Putin mbledh këshillin e sigurisë për të diskutuar tërheqjen e SHBA-së nga INF

18:44 | 1 Shkurt 2019
Arbresh.info

Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi me këshillin e sigurisë së vendit tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Marrëveshja e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate të Kremlinit, këshilli “kishte një diskutim të thellë mbi stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare në kontekstin e tërheqjes së pritshme të SHBA-së nga traktati INF”.

Sot gjatë ditës, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, njoftoi se vendi i tij do të pezullojë pjesëmarrjen e saj në traktatin e raketave balistike me koka bërthamore më 2 shkurt për shkak të “shkeljeve” të Rusisë ndaj paktit, duke nisur procesin sipas nenit 15 të marrëveshjes.

Tërheqja vjen pasi SHBA dhe Rusia, nënshkruese të paktit në vitin 1987, së fundmi kanë akuzuar njëra-tjetrën në lidhje me marrëveshjen.

Në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel në dhjetor të vitit të kaluar, Pompeo i kishte dhënë afat prej 60 ditësh Rusisë për ta respektuar marrëveshjen INF, afat i cili përfundoi sot.

Anulimi i marrëveshjes ka shkaktuar shqetësime se gara e armëve mund të intensifikohet dhe të kërcënojë sigurinë e Evropës.

Pas njoftimit për tërheqje të SHBA-së, vendi do të ndahet tërësisht nga marrëveshja teknikisht pas një periudhe prej 6 muajsh.

INF u nënshkrua në vitin 1987, nga kreu i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev dhe presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, me qëllim të eliminimit të perspektivave të luftës bërthamore në Evropë.

Marrëveshja, e cila parasheh ndalimin e raketave të pajisura me koka nukleare me rreze veprimi nga 500 deri në 5.500 kilometra, përfshinte vetëm predhat e hedhura nga toka në ajër dhe jo ato të shkrepura nga deti.

Në saje të marrëveshjes, tashmë 30 vite në Evropë ka qenë i ndaluar pozicionimi i predhave me kokë nukleare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme