Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po u kërkon blerësve të huaj të paguajnë për gazin rus në rubla, duke filluar nga e premtja, ose përndryshe do t’u ndërpritet furnizimi. Lëvizja është refuzuar nga qeveritë evropiane, ndërsa Berlini tha se kjo përbënte “shantazh”.
Presidenti Putin tha të enjten se kishte nënshkruar një dekret që u kërkon blerësve të huaj të gazit rus që të paguajnë me rubla duke filluar nga 1 prilli dhe se kontratat do të ndërpriten nëse nuk kryhen pagesat.
“Për të blerë gazin natyror rus, ata duhet të hapin llogari në bankat ruse në monedhën rubla. Duke filluar nga nesër, nga këto llogari do të bëhen pagesat për gazin e dorëzuar”, tha Putin në një deklaratë televizive.
“Nëse pagesat nuk bëhen, ne do ta konsiderojmë këtë një falimentim nga ana e blerësve, e shoqëruar me të gjitha pasojat. Askush nuk na jep asgjë falas, dhe ne nuk do të bëjmë bamirësi – kontratat ekzistuese do të ndalohen”.
Rusia furnizon rreth një të tretën e gazit që konsumon Evropa, kështu që energjia është leva më e fuqishme në dorën e Putinit, ndërsa ai përpiqet të hakmerret kundër sanksioneve gjithëpërfshirëse perëndimore për sulmin ndaj Ukrainës.
Gjermania, vendi me varësinë më të madhe nga gazi rus, ka aktivizuar tashmë një plan emergjence që mund të çojë në vënien e racioneve, në ekonominë më të madhe të Evropës.
Kompanitë dhe qeveritë perëndimore e kanë refuzuar këtë veprim si një shkelje të kontratave ekzistuese, të cilat përcaktohen në euro ose dollarë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se, “Kompanitë duan, munden dhe do të paguajnë me monedhën euro”.
Ministri i Ekonomisë së Gjermanisë, Robert Habeck, hodhi poshtë të enjten kërkesat e Rusisë që vendet evropiane të paguajnë me monedhën rubla për gazin e saj, si një shkelje e papranueshme e kontratës, duke shtuar se manovra përbënte “shantazh”. Bashkimi Evropian dhe vendet e G-7 e kanë hedhur poshtë vendimin e Moskës.
Vendimi i Presidentit Putin për ta bërë rublën monedhën e vetme për tregtinë e gazit rus, e ka shtuar vlerën e parasë ruse e cila ra në nivelet të ulta historikisht pas sulmit të 24 shkurtit. Vlera e rublës është rimbëkëmbur që nga muaji i kaluar.
Ministri i Ekonomisë i Francës tha se vendi i tij dhe Gjermania po përgatiteshin për një skenar të mundshëm, që furnizimet me gazin rus mund të ndaleshin, diçka që do ta zhyste Evropën në një krizë të plotë energjetike. Ministri Bruno Le Maire nuk pranoi të komentonte mbi detajet teknike lidhur me vendimin e Rusisë për blerjen e gazit vetëm me rubla.
Urdhëri i nënshkruar nga Presidenti Putin krijon një mekanizëm, ku blerësit të transferojnë valutë të huaj në një llogari në bankën ruse “Gazprombank” e cila do t’i konvertojë në rubla në bursën e Moskës. Pastaj monedha ruse mund të përdoret nga blerësit e huaj për të bërë pagesat për gazin.
Presidenti Putin tha se vendimi do të forconte sovranitetin e Rusisë, duke shtuar se vendet perëndimore po përdorin sistemin financiar si armë dhe nuk kishte kuptim që Rusia të zhvillonte tregti në dollarë dhe euro kur asetet e saj në ato monedha po ngriheshin.
Nuk ka patur komente të menjëhershme nga disa kompani evropiane që kanë kontrata me Rusinë, ndërsa njoftimi i zotit Putin shkaktoi luhatje në treg. Çmimet evropiane të gazit kanë pësuar rritje gjatë muajve të fundit për shkak të shtimit të tensioneve me Rusinë, duke rritur rrezikun për recesion. Rritja e çimit të energjisë ka detyruar shumë kompani, përfshirë prodhuesit e hekurit dhe kimikateve, që të kufizojnë prodhimin./VOA/
Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipë...
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...
“Ti ke kontribuuar vetëm për kauçin tënd”, Laurenti dhe Lela...