Vladimir Putini filloi mandatin e tij të pestë të martën si udhëheqës i Rusisë me një ceremoni pompoze në Kremlin. Ai fillon një mandat tjetër gjashtëvjeçar, pasi eliminoi kundërshtarët e tij politikë, filloi luftën shkatërrimtare në Ukrainë dhe përqëndroi të gjithë pushtetin në duart e tij.
Në ceremoninë brenda Pallatit të Madh të Kremlinit, zoti Putin vuri dorën mbi kushtetutën ruse dhe u zotua ta mbrojë atë, ndërsa vështrohej nga të pranishmit e përzgjedhur.
“Ne jemi një popull i bashkuar dhe i madh. Së bashku do të kalojmë të gjitha pengesat, do të realizojmë të gjitha planet, së bashku do të fitojmë”, tha zoti Putin pasi bëri betimin.
Që kur mori detyrën nga presidenti Boris Yeltsin në orët e fundit të vitit 1999, Vladimir Putini e ka transformuar Rusinë nga një vend që po rimëkëmbej nga një ekonomi e shkatërruar, në një vend që kërcënon sigurinë globale. Pas sulmit të vitit 2022 në Ukrainë, që është shndërruar në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ndaj Rusisë janë vendosur sanksione të rënda perëndimore. Rusia është orientuar gjithnjë e më shumë drejt regjimeve si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut për të marrë mbështetjen e tyre.
Tashmë në pushtet prej gati një çerek shekulli dhe i shndërruar në udhëheqësin më afatgjatë të Kremlinit që nga koha e Josif Stalinit, mandati i zotit Putin vazhdon deri në vitin 2030, kur ai do ta ketë sërish të drejtën për të kandiduar.
Sipas një skenari të mirëpërcaktuar, zoti Putin u shfaq fillimisht në zyrën e tij duke lexuar dokumente, përpara se të fillonte të ecte nëpër korridoret e gjata të Kremlinit. Ndërsa përshkonte distancën drejt ceremonisë së inaugurimit, ai u ndal për një moment përpara një pikture.
Roja e nderit priti në shiun e ngrirë me orë të tëra, në temperatura që ishin pak mbi 0 gradë Celcius, që zoti Putin të bënte rrugëtimin drejt Pallatit të Madh të Kremlinit me limuzinën e tipit Auras.
Zoti Putin shfrytëzoi momentet e para të mandatit të tij të pestë për të falënderuar “heronjtë” e luftës në Ukrainë dhe për të sulmuar Perëndimin.
Rusia “nuk refuzon dialogun me vendet perëndimore”, tha ai. Madje, shtoi zoti Putin, “zgjedhja është në dorën e tyre: a do të vazhdojnë të përpiqen të frenojnë Rusinë, a do të vazhdojnë politikën e agresionit, e trysnisë së vazhdueshme ndaj vendit tonë prej vitesh, apo do të kërkojnë një rrugë drejt bashkëpunimit dhe paqes”.
Udhëheqësi rus u prit me duartrokitje kur hyri në hollin ku gjendeshin rreth 2500 të ftuar në ceremoni, tha zëdhënësi i tij Dmitry Peskov. Ndër të ftuarit ishin zyrtarë të lartë të qeverisë ruse, si dhe emra të njohur si aktori amerikan Steven Seagal.
Një diplomat francez konfirmoi se në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori francez. Diplomati foli me kusht ruajtjen e anonimitetit.
Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy nuk mori pjesë dhe agjencia shtetërore e lajmeve të Rusisë, Tass, raportoi se ajo gjendej jashtë vendit.
Pyetja tashmë shtrohet se çfarë do të bëjë 71-vjeçari Putin gjatë gjashtë viteve të tjera në Kremlin, si brenda vendit ashtu edhe në planin ndërkombëtar.
Forcat ruse po fitojnë terren në Ukrainë, duke përdorur taktikat e tokës së djegur, ndërsa Kievi përballet me mangësi në rekrutë dhe municione. Të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha.
Ukraina e ka zhvendosur betejën në tokën ruse, duke sulmuar me dronë dhe raketa, në veçanti në rajonet kufitare. Në një fjalim në shkurt, zoti Putin u zotua të përmbushë objektivat e Moskës në Ukrainë dhe të bëjë çfarë të jetë e nevojshme për “të mbrojtur sovranitetin tonë dhe sigurinë e shtetasve tanë”.
Pak pas rizgjedhjes së tij të orkestruar në muajin mars, zoti Putin sugjeroi se është e mundshme një përplasje mes NATO-s dhe Rusisë. Ai njoftoi se dëshiron krijimin e zonave të ndërmjetme të sigurisë në Ukrainë me qëllim që të mbrojë vendin e tij nga sulmet nga përtej kufirit.
Brenda vendit, popullariteti i zotit Putin varet shumë nga standardet e jetesës për rusët e zakonshëm.
Të martën, zoti Putin u premtoi sërish rusëve një të ardhme të begatë, por që nga fillimi i sulmit në Ukrainë, shumë prej tyre kanë përjetuar rritjen e kostove të jetesës.
Zoti Putin e filloi mandatin e vitit 2018 duke premtuar ta bënte Rusinë një ndër pesë ekonomitë më të mëdha të globit dhe duke u zotuar për një ekonomi “më moderne dhe dinamike”. Në fakt ekonomia e Rusisë është orientuar drejt ekonomisë së luftës dhe autoritetet po harxhojnë shuma rekord për sektorin e mbrojtjes.
Analistët thonë se tashmë që zoti Putin i ka siguruar gjashtë vitet e ardhshme në pushtet, qeveria mund të ndërmarrë masa jopopullore për rritje të taksave për të financuar luftën dhe shtim të trysnisë që burrat të futen në ushtri.
Me fillimin e mandatit të ri, qeveria ruse shpërbëhet automatikisht dhe zoti Putin mund të zgjedhë një kryeministër dhe kabinet të ri qeveritar.
Një ndër sektorët kyçë që duhet mbajtur në vëmendje është ministria e Mbrojtjes.
Vitin e kaluar, ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu u gjend nën trysni për drejtimin e luftës, ndërsa drejtuesi i mercenarëve Yevgeny Prigozhin bënte kritika të ashpra ndaj tij për mangësitë në municione për kontraktorët privatë që luftonin në Ukrainë. Kryengritja jetëshkurtër në qershor e zotit Prigozhin ndaj ministrisë së Mbrojtjes u bë kërcënimi më i madh ndaj pushtetit të zotit Putin.
Pasi zoti Prigozhin u vra dy muaj më vonë në një rrëzim misterioz avioni, zoti Shoigu u duk se i mbijetoi luftës së brendshme. Por muajin e kaluar, zëvendës ministri i tij i Mbrojtjes Timur Ivanov u arrestua me akuza për marrje ryshfeti, ndërsa qarkullojnë njoftime për korrupsion masiv.
Disa analistë kanë sugjeruar se zoti Shoigu mund të largohet në kuadrin e ndryshimit të qeverisë, por kjo do të ishte një lëvizje e guximshme ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.
Në vitet pas fillimit të sulmit, autoritetet kanë shtypur çdo formë disidence, me një egërsi të paparë që nga epoka sovjetike.
Zoti Putin sinjalizoi të martën se do të vazhdojë të heshtë zërat kritikë.
Ai i tha audiencës së mbledhur në Pallatin e Madh në Kremlin, që të kenë parasysh “koston tragjike të trazirave të brendshme dhe problemeve” dhe tha se Rusia “duhet të jetë e fortë dhe absolutisht rezistente ndaj të gjitha sfidave dhe rreziqeve”.
Zoti Putin fillon mandatin e tij të pestë si president, praktikisht pa ndonjë lloj opozite brenda vendit.
Kundërshtari i tij më i madh politik, Alexei Navalny, vdiq në një burg në Arktik në muajin shkurt. Kritikë të tjerë të rëndësishëm janë burgosur ose janë larguar nga vendi. Madje disa nga kundërshtarët e tij që qëndrojë në azil në vende të tjera, vazhdojnë të kenë frikë për sigurinë e tyre.
Në Rusi janë miratuar ligje që parashikojnë dënime të gjata me burg për personat që diskreditojnë ushtrinë. Kremlini gjithashtu sulmon mediat e pavarura, organizatat e të drejtave të njeriut, aktivistët e komunitetit LGBTQ+ dhe persona të tjerë që nuk i nënshtrohen atyre që zoti Putin i ka theksuar si “vlerat tradicionale të familjes” ruse./VOA
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...