Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kritikuar procesin e eksporteve të drithërave nga Ukraina.
Këto eksporte po kryhet nën marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara. Putin tha se kjo marrëveshje po dështon që të dërgojë produktet te shtetet e varfra, siç ka qenë qëllimi, duke paralajmëruar se kriza aktuale ushqimore mund të shndërrohet në “katastrofë humanitare”.
Deklaratat e Putinit rrisin dyshimet lidhur me fatin e marrëveshjes të ndërmjetësuar gjashtë javë më parë nga OKB-ja dhe Turqia, përmes së cilës synohet që të eksportohen miliona tonë me drithëra nga portet ukrainase.
Duke folur në një forum ekonomik në Vladivostok më 7 shtator, Putin sugjeroi se Moska “do të duhet të mendojë për ndryshimin e rrugëve” për dërgesat e drithërave ukrainase.
Ai tha se Rusia ka bërë gjithçka që ka mundur që të sigurohet se Ukraina mund të eksportojë drithërat e saj.
I pyetur nga Reuters nëse Moska dëshiron të ndryshojë marrëveshjen për eksportin e drithërave, ministri ukrainas i Agrikulturës, Mykola Solskiy, tha pas deklaratave të Putinit se “nuk kemi parë asnjë ndryshim sa i përket anës sonë”.
Çmimet e ushqimit dhe energjisë janë rritur qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
“Pothuajse të gjitha drithërat e eksportuara nga Ukraina nuk po dërgohen në shtetet e varfra, por në shtetet e Bashkimit Evropian”, tha Putin pa dhënë asnjë dëshmi.
Ai po ashtu tha se “me këtë qasje, shkalla e problemeve me ushqim në botë vetëm do të rritet” dhe paralajmëroi për një “katastrofë humanitare”.
Pas nisjes së pushtimit rus, portet ukrainase në jug u bllokuan. Por, në korrik, me ndërmjetësimin e OKB-së dhe Turqisë, palët arritën marrëveshje për zhbllokimin e eksporteve.
Në fund të gushtit, Ukraina tha se ka eksportuar mbi 1 milion ton produkte bujqësore përmes porteve detare.
Ankesë për moszbatim të plotë të marrëveshje kishte më 6 shtator edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili tha se Perëndimi nuk po e respekton premtimin që të ndihmojë që ushqimet ruse të arrijnë në tregjet ndërkombëtare.
Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë të drithërave. /rel
Po rikthehet modeli legjendar Toyota Celica
Liverpooli dyfishon epërsinë ndaj Real Madridit
Maqedonci: Pjestarët serbë të FSK-së e lanë detyrën për shka...
Pas Mbappes edhe Salah humb penalltinë
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë feston 28 Nëntorin, Kurti: K...
Mbappe dështon të shënoj nga penalltia