Google ADS

Putin diskutime paqeje me Ukrainën

06:57 | 22 Qershor 2018
A. B.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij ukrainas Petro Poroshenko diskutuan mbi zbatimin e një marrëveshjeje për paqe të vitit 2015, e cila ka dështuar t’i japë fund dhunës në Ukrainën Lindore.

“Putin shprehu shqetësimin rreth tensioneve në rritje në Donbas dhe rritjen e numrit të viktimave civile, si pasojë e sulmeve të rritura të ushtrisë ukrainase në rajon”, thuhej në një njoftim të Kremlinit.

Në shkurt të vitit 2015, në Minsk, u arrit një marrëveshje për armëpushim, por dhuna vazhdon e pandërprerë në rajon, ku luftëtarët e të dyja palëve e shkelin armëpushimin pothuajse çdo ditë.

Të dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë telefonike të enjten, biseda e tyre e dytë në dy javët e fundit, njoftoi agjensia ruse e lajmeve Interfax. Sipas saj presidenti Porshenko e telefonoi zotin Putin më 9 qershor, për të diskutuar lidhur me çështje humanitare, përfshirë dhe mundësitë e shkëmbimit të të burgosurve.

Biseda e tyre më e fundit telefonike vjen një ditë pasi Këshilli i Evropës kërkoi që Rusia të lironte regjisorin ukrainas Oleg Sentsov, i cili prej më shumë se një muaj po zhvillon një grevë urie ndërsa po kryen një dënim me 20-vjet burg në rajonin siberian.Top Channel

Oleg Sentsov, një kundërshtar i zëshëm i aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014, e nisi grevën e urisë për të ushtruar presion ndaj autoriteteve ruse për të liruar të gjithë të burgosurit politikë ukrainas. Zoti Sentsov u dënua në vitin 2015 për komplot me qëllim kryerjen e akteve terroriste, një akuzë që ai pretendon se ishte e motivuar politikisht.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme