Ngadalë ai depërton përmes masave të qytetarëve të mbledhur në Bashçarshi të Sarajevës. Bën me dorë, bën foto me fëmijët, ua përkëdhel kokën. Mediat lokale thonë se atë e kanë pritur qindra qytetarë në zemër të Sarajevës. Është gushti i vitit 2021.
Presidenti turk Erdogan është padyshim i lumtur me vizitën e tij në Bosnjë-Hercegovinë. Nga viti 2010 e deri më sot, ai e ka vizituar këtë vend shtatë herë – si kryeministër apo si president. Dhe me kënaqësi e mirëpresin atje, siç tregojnë edhe regjistrimet televizive. “Bosnjë – Hercegovina ka një vend të veçantë në zemrat e popullit tonë”, thotë presidenti turk gjatë vizitës.
E megjithë këto simpati, në Bosnjë – Hercegovinë askush nuk ëndërron për lëvizje masive drejt Turqisë, vendit të Erdoganit. Ata e preferojnë shumë më shpesh të ardhmen e tyre në një vend tjetër – në Gjermani.
Kancelarja shumëvjeçare e vendit, Angela Merkel, bëri një vizitë lamtumire në Ballkanin Perëndimor vetëm dy javë pas shëtitjes së Erdoganit nëpër Bashçarshi. Por ajo e anashkaloi Sarajevën dhe shkoi në Beograd.
Është e vërtetë që Merkel ishte iniciatore dhe një ndër mbështetëset më të forta të Procesit të Berlinit. Është gjithashtu e vërtetë se ajo dërgoi ish-ministrin e saj Christian Schmidt në postin e Përfaqësuesit të Lartë në Beosnjë – Hercegovinë, por është gjithashtu e vërtetë se gjatë 16 viteve sa ishte në postin e kancelares, ajo ka bërë vetëm një vizitë zyrtare në Sarajevë.
Momenti vendimtar për Ballkanin
Emërimi i Schmidtit si Përfaqësues i Lartë ishte një shenjë e angazhimit të shtuar të Gjermanisë në Bosnjë – Hercegovinë. Rrjedhimisht edhe pritjet janë të mëdha, sikur edhe shpresat. E këto shpresa u shtuan pas ardhjes së qeverisë së re në Berlin, në fund të vitit të kaluar. Por mesa duket, angazhimi i qeverisë gjermane do të kishte qenë shumë më i ngadalshëm dhe shumë deklarativ, po të mos kishte ndodhur 24 shkurti dhe agresioni rus në Ukrainë. Trupat ruse në Ukrainë ia kujtuan Berlinit dhe kryeqyteteve të tjera të BE-së rrezikun e një lufte tjetër të përgjakshme që – për ironi – filloi 30 vjet më parë dhe që nuk mbaroi kurrë. Por që u shndërrua në një konflikt të ngrirë të rrezikshëm.
Papritur në Berlin dhe në BE u kujtuan se, megjithëse Bosnjë -Hercegovina dhe Ballkani Perëndimor nuk janë vërtet të rëndësishëm për ta, këto vende janë ende aq të rëndësishme sa që nuk mund të lihen nën ndikimin e plotë rus. Dhe filloi angazhimi: Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, dy javë pas fillimit të pushtimit rus vizitoi vendet e Ballkanit Perëndimor. Stacioni i parë ishte më kompleksi – Sarajeva. Pasoi vizita e ministres së Mbrojtjes, Christine Lambrecht, fillimisht në Sarajevë e pastaj në vendet e tjera.
Disi, paralelisht me këtë, koalicioni qeverisës dërgoi një rezolutë për Bosnjë -Hercegovinën në procedurën parlamentare në Bundestag, e cila shkaktoi reagime të shumta në Bosnjë – Hercegovinë dhe vendet e tjera. Ajo shkaktoi mosmarrëveshje edhe në Kroaci, ku dy deputetë të Bundestagut me origjinë dhe emra ballkanikë, u prezantuan në media si simbol i koncepteve reciprokisht të kundërta me strukturën e Bosnjë -Hercegovinës. Ndërsa deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq, ndër të tjera, mbrojti idenë se Milorad Dodik dhe Dragan Çoviq janë fajtorët kryesorë për pengimin e vendit në rrugën e përparimit. Kolegu i tij Josip Juratoviq, tha se në rezolutë bashkë me Dodikun dhe Çoviqin duhet të përmendet si fajtor edhe Bakir Izetbegoviqi.
Por rezoluta u dërgua në procedurë pa ndryshimet që kërkoi Juratoviqi. E burime diplomatike në Berlin thonë se rezoluta do të miratohet dhe do të jetë një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e Bosnjë – Hercegovinës.
Pse Scholzi nuk viziton Sarajevën?
Vendimi i kancelarit Olaf Scholz për të mos vizituar BiH gjatë qëndrimit në Ballkanin Perëndimor nuk përshtatet me angazhimin e shtuar të Berlinit – të paktën në një nivel simbolik. Nëse Scholz mendon se duhet shmangur vizita përpara zgjedhjeve të përgjithshme në këtë vend, atëherë ky është gabim. Sepse Bosnjë – Hercegovina do të jetë një fushë e minuar për kancelarin edhe pas zgjedhjeve të tetorit.
Ndaj shtatë vjet pas qëndrimit të kancelares në Sarajevë, do të kishte qenë mirë që këtë vend sërish ta vizitojë një kancelar gjerman dhe të dërgojë një mesazh shumë të qartë në favor të një angazhimi për zgjidhjen e problemeve të vërteta në këtë vend. Nëse jo për shkak të Bosnjë – Hercegovinës, atëherë për shkak të situatës në shtëpinë e vet. Plani i vizitës do të duhej të ishte ky: fillimisht Zagrebi dhe Beogradi, e më pas edhe Sarajeva.
Përndryshe, askush në Berlin nuk do të ketë të drejtë të komentojë kur përshëndetjet e Erdoganit në Bashçarshi apo flamujtë rusë në Banjalukë, që për momentin është është shumë më e rrezikshme. Kancelari Scholz do të detyrohet të dëgjojë më pas fjalët: Führung, Herr Scholz (Duhet të drejtoni, z. Scholz)! Vetëm të mos bëhet tepër vonë./DW/
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...