Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Francë do të ketë implikime ndërkombëtare, ndërsa lufta vazhdon në kufi me skajin lindor të Bashkimit Evropian.
Franca është ekonomia e dytë më e madhe e bllokut prej 27 anëtarësh, e vetmja anëtare e tij me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe fuqia e vetme e saj bërthamore.
Dhe ndërsa presidenti rus Vladimir Putin vazhdon luftën në Ukrainë, Franca do të luajë rol parësor në reagimin e Evropës.
Dymbëdhjetë kandidatë po konkurrojnë për presidencën — përfshirë presidentin aktual Emmanuel Macron, i cili po kërkon një mandat të ri përballë një sfide nga e djathta ekstreme.
Ka disa arsye që zgjedhjet franceze, që zhvillohen në dy raunde duke filluar nga e diela, kanë rëndësi në arenën ndërkombëtare:
NATO
Lufta e Rusisë në Ukrainë i ka dhënë presidentit Macron mundësinë për të demonstruar ndikimin e tij në skenën ndërkombëtare dhe për të konsoliduar kredencialet e tij pro NATO-s në debatet zgjedhore. Zoti Macron është i vetmi kandidat kryesor që mbështet aleancën ndërsa kandidatët e tjerë kanë pikëpamje të ndryshme për rolin e Francës brenda saj, përfshirë daljen nga aleanca. Një zhvillim i tillë do t’i jepte një goditje të madhe një aleance të ngritur për të mbrojtur anëtarët e saj gjatë Luftës së Ftohtë që po fillonte 73 vjet më parë.
“Macron me të vërtetë dëshiron të krijojë një shtyllë evropiane të NATO-s”, thotë Susi Dennison, anëtare e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Ai e ka përdorur këtë argument në diplomacinë e tij mbi konfliktin në Ukrainë.”
Kandidati i së majtës ekstreme Jean-Luc Melenchon dëshiron ta nxjerrë Francën nga NATO, duke thënë se ajo nuk prodhon asgjë përveç mosmarrëveshjeve dhe destabilitetit.
Një President Melenchon skeptik ndaj NATO-s mund të përbëjë shqetësim veçanërisht për Poloninë, e cila ka një kufi prej 1,160 kilometrash me territorin që tani kontrollohet nga Rusia.
Disa kandidatë të tjerë duan të shohin ose një angazhim të reduktuar me aleancën ose një tërheqje të plotë.
Largimi i Francës nga aleanca e NATO-s do të krijonte një hendek të thellë me aleatët e tjerë dhe do të ftohte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë nuk ka shumë gjasa që Franca të dalë nga aleanca.
BASHKËPUNIM EVROPIAN
Vëzhguesit thonë se një rizgjedhje e presidentit Macron do të rriste bashkëpunimin dhe investimet në sigurinë dhe mbrojtjen evropiane – veçanërisht me një qeveri të re pro-Bashkimit Evropian në Gjermani.
Nën presidencën e zotit Macron, shpenzimet e mbrojtjes të Francës janë rritur me 7 miliardë euro me objektivin për t’i çuar ato në nivelin e kërkuar prej 2% të produktit të brendshëm bruto.
Në mandatin e tij të dytë, zoti Macron pothuajse me siguri do të punonte për një përgjigje të përbashkët evropiane ndaj Ukrainës dhe një kundërpërgjighe ndaj kërcënimeve ruse.
NJË ALEANCË E SË DJATHTËS EKSTREME?
Këto zgjedhje mund t’i japin formë identitetit të Francës pas luftës dhe të tregojnë nëse populizmi evropian është në rritje apo në rënie. Pas fitores së populistit Viktor Orban për një mandat të katërt radhazi si kryeministër i Hungarisë, tani vëmendja është kthyer nga kandidatët e së djathtës ekstreme të Francës — veçanërisht tek Marine Le Pen, e cila dëshiron të ndalojë mbulimin e grave myslimane në vende publike, si edhe të reduktojë në mënyrë drastike imigracionin nga jashtë Evropës.
“Nëse fiton një kandidate e ekstremit të djathtë, mund të krijojë një lloj aleance ose boshti në Evropë,” tha zonja Dennison e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Le Pen ka postuar në Twitter fotografi të saj duke shtrënguar duart me Orbanin ditët e fundit. Ajo mbështet një Evropë me shtete të forta kombëtare”.
Ky bosht mund të përfshinte presidentin e Polonisë Andrzej Duda, një populist i krahut të djathtë dhe aleat i ish-presidentit amerikan Donald Trump. Kjo i ka alarmuar vëzhguesit.
“Mbi 30 për qind e votuesve francezë tani thonë se do të votojnë për një kandidat të së djathtës ekstreme. Nëse llogaritet edhe Melenchon si një tjetër kandidat ekstrem, kundër sistemit – kjo përbën thuajse gjysmën e të gjithë popullsisë votuese. Është e paprecedentë”, tha analistja Dennison.
Kandidati i ekstremit të djathtë Eric Zemmour ka shprehur gjerësisht pikëpamjet e tij të debatueshme mbi Islamin në Francë dhe emigracionin.
Megjithatë, edhe centristi Macron shkaktoi pakënaqësi në vendet myslimane dy vjet më parë kur mbrojti të drejtën për të botuar karikaturat e profetit Muhamed.
NJË MIK I AMERIKËS
Shtetet e Bashkuara flasin shpesh për Francën si aleaten e tyre më të vjetër — dhe nga sanksionet ruse tek ndryshimet klimatike dhe Kombet e Bashkuara, Uashingtoni ka nevojë për një partner të besueshëm në Paris.
Franca është një mike jetike transatlantike për Amerikën, sidomos duke pasur parasysh statusin e saj si anëtari i vetëm i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Evropën kontinentale që zotëron të drejtën e vetos.
Pavarësisht përplasjeve SHBA-Francë vitin e kaluar lidhur me një marrëveshje shumë miliardëshe për furnizimin e Australisë me nëndetëse, marrëdhëniet mes presidentëve Joe Biden dhe Macron janë tani të forta.
“Macron është padyshim i vetmi kandidat që ka histori dhe kredenciale në marrëdhëniet me SHBA-në. Të gjithë të tjerët do të fillonin nga e para në një kohë pasigurie të madhe gjeopolitike”, tha zonja Dennison.
Një presidencë e zotit Zemmour apo e zonjës Le Pen ka të ngjarë të nënkuptojë më pak angazhim me çështje që SHBA i konsideron prioritet, si ndryshimi i klimës.
“Ata mund të mos i japin përparësi kostos së madhe ekonomike të angazhimeve të Marrëveshjes së Parisit për Klimën dhe potencialit për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5%,” shtoi zonja Dennison.
EMIGRACIONI
Në kushtet e një fluksi të madh emigrantësh në Evropë vitin e kaluar, pozicioni i Francës ndaj imigracionit do të vazhdojë të ndikojë fuqishëm tek vendet në periferi të BE-së dhe më gjerë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike si vend tranzit në udhëtimin e shumë emigrantëve drejt Britanisë.
Një anije emigrantësh u përmbys në Kanalin Anglez nëntorin e kaluar ku gjetën vdekjen e 27 personave, duke shkaktuar një përplasje mes Francës dhe Britanisë së Madhe për përgjegjësinë për incidentin.
Britanikët akuzuan Francën se nuk patrullonte mirë bregdetin, por zoti Macron tha se ishte diçka jorealiste. Vëzhguesit thonë se Franca nuk është veçanërisht e hapur ndaj migrantëve brenda një konteksti evropian dhe e shohin zotin Macron si të një linje të ashpër në lidhje me migracionin.
Por Le Pen ose Zemmour ka të ngjarë të përqafojnë politika më të ashpra se Macroni nëse dalin fitues, përfshirë uljen e ndihmave sociale për qytetarët jofrancezë dhe kufizimin e numrit të azilkërkuesve. Disa kandidatë kanë mbështetur ngritjen e mureve kufitare sipas stilit të ish-presidentit Trump./VoA/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...