Rritja e çmimeve të gazit dhe naftës me shumicë nënkupton se amvisëritë në mbarë Evropën përballen me fatura më të shtrenjta të energjisë gjatë këtij viti dhe jo vetëm.
Ndërkaq, pjesët më të ndjeshme të rajonit do të përballen me mungesë të karburanteve, thanë shoqatat e konsumatorëve.
Pse çmimet janë të larta?
Kompanitë e energjisë paguajnë çmimin e shumicës kur blejnë gaz dhe elektricitet që më pas ua shesin konsumatorëve. Si në çdo treg, çmimet rriten dhe ulen, dhe lëvizja e çmimeve nxitet nga furnizimet dhe kërkesa.
Zakonisht, çmimet rriten gjatë dimrit në përgjigje të kërkesës më të lartë për ngrohje dhe elektricitet, ndërkaq bien gjatë verës.
Çmimet nisën të rriten përtej normave normale shtatorin e kaluar dhe që atëherë janë rritur edhe më shumë për shkak të pengesave në furnizim që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt.
Pak kohë para se të niste lufta, Qeveria gjermane ndaloi futjen në funksion të gazsjellësit Rrjedha Veriore 2, gazsjellës që do të dyfishonte furnizimet me gazin rus në Evropë. Më pas, në korrik, Rusia zvogëloi sasinë e gazit që transportohet përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1 në 20 për qind të kapacitetit. Moska tha se ulja e furnizimeve ka të bëjë me punime të mirëmbajtjes.
Qeveria gjermane tha se ky pretekst që po përdoret nga Moska për t’u kundërpërgjigjur ndaj sanksioneve perëndimore, që u vendosën për shkak të luftës në Ukrainë.
Ndërprerjet e energjisë bërthamore në Francë dhe vala e të nxehtit që ka goditur Evropën këtë verë, po ashtu kanë rritur kërkesën.
Çmimet standarde të gazit në Evropë në qendrën Dutch TTF janë rritur pothuajse për 350 për qind nga viti në vit, ndërkaq kontratat njëvjeçare gjermane dhe franceze janë rritur për 540 për qind, respektivisht me 790 për qind.
Sa mund të zgjasë kjo situatë?
Shumë analistë të tregut të gazit presin që çmimet të vazhdojnë të jenë të larta në dy vjetët e ardhshëm apo edhe më gjatë.
Konkurrenca botërore për gaz dhe qymyr gjatë këtij viti pritet të parandalojë që çmimet të bien. Çdo ndërprerje tjetër e furnizimeve të gazit rus, sikurse një ndalesë e plotë e furnizimeve përmes Rrjedhës Veriore 1, do të kontribuojë në rritjen e çmimeve.
Edhe pse shtetet evropiane janë në rrugë të mirë për të mbushur depotë e gazit në minimumin e nivelit prej 80 për qind deri më 1 tetor, por një dimër i ftohtë mund t’i shterojë ato rezerva shumë shpejt.
Pse po rriten çmimet e shitjes me pakicë?
Shumë furnizues të energjisë aplikojnë çmimet e larta me shumicë edhe te konsumatorët, përmes tarifave të tyre të shitjes me pakicë. Në Britani, për shembull, për faturën e përbashkët të energjisë (elektricitet dhe gaz) çmimi për shitje me shumicë mund të përbëjë 40 për qind të totalit.
Furnizuesit mund të blejnë energji në tregjet me shumicë në ditën kur duan të marrin dërgesën e produktit, një ditë përpara apo muaj dhe sezone më herët, teksa tentojnë të parashikojnë kur çmimet do të jenë më të lira dhe sa duhet të blejnë për të mbuluar nevojat e konsumatorëve të tyre.
Nëse furnizuesit nuk blejnë mjaftueshëm energji, ata do të detyrohen të blejnë më shumë me çmime që mund të jenë më të larta, varësisht nga lëvizjet e tregut.
Veprimet qeveritare
Në korrik, Bashkimi Evropian u kërkoi shteteve anëtare që të ulin kërkesën e gazit vullnetarisht për 15 për qind gjatë këtij viti, me mundësinë që kjo të bëhet e obligueshme.
Disa qeveri evropiane kishin ndërmarrë masa për të ulur konsumin para këtij njoftimi të BE-së, sikurse ligje për nivelin e ajrit të kondicionuar dhe ngrohjes në ndërtesat publike dhe komerciale.
Gjermania ka kaluar në fazën e dytë të planit emergjent prej tri fazash për gazin. Faza e tretë parasheh që gazi të shkurtohet në industri.
Ky shtet po ashtu do të vendosë tarifa gazi për të shpërndarë koston e lartë të zëvendësimit të gazit rus në mesin e konsumatorëve. Kjo masë pritet të hyjë në fuqi në tetor, por mund të bëjë që tarifat e energjisë të rriten me 480 euro në vit.
Qeveritë po ashtu kanë njoftuar për masa sikurse subvencionet, heqjen e taksave mjedisore ose Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga faturat dhe çmimet tavan.
Britania, që varet shumë nga gazi për ngrohje, ka prezantuar çmime tavan për shumicën e tarifave për energjinë më 2019, që vendos një kufizim të shumës së paguar për njësi të energjisë, por edhe vendos kufirin prej 1.9 për qind të përfitimit të furnizuesve.
Megjithatë, kjo marzhë vlerësohet se është rritur mbi 4.200 funte në vit, sipas të dhënave të janarit, apo 230 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak.
Çfarë mund të bëjnë konsumatorët?
Amvisëritë përbëjnë 30-40 për qind të kërkesës për gaz në Evropë. Rreth 80 për qind e kërkesës për gaz të amvisërive është për ngrohje, ndërkaq pjesa tjetër për ujë të ngrohtë dhe gatim.
Zakonisht, kërkesa për gaz është më e lartë gjatë dimrit, apo nga muaji tetor deri në mars.
Sipas analistëve në Brendstein, disa masa për amvisëritë do të mund të ulnin për një të tretën e kërkesës për gaz në mesin e amvisërive.
Ulja e termostatit nga 20 në 19 gradë Celsius do të mund të ulte kërkesën e amvisërive për gaz për rreth 7 për qind. Dhe sikur qytetarët do të ulnin edhe për një gradë termostatet e tyre, atëherë kërkesa do të ulej edhe për 7 për qind.
Veshja e xhemperëve më të trashë në shtëpi gjatë sezonit të dimrit mund të zbresë edhe për 4 për qind kërkesën e amvisërive për gaz.
Shtyrja e lëshimin e ngrohjes nga tetori në nëntor ose ndalimi i ngrohjes në shkurt dhe jo në mars, mund të kursej 3 deri në 6 për qind. Fikja e radiatorëve në dhomat që nuk përdoren, zëvendësimi i kokave të dushit me lloje që kursejnë ujin dhe përdorimi i bojlerëve dy herë brenda ditës, mund të zbresë kërkesën për gaz edhe për 7 për qind të tjerë.
Në Britani, një fushatë ka nisur që bën thirrje për lirimin e faturave të energjisë në nivele më të përballueshme dhe po u bëhet thirrje qytetarëve që të ndalojnë pagesat direkte për energji që nga tetori. /rel/
Moti i keq me reshje shiu në Shqipëri, apel shoferëve për ku...
Tërmet në Gjirokastër
Putin paralajmëron se Rusia do të vazhdojë të testojë raketë...
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shënojnë Ditën e Alfabetit
Aksident me fatalitet në Krushë të Madhe, vdes një këmbësor
Reagon për herë të parë Diana pas largimit nga Big Brother V...