin e Azi-Paqësor, ku nuk ka vend për “blloqe të mbyllura politiko-ushtarake”.
Ai shtoi se të dyja vendet duan ta “thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri, për t’u përballur me sfidat jotradicionale të sigurisë”.
Putin arriti në Pallatin presidencial të Vietnamit më 20 qershor, ku u prit nga nxënës që mbanin në duar flamuj të Rusisë dhe Vietnamit.
Vizita e Putinit në Vietnam ka nxitur reagim të ashpër nga Ambasada amerikane në këtë shtet.
Shumë ka ndryshuar që nga vizita e fundit që Putin zhvilloi në Vietnam më 2017. Rusia tani përballet me sanksione nga Perëndimi, përfshirë nga SHBA-ja, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Më 2023, Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi një fletarrestim për Putinin në akuza për krime lufte. Kremlini mohon akuzat dhe ka theksuar se Moska nuk e njeh juridiksionin e kësaj gjykate.
Hanoi dhe Moska kanë raporte diplomatike që nga viti 1950 dhe këtë vit shënohet 30-vjetori i traktatit për “raporte miqësore” mes Vietnamit dhe Rusisë.
Vietnami po ashtu ka qëndruar neutral sa i përket pushtimit rus të Ukrainës. Por, ky neutralitet ka qenë i vështirë për shtetin, teksa Ambasada e SHBA-së në Hanoi ka kritikuar vizitën e Putinit duke thënë se “asnjë shtet nuk duhet t’i japë Putinit platformë për të promovuar luftën e tij të agresionit dhe për të lejuar që të normalizojë mizoritë e tij”.
Nëse Putini lejohet të udhëtojë lirshëm “kjo mund të normalizojë shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar”, tha Ambasada amerikane.
Ndërkaq, raportet tregtare mes Rusisë dhe Vietnamit ishin në vlerë prej 3.6 miliardë dollarësh më 2023 dhe 171 miliardë dollarë me Kinën dhe 111 miliardë me Shtetet e Bashkuara.
Që nga viti 2000, Rusia ka rreth 80 për qind të importeve të armëve të Vietnamit. Viteve të fundit këto importe kanë rënë për shkak të përpjekjeve të Vietnamit për të diversifikuar furnizimet./rel/
Gjesti: S’dua të puth sherk!, Xuxi ironizon: Ma mirë me lexu...
Austria do të vazhdojë me mbështetjen e Kosovës në fushën e ...
Forcat ruse largohen nga vendlindja e Assadit
Në Zubin Potok po patrullojnë ushtarët letonezë të KFOR-it
Rama takohet me Marta Kos: Njohëse shumë e mirë e rrugës së ...
AGK-ja dënon kërcënimin me vrasje ndaj Ilir Mirenës