Presidenti i Kinës Xi Jinping, Kryeministri i Indisë Narendra Modi dhe drejtues të tjerë botërorë mbërritën të martën në qytetin rus Kazan për takimin e nivelit të lartë të bllokut BRICS, grup i ekonomive në zhvillim. Kremlini shpreson ta shndërrojë atë në një nismë që do të sfidojë ndikimin perëndimor në çështjet globale.
Për presidentin rus Vladimir Putin, takimi treditor ofron gjithashtu një mënyrë për të demonstruar dështimin e përpjekjeve të udhëhequra nga Uashingtoni për të izoluar Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë.
Këshilltari për punët e jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov, e quajti takimin si “ngjarja më e madhe e politikës së jashtme e organizuar ndonjëherë” nga Rusia. Në takim marrin pjesë 36 vende. Mbi 20 prej tyre përfaqësohen nga krerët e shteteve.
Aleanca që fillimisht përbëhej nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut është zgjeruar me shpejtësi duke përfshirë Iranin, Egjiptin, Etiopinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Turqia, Azerbajxhani dhe Malajzia kanë aplikuar zyrtarisht për t’u bërë anëtarë dhe disa të tjerë kanë shprehur interes për t’u bashkuar.
Vëzhguesit e shohin takimin e nivelit të lartë të BRICS-it si pjesë të përpjekjeve të Kremlinit për të treguar se gëzon mbështetje nga shtetet e hemisferës jugore të globit në mes të tensioneve në rritje me Perëndimin dhe për të ndihmuar në zgjerimin e lidhjeve ekonomike dhe financiare.
Projektet e propozuara përfshijnë krijimin e një sistemi të ri pagesash që do të ofronte një alternativë ndaj rrjetit global të telekomunikimit bankar SWIFT dhe do të lejonte Moskën të shmangte sanksionet perëndimore dhe të tregtonte me partnerët.
Presidenti Putin, i cili do të zhvillojë rreth 20 takime dypalëshe gjatë takimit të BRICS-it, tanimë është takuar me Kryeministrin indian Modi dhe Presidentin e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa.
Takimi i nivelit të lartë vë theksin te marrëdhëniet e ngushta midis Presidentëve Xi dhe Putin, të cilët njoftuan nisjen një partneriteti “pa kufij” disa javë përpara se Rusia të fillonte sulmin në Ukrainë, në vitin 2022. Ata janë takuar dy herë këtë vit, në Pekin në maj dhe gjatë takimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kazakistan, në korrik.
Bashkëpunimi i Rusisë me Indinë gjithashtu është intensifikuar pasi Nju Delhi e konsideron Moskën një partner që nga koha e Luftës së Ftohtë, pavarësisht lidhjeve të ngushta të Rusisë me rivalin kryesor të Indisë, Kinën.
Aleatët perëndimorë duan që India të jetë më aktive në bindjen e Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por Kryeministri Modi ka refuzuar të dënojë publikisht agresionin e Rusisë.
“Ne besojmë se problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe ne mbështesim plotësisht arritjen sa më të shpejtë të paqes dhe stabilitetit”, tha Kryeministri Modi, i cili vizitoi Rusinë për herë të fundit në muajin korrik.
Presidenti rus Putin përshëndeti atë që ai e përshkroi një “partneritet strategjik të privilegjuar” midis Rusisë dhe Indisë.
Gjatë një takimi me Presidentin e Afrikës së Jugut Ramaphosa, zoti Putin theksoi përpjekjet e tyre të përbashkëta për një “rend global të drejtë”. Ai gjithashtu përmendi në mënyrë të posaçme përpjekjet e anëtarëve të BRICS-it për të krijuar një “sistem të ri të pavarur pagesash”.
Të enjten, Presidenti Putin do të takohet gjithashtu me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, i cili do të bëjë vizitën e tij të parë në Rusi në mbi dy vjet. Zoti Guterres ka kritikuar vazhdimisht veprimet e Rusisë në Ukrainë./voa/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...