Punëtorët në Gjermani me pagë të re minimale

13:02 | 12 Qershor 2022
K.B

Në Gjermani është miratuar paga e re minimal për punëtorët. Një rritje në dy faza parashikohet me hapin e parë nga 9.82 euro në 10.45 euro më 1 korrik dhe një të dytë nga 10.45 euro në 12 euro duke filluar nga 1 tetori 2022.
Ky vendim rrezikon të jetë një bumerang për vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin e tyre për pagat minimale me standardet evropiane me rritjen e inflacionit që rrezikon të vazhdojë, duke e bërë ekonominë edhe më pak konkurruese.

Bundestagu miratoi rritjen e pagës minimale në 12 euro në orë, duke përmbushur një premtim kyç të fushatës zgjedhore të kancelarit Olaf Scholz përpara zgjedhjeve të vitit të kaluar. Rritja përfundimtare prej gati 15 për qind do të hyjë në fuqi në dy faza: pragu aktual, ai i vendosur në 9.82 euro në orë, u prezantua në vitin 2015 me insistimin e socialdemokratëve të qendrës së majtë të Scholz, të cilët në atë kohë ishin partnerë të vegjël të qeverisë së kancelares konservatore Angela Merkel.

Shtytja për një rishikim, pas pesë vitesh, justifikohet me nevojën për një përshtatje me fuqinë blerëse gjithnjë në rënie të euros. Sipas Berlinit, ndër të tjera, rreth 6.2 milionë njerëz në Gjermani aktualisht punojnë për më pak se 12 euro në orë.
Por jo vetëm kaq, përveç rritjes së vendosur më 3 qershor nga Bundestag, deputetët kanë vendosur edhe krijimin e një komisioni të ri që do të vazhdojë të zbatojë rishikimet me kalimin e kohës. Ekspertët thonë se vendimi i Parlamentit gjerman do të çojë në një përmirësim të pagave për pothuajse 6.2 milionë punonjës nga një popullsi aktive prej 45.2 milionë banorësh.

Konfederata gjermane e Sindikatave thekson se rritja e pagës minimale do të rrisë fuqinë e përgjithshme blerëse me 4.8 miliardë euro, duke rritur gjithashtu eksportet në vend, por dhe kostot e prodhimit mund të rriten.
Sipas një sondazhi të Organizatës së Punëdhënësve Gjermanë, në fakt, rritja e pagës minimale mund të rrisë kostot e bizneseve dhe në këtë mënyrë të rrisë çmimet, me një përshpejtim të mëtejshëm të inflacionit. 89 për qind e 800 menaxherëve të kompanive të intervistuar në Gjermani janë të këtij mendimi. Pasojat do të preknin edhe pjesën tjetër të Evropës.

Deri në maj, norma e inflacionit ishte rritur tashmë në 7.9 për qind, niveli më i lartë në gati 50 vjet. Nëse do të këtë një rritje të mëtejshme, Banka Qendrore Evropiane mund të detyrohet të nisë një shtrëngim drastik monetar dhe pasojat në ekonomitë e tjera evropiane mund të jenë të rënda. Për të kapërcyer këto pabarazi, Europa ka miratoi projekt-marrëveshjen për pagën minimale evropiane.
Në Gjermani, 76 nga 100 gjermanë të moshës 15 deri në 64 vjeç kanë një punë. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme