Tensioni mes Turqisë dhe Holandës ka arritur nivele të paparashikueshme natën e kaluar pasi autoritetet holandeze vendosën dëbimin e Ministres turke të Familjes, Fatma Betul Sayan Kaya, e cila kishte hyrë në vend me makinë nga Gjermania.
Vendimi u prit me protesta para konsullatës turke në Roterdam, para ambasadës holandeze në Ankara dhe konsullatës në Stamboll. Ankaraja zyrtare po ashtu kërkoi moskthimin e ambasadorit holandez në Turqi, i cili ndodhej me pushime.
Media turke thotë se kryeministri turk, Binali Yildirim po ashtu tha se Turqia do të japë përgjigjen e menjëhershme, teksa akuzoi ata që ai i quajti “të ashtuquajtur miq evropianë” për ngeljen në klasë përballë demokracisë. Ai tha se kishte folur me Kryeministrin holandez, Rutte dhe e gjitha kjo po ndodhte ngase Holanda është në prag zgjedhjesh.
Gjatë natës policia holandeze përdori topa uji dhe kuajt për të shpërndarë protestuesit para konsullatës turke në Roterdam, ku ishte planifikuar të mbahej një miting ditën e shtunë nga ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu.
Pasi iu ndalua hyrja në konsullatën turke në Roterdam, Kaya u shoqërua nga policia deri në kufi me Gjermaninë, konfirmoi mëngjesin e sotëm Kryeministri holandez, Mark Rutte, i cili për vete është në fushatë për zgjedhjet e 15 Marsit, me postin e tij që rrezikohet nga ekstremisti Gert Wilders.
Pas Austrisë, Suedisë dhe Gjermanisë, Holanda bëhet shteti i katërt Europian që u ndalon ministrave turq pjesëmarrjen në mitingje në shtetet e tyre. Turqia pritet të votojë në një referendum që parashikon rritjen e pushtetit të Presidentit Erdogan më 16 Prill, dhe aktualisht autoritetet turke po bëjnë fushatë pro ndryshimeve.
Rreth 5.5 milionë turq jetojnë jashtë vendit, në shtetet europiane, me rreth 1.4 milionë persona me të drejtë vote vetëm në Gjermani; këto votues me gjasa mund të ndryshojnë fatin e referedumit. Kjo është arsyeja pse Erdogan kërkon mbajtjen e mitingjeve edhe jashtë vendit, në Gjermani, Suedi, Austri e Holandë ku jetojnë shumë turq.
Protesta në Roterdam, Holandë
“BBC” thotë se ministrja turke e familjes, Kaya, hyri në Holandë nga Gjermania me makinë të njëjtën ditë që Holanda nuk i dha leje avionit të ministrit të Jashtëm turk të ulej në vend. Megjithatë, Kaya nuk u lejua të zëvendësonte Cavusoglunë dhe të hynte në konsullatën e Turqisë në Roterdam.
Ministrja Kaya përballë policisë në Holandë
Rutte e quajti mbërritjen e ministres turke në Roterdam sit ë papërgjegjshme dhe e gjitha është shikuar si provokim nga holandezët.
Pse Vendet Europiane nuk i lejojnë mitingjet e turqve?
Shumë prej vendeve kanë përmendur arsyet e sigurisë. Ministri austriak i Punëve të Jashtme, Sebastian Kurz, tha se Erdogani nuk ishte i mirëpritur për mitingje pasi kjo mund të rriste votat e ekstremit të djathtë në këto vende.
Kryeministri Holandez, Mark Rutte, tha se Holanda i kishte kërkuar Turqisë të hiqnin dorë nga mitingjet në vendin e tij pas shqetësimeve për “rregullin dhe sigurinë publike”.
Përveç kësaj, shumë vende europiane kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me reagimin e Turqisë pas tentativës së dështuar për grusht shteti, duke theksuar se vendi po rrëshqet drejt autoritarizmit.
Gjermnai veçanërisht ka qenë kritike ndaj arrestimeve masive dhe të pushimit nga puna të rreth 100 000 punonjësve publikë. Po ashtu, një gazetar gjermano-turk i “Die Welt”, Deniz Yucel, u arrestua muajin e kaluar dhe u akuzua si spiun gjerman nga Erdogan, teksa nga ana tjetër akuzohet zyrtarisht për propagandë terroriste pro rebelëve kurdë.
Cili ishte Reagimi i Erdoganit?
Presidenti Erdogan ka sulmuar Gjermaninë dhe Holandën, duke akuzuar qeverinë holandeze si “mbetje të nazizmit dhe fashizmit” teksa Gjermaninë e ka akuzuar për “praktika naziste”.
Kancelaria Gejrmane Angela Merkel i dënoi cilësimet si “të papranueshme” ndërsa Rutte i hodhi poshtë si “deklaratë e çmendur”.
Deklaratat e Erdoganit u përshkallëzuan të shtunën kur Holanda nuk lejoi uljen e avionit të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu. “Ndalojeni sa të doni”, tha Erdogan, “por të shikojmë si do të ulen në Turqi avionët tuaj tani e tutje.”
Cavusoglu po ashtu kishte kërcënuar Holandën për sanksione të ashpra nëse vizita e tij do të ndalohej. Të njëjtin kërcënim e përsëriti edhe pasi avioni i tij u bllokua.
Mbërritja e ministres Kaya me rrugë tokësore është shikuar si një tjetër provokim nga Turqia – megjithëse Rutte thotë se qeveria e tij është e gatshme të flasë me Erdoganin dhe kolegët e tij për gjetjen e një zgjidhjeje.
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...