Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha të enjten se presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord t’i japë Bjellorusisë 1.5 miliard dollarë për pjesëmarrjen e saj në programet e zëvendësimit të importeve, sipas një agjencie shtetërore të lajmeve bjelloruse.
“Kemi marrë së fundmi një vendim të tillë me presidentin Putin. Nga ana jonë, ne i kemi ofruar rusëve projekte specifike që janë shumë të nevojshme dhe do të jenë të kërkuara në të ardhmen e afërt jo vetëm në Bjellorusi, por edhe në Federatën Ruse”, tha Lukashenko sipas një deklarate të përkthyer nga Agjencia Telegrafike Bjelloruse (BelTA), shkruan Newsweek, përcjell Telegrafi.
Lukashenko shtoi: “Rusët ndajnë rreth një miliard e gjysmë dollarë për këto programe vetëm [në] territorin e Bjellorusisë”.
Putin dhe Lukashenko kanë qenë prej kohësh aleatë të ngushtë.
Rusia më parë i dha Bjellorusisë një hua prej 1.5 miliard dollarësh në vitin 2020, pasi sanksionet u vendosën ndaj vendit nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian pas fitores së Lukashenkos në zgjedhjet e diskutueshme presidenciale.
Lukashenko tha se këto sanksione ishin pjesë e një komploti të supozuar nga Perëndimi për ta hequr atë nga pushteti, një pretendim i ngjashëm me komentet që Putini ka bërë për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë.
Lukashenko ka qenë gjithashtu një mbështetës i hapur i luftës së Putinit në Ukrainë.
Ai tha në mars për një stacion televiziv japonez se Perëndimi provokoi luftën dhe pretendoi se ishte “e dobishme për amerikanët”.
Kohët e fundit, ai i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres në maj, ku paralajmëroi se “kontributet ndërkombëtare për sigurinë e Ukrainës mund të çojnë në zgjerimin e konfliktit në një luftë tjetër botërore”. /Telegrafi/
Abdixhiku pret në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier dhe ...
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...