A do të munden Ukraina dhe Perëndimi ta vazhdojnë këtë luftë pas rezultateve të sotshme të referendumit rus?
Me referendumin që po zhvillohet që prej katër ditësh në Ukrainë, rajonet e Khersonit, Zaporizhzhias dhe Donbasit mund të shkrihen përfundimisht me ‘Nënën Rusi’.
Nëse kjo ndodh, sa do të mundet Ukraina ta vazhdojë luftën e saj në këto rajone që tashmë rrezikojnë të njihen si ‘tokë ruse’?
Kherson, Republika Popullore e Luhanskut, Republika Popullore e Donetskut (ose LDPR) dhe Zaporizhzhia kanë mbajtur referendume për pranimin e tyre në Federatën Ruse nga 23 shtatori deri sot më 27 shtator.
“Mobilizimi i pjesshëm ushtarak” i Rusisë i shpallur së fundmi nga Presidenti Vladimir Putin dhe referendumi i rajoneve pro-ruse në lindje dhe jug të Ukrainës mund të shënojnë fillimin e fundit të luftës së Putin në Ukrainë.
Pavarësisht se Moska dhe Kievi u angazhuan në një dialog prej katër raundesh gjatë dy muajve të parë të konfliktit, Rusia nuk u vonua ta perceptonte armikun e saj kryesor në luftë, jo si një Ukrainë e vetme dhe e bashkuar, por si një Ukrainë pro-perëndimore e udhëhequr dhe e mbështetur ushtarakisht nga Perëndimi e sidomos Shtetet e Bashkuara – dhe kjo është pikërisht ajo që e komplikon situatën.
Si erdhëm deri këtu?
Fillimisht, lufta ose ‘operacioni special’ i 24 shkurtit në Ukrainë, u komentua nga Rusia si një mision me qëllim mbrojtjen e këtyre rajoneve pro-ruse pasi sipas Putinit, ato po vuanin prej vitesh nga një ‘gjenocid’ i drejtuar nga një regjim ukrainas sipas tij neo-nazist i cili “po kryente bombardime dhe luftime të pandërprera në shkelje të hapur të Marrëveshjes së Minskut”.
“Denazifikimi” dhe “çmilitarizimi” i Ukrainës kanë qenë justifikimet kryesore dhe termat më të përdorura nga Putin që prej aneksimit të largët të Krimesë në vitin 2014-të e deri në luftën e ditëve të sotme.
Qeveria pro-ruse e ish-presidentit Viktor Janukovic e cila u zëvendësua me qeverinë pro-perëndimore të udhëhequr nga presidenti aktual Volodymyr Zelenskyy, është sulmuar gjithashtu nga Kremlin duke u akuzuar si një ‘qeveri kukull’ e instaluar nga Shtetet e Bashkuara.
Të njëjtat akuza janë bërë edhe ndaj qeverisë pro-ruse të Janukovic nga aleatët perëndimorë.
Ndërkohë, para nisjes së luftës, bashkë me aneksimin e këtyre rajoneve pro-ruse, Putin kishte kërkuar gjithashtu një garanci nga Shtetet e Bashkuara në lidhje me neutralizimin ushtarak të Ukrainës por edhe tërheqjen e trupave të NATO-s drejt perëndimit, në kufijtë e tyre të mëparshëm para vitit 1997.
Pasi u përball me mohimin kategorik të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara ndaj këtyre kërkesave, Rusia i hyri kësaj ‘lufte të gjatë’, e cila që pas ditës së sotme mund të pësojë disa ndryshime thelbësore.
Jo më ‘Rusi vs. Ukrainë’ por ‘Rusi vs. SHBA’
Pothuajse i gjithë Donbasi dhe Jugu i Ukrainës – dhe Krimeja që është aneksuar nga Rusia që nga viti 2014 – janë tanimë nën kontrollin rus.
Nëse sot, rajonet votojnë për të qenë pjesë e Rusisë, ato bëhen zyrtarisht territore të Federatës Ruse.
Kështu, çdo sulm i mëtejshëm ukrainas, veçanërisht ata të mbështetur nga armatimet amerikane dhe evropiane, do të konsiderohen si një sulm direkt ndaj territorit rus.
Kjo e ndërlikon klimën gjeo-politike dhe ushtarake për NATO-n, Evropën, Ukrainën dhe SHBA-të, të cilat kanë përsëritur që prej fillimit të luftës se nuk do të pranojnë kategorikisht të përballen në mënyrë të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Në këtë pikë duket se Rusia po kërkon medoemos që kjo luftë të përfundojë, dhe sipas disa deklaratave të fundit të Putin, ai do që “kjo luftë të mbarojë sa më parë të jetë e mundur”.
Por, Putin nuk do që kjo luftë thjeshtë të përfundojë.
Ai do që Rusia të dalë fitimtare.
Jo domosdoshmërish në aspektin ushtarak, por mbi të gjitha në aspektin diplomatik.
Putin po kërkon një ‘fitore diplomatike’ në Ukrainë.
Duket se e vetmja mënyrë që gjërat të shkojnë aty ku ishin para luftës dhe marrëdhëniet ekonomike mes shteteve të nisin aty ku u lanë, është që Rusia të ‘marrë atë ç’ka për të marrë’ dhe ta quaj veten fitimtare në këtë luftë, të paktën para popullit të saj.
Por sa e mundur do të jetë kjo?
Sa i aftë do të jetë Perëndimi të pranojë krimet e luftës që u kryen në Ukrainë dhe mbi të gjitha, sa i gatshëm do të jetë Putin t’i vërë kufi ambicieve të tij në Ukrainë dhe të mos kthehet më mbrapa?/euronews.al/
Ukraina do t’i kërkojë NATO-s ftesë për anëtarësim javën e a...
Costa: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, forcon paqe...
Gruda: Nuk kemi pasur forcë më herët për ta rrëzuar këtë qev...
Incidenti me flamurin, Siljanovska: Mosrespektimi i simbolev...
“Foto e Ditës”, Rama nderon Dëshmorët e Atdheut
Kurti njofton se është hapur tenderi për objektet e banimit ...