Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 18 janar se nuk ka “dyshim” se Moska do të dalë fituese në Ukrainë, pavarësisht ngecjeve në fushëbetejë në pushtimin e nisur pothuajse një vit më parë.
Putin dërgoi trupat në Ukrainë shkurtin e kaluar dhe në shtator njoftoi për një mobilizim ushtarak për të mbështetur forcat e Moskës në fushëbetejë.
Pavarësisht një sërë humbjesh ushtarake, fitorja është “e garantuar dhe unë nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha Putin para punëtorëve në një fabrikë në Shën Petersburg.
“Uniteti dhe solidariteti i popullit rus, kuraja dhe heroizmi i luftëtarëve tanë, natyrisht puna e industrisë ushtarake” do të sigurojnë fitoren, shtoi ai.
Putin po ashtu lavdëroi industrinë ruse të mbrojtjes gjatë fjalimit të tij në këtë fabrikë që është pjesë e kompanisë Almaz-Antey, që prodhon raketa ruse.
Lideri rus zhvilloi vizitën në Shën Petersburg për të shënuar 80-vjetorin kur forcat ruse thyen rrethimin e këtij qyteti, që atëbotë njihej me emrin Leningrad.
Deklaratat e Putinit erdhën një javë pasi Rusia emëroi një komandant të ri për luftën në Ukrainë, pasi forcat e Moskës u përballën me një sërë disfatash vitin e kaluar në Ukrainë.
Putin edhe një herë mbrojti qëllimet e tij në Ukrainë, pasi fillimisht ai kishte deklaruar se po dërgonte trupat për të “denazifikuar” këtë shtet fqinj.
“Ne jemi të justifikuar kur themi se po luftojmë neo-nazizmin”, tha ai.
Rusia e quan pushtimin e Ukrainës “operacion të posaçëm ushtarak”. Që kur nisi pushtimin, Moska është përballur me sanksione të ashpra nga shtetet perëndimore./REL/
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit