Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha më 13 korrik se furnizimet perëndimore me armë në Ukrainë nuk do të ndryshojnë asgjë në fushëbetejë, por vetëm do ta përshkallëzojnë më tej konfliktin. Ai shtoi se tanket e prodhimit të huaj janë një “caku kryesor” për ushtrinë e Moskës.
Putin, në komentet e dhëna për televizionin shtetëror pas një samiti të NATO-s në të cilin Ukraina mori një premtim për anëtarësim në të ardhmen, gjithashtu ritheksoi qëndrimin se anëtarësimi i NATO-s do ta kërcënonte sigurinë e vetë Rusisë dhe do t’i përshkallëzonte më tej tensionet globale.
“Furnizimi me armë të reja vetëm do të përkeqësojë situatën… dhe do të nxisë më tej konfliktin”, tha Putin.
I pyetur për vendimin e Francës për ta furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë të cilat mund të udhëtojnë 250 kilometra, Putin tha se “po, ato shkaktojnë dëme. Por, asgjë kritike nuk ndodh në zonën e luftës përmes përdorimit të tyre”.
Putin shtoi se tanket e prodhimit të huaj ishin “një cak kryesor për djemtë tanë”.
Vendet perëndimore e kanë furnizuar Ukrainën me armë në vlerë prej miliarda dollarësh që kur forcat ruse pushtuan vendin më 24 shkurt 2022, në atë që Putin e quan një “operacion ushtarak special” për “denazifikimin” e vendit.
Në një samit në kryeqytetin lituanez, Vilnius, këtë javë, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord që Ukraina do të mund t’i bashkohet aleancës ushtarake në të ardhmen, por nuk i ofruan Kievit një ftesë të menjëhershme.
Vendet e G7-tës zbuluan gjithashtu një kornizë ndërkombëtare për sigurinë afatgjatë të Ukrainës për të rritur mbrojtjen e saj kundër Rusisë dhe për ta penguar Moskën nga agresioni i ardhshëm.
Në përgjigjen e tij të parë publike ndaj këtyre veprimeve, Putin përsëriti kundërshtimin e fortë të Moskës ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO, duke thënë se kjo do t’i kërcënonte interesat strategjike të Rusisë.
“Kjo nuk do ta rrisë sigurinë e vetë Ukrainës. Dhe, në përgjithësi, do ta bëjë botën shumë më të cenueshme”, tha ai.
“Çdo vend ka të drejtë ta përmirësojë sigurinë e tij”, shtoi Puti. “Por jo në kurriz të një vendi tjetër”.
Ai gjithashtu tha se Rusia do të tërhiqej nga marrëveshja që lejon eksportin e grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi nëse nuk plotësohen kërkesat e saj, duke rikonfirmuar qëndrimin e ashpër të Moskës përpara skadimit të marrëveshjes më 17 korrik./REL/
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...