Vladimir Putin është betuar sot në mandatin e tij të katërt si president i Rusisë, duke zgjatur pushtetin e tij 18 vjeçar në këtë shtet.
Mbështetësit e tij konsiderojnë se Putin ka ngritur shtetin pas një periudhe të vështirë, derisa kundërshtarët e cilësojnë udhëheqjen e tij si autokraci të korruptuar.
Ceremonia e inaugurimit në Kremlin vjen pas fitores së Putinit në zgjedhjet e marsit, për të cilat ai ka thënë të kenë qenë demostrim i besimit publik, ndonëse kritikët kanë deklaruar se ai proces ka qenë përtej pamjes demokratike.
Kjo ngjarje vjen vetëm dy ditë pasi policia ka ndaluar 1,600 persona, duke përfshirë liderin opozitar, Aleksei Navalny në protestat e mbajtura në disa qytete ruse, në të cilat është shprehur pakënaqësi për pushtetin e gjatë të Putinit.
Shumica e të ndaluarve janë liruar, ndërkohë që disa të tjerë do të përballen me seanca gjyqësore, duke përfshirë Navalnyn, i cili është arrestuar nga policia në Moskë.
Në mesin e pakënaqësive është përmendur edhe qasja e Rusisë me Perëndimin, duke përfshirë shkaqet si vendimi i Putinit për aneksimin e Krimesë nga Ukraina më 2014, mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës, përfshirjen e supozuar në zgjedhjet amerikane dhe përkrahjen e presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Putin ka përmendur një varg synimesh për mandatin e tij të ri, duke përfshirë uljen e varfërisë në Rusi, modernizimin e infrastrukturës, rritjen e kujdesit shëndetësor, dhe transformimin e ekonomisë.
“Të mbeturit mbrapa në teknologji është kërcënimi kryesor dhe armiku ynë më i madh”, ka thënë ai në adresimin e tij vjetor, disa javë para zgjedhjeve të 18 marsit, në të cilat autoritetet kanë thënë se ka fituar afro 77 përqind të votave.
Mbetet të shihet nëse Putin do të jetë në gjendje të zbatojë këto plane ambicioze, ndonëse një analizë e Bloombergut ka gjetur se Putin nuk ka realizuar një varg premtimesh prej vitit 2012.
Rusia është ende duke u përballur me sanksione Perëndimore për shkak të rolit të saj në konfliktin në Ukrainë dhe ndërhyrjen në politikën amerikane.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se Putin planifikon zhvillimin e një varg takimesh pas ceremonisë së betimit dhe nuk do të luajë hokej mbi akull, siç ka bërë pas ceremonisë së vitit 2012.
Putin, 65 vjeçar ka qenë ushtrues detyre i presidentit në ditën e fundit të vitit 1999 dhe nëse numërohet periudha e tij si kryeministër më 2008-2012, ai është lideri me më së shumti vite në pushtet prej pushtetit të diktatorit sovjetik, Josef Stalin.
Ai ishte rizgjedhur në muajin mars me 76.69 përqind të votave, më shumë se që kishte fituar më 2000, 2004 dhe 2012 dhe ishte konsideruar me përqindjen më të madhe të siguruar nga ndonjë lider rus të periudhës post-sovjetike.
Ndonëse ka pasur raportime për parregullësi në zgjedhje, duke përfshirë 10 milionë vota false, ato nuk duket të kenë ndikuar në popullaritetin e Putinit.
Kundërshtarët e tij kanë thënë se kontrolli i rreptë i Kremlinit dhe media shtetërore i kanë siguruar atij fitoren pavarësisht se vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se votuesit nuk kanë votuar në mënyrë të sinqertë.
Megjithatë, bazuar në të dhënat e një organizate shtetërore VTsIOM, besimi i rusëve për Putinin ka rënë dukshëm prej kohës së zgjedhjeve, nga 58.9 përqind sa ishte në muajin janar në krahasim me 47.1 përqind në muajin prill./REL
Shefi i EULEX-it: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc, autorët d...
Policia del me reagim zyrtar për sulmin e kanalit të “Iber L...
Rohde: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc, Gjermania e gatshme ...
Paralajmërimi i Kurtit pas shpërthimit në Ibër Lepenc: Një p...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Kës...
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...