Izraeli synon ta zgjerojë luftën tokësore deri brenda qytetit Rafah, ku janë strehuar mbi 1 milion palestinezë nga lufta e cila e ka bërë rrafsh me tokën shumicën e Rripit të Gazës prej se pjesëtarët e Hamasit e sulmuan Izraelin më 7 tetor.
Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Në ditët e fundit, Izraeli ka filluar ta bombardojë Rafahun, i cili ndodhet në jug të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshkruar Rafahun si “bastionin e fundit” të Hamasit, me katër batalione të burrave të armatosur. Sipas tij, Izraeli nuk mund ta arrijë synimin e vet për ta asgjësuar këtë grup derisa pjesëtarët e tij mbesin atje.
Izraeli ka kërkuar ta shkatërrojë Hamasin prej se e ky grup e udhëhoqi sulmin e 7 tetorit, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 253 të tjerë dhe u dërguan në Gazë, sipas autoriteteve izraelite.
Ushtria izraelite e ka rrënuar tashmë shumicën e Gazës, në një luftë që i ka vrarë më shumë se 28.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të udhëhequra nga Hamasi në Gazë.
UNRWA, një agjenci e Kombeve të Bashkuara që i mbështet palestinezët me ndihma dhe shërbime themelore, thotë se gati 1.5 milion njerëz ndodhen në Rafah, gjashtëfish më shumë se popullsia e këtij qyteti para 7 tetorit.
Shumica e tyre janë strehuar nëpër tenda në rrugë, në vende të zbrazëta dhe në plazhe buzë murit kufitar me Egjiptin. Të tjerët jetojnë në shatorre të stërmbushura dhe të pista.
Mjekët dhe ekipet e shpëtimit po hasin në vështirësi të shpërndajë qoftë edhe ndihmat më thelbësore dhe ta parandalojnë përhapjen e sëmundjeve. Këshilli norvegjez i Refugjatëve e ka quajtur këtë një “kamp gjigant refugjatësh”.
Një mjek i cili u largua nga Gaza së fundmi e ka përshkuar Rafahun si “burg të mbyllur” me materie fekale që derdhen nëpër rrugët e mbipopulluara aq shumë saqë nuk ka hapësirë as për kalimin e automjeteve mjekësore.
Izraeli i ka urdhëruar civilët të ikin drejt jugut gjatë sulmeve të mëparshme në qytetet e Rripit të Gazës, prandaj shumica prej tyre kanë shkuar në Rafah.
Zyra e Netanyahut ka thënë se e ka urdhëruar ushtrinë ta përpilojë një plan për evakuimin e Rafahut.
Por, zyrtarët e agjencive humanitare dhe qeveritë e huaja thonë se ata nuk kanë ku t’ia mbathin më. Egjipti ka thënë se nuk do ta lejojë një eksod të refugjatëve palestinezë të futet brenda tokës së vet.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka thënë Netanyahut se Izraeli nuk duhet ta nisë ofensivën në Rafah pa një plan që garanton sigurinë e njerëzve që janë të strehuar atje.
Aleatët e tjerë të Izraelit, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, kanë shprehur shqetësimet e tyre për pasojat e një ofensive në Rafah.
Ministrja e Jashtme e Holandës, Hanke Bruins Slot, ka thënë se është e “vështirë ta kuptosh se si një ofensivë e madhe në një zonë të banuar dendësisht nuk do të shkaktonte vrasjen e shumë civilëve dhe një katastrofë humanitare”.
Ajo e ka cilësuar si “të pajustifikueshme” ofensivën e mundshme.
Egjipti ka paralajmëruar për “pasoja të tmerrshme”.
Izraeli pretendon se merr masa të gjëra për t’i mbrojtur civilët, por se është i detyruar të kryejë operacione ushtarake në zonat civile për shkak se “Hamasi vepron në to”.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...