Google ADS

Putin paralajmëron për një garë të re armësh mes Rusisë e Amerikës

08:05 | 25 Tetor 2018
Arbresh.info
Një tërheqje amerikane nga traktatet e çarmatimeve si ai i armëve bërthamore me rreze të mesme (INF) do të sjellë garën e armatimeve dhe një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme, vlerësoi sot presidenti Vladimir Putin.

“Nëse të gjitha këto marrëveshje shpërbëhen, atëherë nuk do të mbetet asgjë që të limitojë armatimin. Atëherë, sipas mendimit tim, situata do të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme. Nuk do të mbetet asgjë përveç garës së armatimeve”, deklaroi presidenti rus gjatë një konference për shtyp.

“Ajo që na shqetëson, është që traktati ABM mbi raketat antibalistike është anuluar, tani po diskutohet traktati INF dhe fati i traktatit Start (mbi reduktimin e armëve strategjike) nuk është i qartë”, shpjegon Vladimir Putin gjatë kësaj konference për shtyp me kryeministrin italian, Giuseppe Conte, përcjell Atsh.

Presidenti rus paralajmëroi më pas se “pyetja kryesore është se çfarë do të bëjë SHBA-ja në rast se do të tërhiqet nga INF-ja. Nëse do të vendosin raketa në Europë, atëherë, normalisht që ne duhet të përgjigjemi në mënyrë simetrike”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme