Putin nis udhëtim të rrallë në Lindje të Mesme

15:18 | 6 Dhjetor 2023
E.H

Presidenti rus, Vladimir Putin, është duke e realizuar një vizitë të rrallë në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe pritet të udhëtojë edhe në Arabinë Saudite.

Putini pritet të diskutojë me presidentin e Emirateve për luftërat në Gazë dhe Ukrainë, si dhe për prodhim të naftës.

Aktualisht, Emiratet janë nikoqire të Samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën, mirëpo Kremlini nuk ka treguar nëse Putin do të marrë pjesë në të.

Ai është larguar rrallë prej Rusisë, qysh prej muajit mars, kur Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestim për të.

Kjo gjykatë e ka akuzuar atë për dëbim ilegal të fëmijëve ukrainas në Rusi – vendim që përbën krim lufte – mirëpo as Emiratet dhe as Arabia Saudite nuk e njohin juridiksionin e gjykatës.

Lideri rus i është shmangur së fundi disa samiteve ndërkombëtare, përfshirë BRIKS në Afrikën e Jugut në gusht, dhe samitin e grupit të 20 vendeve më të industrializuara – G20- në Indi, të mbajtur në shtator.

Ky udhëtim realizohet teksa Rusia tenton të zgjerojë ndikimin dhe të minojë tentimet e Perëndimit për ta izoluar atë.

Putin i ka thënë presidentit të Emirateve, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, se “marrëdhëniet tona kanë arritur në nivele të pashembullta”.

Në takimet në Emirate, tregtia dhe nafta do të jenë në agjendë.

Sipas Kremlinit, Emiratet janë partneret kryesore të Rusisë në botën arabe.

Zyrtarët në Kremlin kanë thënë se Putin do të takohet edhe me presidentin e Iranit, Ibrahim Raisi, të enjten, për të diskutuar luftën në Gazë.

Putin e ka vizituar vetëm Ukrainën, Iranin dhe Kinën, prej nisjes së luftës në tokën ukrainase, në shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme