Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin – ushtria e të cilit thuhet se ka pësuar humbje të mëdha gjatë pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës – njoftoi se ka shkarkuar aleatin e tij të vjetër, Sergei Shoigu, nga pozita e ministrit të Mbrojtjes.
Kremlini tha se Shoigu, 66 vjeç, do të zëvendësohet nga ish-zëvendëskryeministri i parë, Andrei Belousov, 65 vjeç, politikan pak i njohur dhe i specializuar në çështjet ekonomike.
Shoigu, i cili ishte ministër i Mbrojtjes që nga viti 2012 dhe e udhëhoqi ushtrinë ruse në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës që nga shkurti i vitit 2022, u emërua në krye të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, i cili e këshillon presidentin për çështje të sigurisë kombëtare.
Kremlini tha se, në kuadër të detyrave në Këshillin e Sigurimit, Shoigu do të këshillojë edhe për çështje ushtarako-industriale.
Në detyrën e re, ai do ta zëvendësojë Nikolai Patrushevin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se pozita e ardhshme e Patrushevit do të shpallet në ditët në vijim.
Dhoma e Lartë e Parlamentit të Rusisë – Këshilli i Federatës, që gjithashtu njoftoi për ndryshimet, tha se Putin propozoi edhe riemërimin e Sergei Lavrovit si ministër i Jashtëm i Rusisë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, tha se shefi i ardhshëm i mbrojtjes së Rusisë do të jetë një tjetër “kukull” e Putinit.
“Sergei Shoigu ishte dëshmitar i mbi 355.000 viktimave mes ushtarëve të tij dhe vuajtjeve masive nga fushata e paligjshme në Ukrainë”, shkroi ai në X.
“Rusia ka nevojë për një ministër të Mbrojtjes që do ta zhbënte atë trashëgimi katastrofike dhe do t’i jepte fund pushtimit, por ajo që do të ketë, është një tjetër kukull e Putinit”, shtoi Shapps.
Analisti rus dhe profesori i ekonomisë në Universitetin e Çikagos, Konstantin Sonin, shkroi në X se ndryshimet pasqyrojnë të menduarit e Kremlinit: “Gjërat nuk po shkojnë sipas planit të Putinit, por ai do ta rrotullojë pafundësisht të njëjtin grup të vogël të besnikëve të tij”.
“Putin ka pasur gjithmonë frikë të sjellë njerëz të rinj në pozitat në krye. Edhe në kohët më të mira të tij, ata është dashur të jenë askushi”, shtoi ai.
Rob Lee, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme, thotë se veprimin e Putinit nuk e sheh domosdoshmërisht si degradim për Shoigun. Atij i janë dhënë kompetenca shtesë në punën e re, thotë ai.
“Kjo nuk duket të jetë ulje e Shoigut, i cili jo vetëm mori një pozicion të rëndësishëm si sekretar i Këshillit të Sigurimit, por gjithashtu do të vazhdojë mbikëqyrjen e çështjeve të mbrojtjes së brendshme dhe të jashtme”, thotë Lee.
Ndryshimet në Qeveri duhet të miratohen nga Duma dhe nga Këshilli i Federatës, por meqë dy dhomat kontrollohen nga Kremlini, ato pritet të kalojnë.
Ato vijnë pasi Qeveria ruse dha formalisht dorëheqje pas inaugurimit të Putinit për një mandat të ri 6-vjeçar, më 7 maj.
Ligjvënësit rusë rizgjodhën Mikhail Mishustinin si kryeministër më 10 maj, vetëm disa orë pasi Putin e propozoi atë.
Shoigu konsiderohet aleat i afërt i Putinit. Ai është një nga themeluesit e Partisë Rusia e Bashkuar, e cila ishte forca kryesore pro Putinit në Parlament në dy mandatet e para të presidencës së tij.
Peskov tha se Kremlini donte të caktonte një ekspert ekonomie në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, për shkak të rritjes së kostos së masave të sigurisë.
“Kjo kërkon vëmendje të veçantë. Ministria e Mbrojtjes duhet të jetë absolutisht e hapur për inovacione, për prezantimin e të gjitha ideve të avancuara… Në këtë fazë, presidenti ka vendosur që një civil ta drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes”, u tha Peskov gazetarëve.
Anatoli Serdyukov, i cili i parapriu Shoigut si ministër i Mbrojtjes, duke shërbyer nga viti 2007 deri më 2012, kishte gjithashtu përvojë në ekonomi dhe kishte shërbyer si udhëheqës i Shërbimit Federal të Taksave nga viti 2004 deri më 2007./Radio Evropa e Lirë/
Gruaja bie nga kati i shtatë i një banese në Fier, dyshohet ...
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...