Google ADS

Putini ende shpreson për një marrëveshjes me Ukrainën

22:07 | 26 Prill 2022
KRG

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, se ai ende shpreson për negociata që do t’i jepnin fund konfliktit në Ukrainë.

“Pavarësisht faktit që operacioni ushtarak po vazhdon, ne ende shpresojmë se do të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje në rrugën diplomatike”, i tha Putin Guterresit gjatë një adresimi televiziv, pas takimit të tyre në Kremlin më 26 prill.

Putin theksoi se negociatorët rusë dhe ukrainas kanë arritur atë që ai e përshkroi si “përparim të madh” në bisedimet në Stamboll muajin e kaluar. Por, ai shtoi se përpjekjet janë penguar nga pretendimet për mizoritë e kryera nga forcat ruse në qytetin Buça, që gjendet në periferi të Kievit.

“Ka pasur provokim në fshatin Buça, ku ushtria ruse nuk është përgjegjëse për asgjë që ka ndodhur aty”, tha Putin.

Putin po ashtu u pajtua “në parim” që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i OKB-së të përfshihet në evakuimin e civilëve nga fabrika Azovstal në Mariupol të Ukrainës, u tha në deklaratën e lëshuar nga Kombet e Bashkuara.

“Diskutimet e mëtejme do të zhvillohen midis Zyrës së OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare dhe Ministrisë ruse të Mbrojtjes”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, pas takimit midis Putin dhe Guterres.

Përpjekjet e fundit për të krijuar korridore humanitare për evakuimin e civilëve kanë dështuar.

Gjatë takimit, Guterres ka kritikuar veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke i cilësuar si shkelje flagrante të integritetit territorial të Ukrainës. Shefi i OKB-së po ashtu i ka bërë thirrje Rusisë që të lejojë evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut, Azovstal në Mariupol.

Putin është përgjigjur se forcat ruse kanë ofruar korridore humanitare, por luftëtarët ukrainas që gjenden në këtë fabrikë të çelikut, sipas tij, po përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe nuk po i lejojnë që të largohen.

Guterres para takimit me Putinin është takuar edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ai ka bërë thirrje për hetim të krimeve të pretenduara të kryera nga forcat ruse në Ukrainë, si dhe për përfundimin e pushtimit të Ukrainës, që Rusia nisi më 24 shkurt./REL/

Të ngjashme