Kur ka nisur të qarkullojë në rrjet filmimi që tregonte çastet e fundit të jetës së George Floyd, shumë e kanë parë të zënë pre e habisë dhe e përbuzjes. Një afroamerikan 46 vjeçar, Floyd ka ndërruar jetë më 25 maj, i mbytur teksa një agjent policie i Minneapolis i shtypte qafën me gju gjatë një arrestimi. Por pak lanë provuar të njëjtin familjaritet të tmerrshëm që ka ndjerë Valerie Castile. 4 vite më parë kishte parë një filmim të ngjashëm, ku djali i saj Philando ndërronte jetë pasi një polici e kishte qëlluar gjatë një kontrolli rrugor në periferinë e Minneapolis. Vdekja e tij kishte hedhur benzinë në zjarrin e debatit kombëtar lidhur me përdorimin e forcës ndaj zezakëve nga ana e policisë dhe autoritetet e Minnesota kishin premtuar reforma. Atëhere, pyet Castile, pse tani duhet shikuar një tjetër video e një afroamerikani që vdes nga dora e policisë? “Jam e shkatërruar, e kam zemrën e copëtuar”, rrëfen duke folur për vdekjen e Floyd. “Pyetja është gjithmonë e njëjta: pse? Pse vazhdon të ndodhë e gjitha kjo? Pse askush nuk i paguan pasojat?”.
Mollë të kalbura
Për t’ju përgjigjur pyetjes së Castile dhe kuptuar sesi ka mundësi që ndryshimi është kaq i ngadaltë, Marshall Project ka analizuar tentativat reformuese të forcave të policisë nga ana e autoriteteve të Minneapolis e të Minnesota, një shtet me shumicë të bardhë. Opinionet e ekspertëve, dokumentat gjyqësore, dështimi i projektligjeve dhe një raport i 2015 i Departamentit të Drejtësisë lidhur me punën e policisë së Minneapolis mëshojnë të gjitha në të njëjtin drejtim: edhe pse janë bërë disa modifikime, organet e ngarkuara nuk kanë as të individualizojnë e as të largojnë nga shërbimi agjentët fajtorë për shkeljet. Veç kësaj, nuk kanë qenë të afta të fiksojnë kritere të qarta lidhur me përdorimin e forcës dhe mbi teknikën e zgjidhjes paqësore të konflikteve. Sipas disa vëzhguesve vendorë drejtoria e policisë e Minneapolis nuk i ka futur ndryshimet e sugjeruara nga autoritetet federale për të larguar mollët e kalbura. Të paktën 2 policë të përfshirë në vrasjen e Floyd, midis të cilëve ai që i ka vënë gjurin në qafë, në të kaluarën kanë qenë objekt ankesash. Veç kësaj, departamenti ka vazhduar të autorizojë kapjet në fyt, në disa rrethana deri me objektivin për të vrarë. “Në fund gjithçka reduktohet në përkufizimin e “përdorimit të arsyeshëm të forcës””, nënvizon Castile. “Çfarë kishte të arsyeshme në faktin që njëri prej tyre ka ushtruar thuajse 100 kilogram presion mbi qafën e atij njeriu?”, pyet ajo.
Në Minneapolis, ku sipas censusit të fundit afroamerikanët përfaqësojnë 1/5 e popullsisë, nevoja e një reforme të forcave policore ishte tashmë evident qysh më 2012, kur drejtorja e atëhershme e policisë Janeé Harteau, e sapoemëruar, premtoi se do të bënte ndryshime të mëdha. Harteau, drejtorja e parë e policisë grua dhe gei e deklaruar, ishte paraqitur si reformatore progresiste. Pak muaj pas emërimit, i kërkoi Departamentit të Drejtësisë që të shqyrtonte sjelljen e policisë së Minneapolis për të forcuar kontrollet ndaj efektivave dhe besimin e komunitetit. Departamenti i Drejtësisë e ka paraqitur “analizën diagnostikuese” të tij mbi qytetin në 2015, duke përshkruar një sistem “jashtëzakonisht joefikas” në individualizimin e efektivave problematikë. Raporti e këshillonte drejtorinë e policisë që të automatizonte sistemin që duhej të sinjalizonte shkeljet dhe alarmonte eprorët kur një efektiv grumbullonte shumë ankesa. Veç të tjerash, dokumenti sugjeronte që drejtoria të përmirësonte programin formues të bazuar mbi një alternativë lidhur me masat disiplinore.
Në rastin ku një efektiv ishte objekt ankese, programi u mundëson eprorëve që t’a fusin në seanca formuese lidhur me një aspekt të veçantë të politikës së drejtorisë në vend që ta pezullojnë apo t’i vendosin një masë disiplinore. Sipas Departamentit të Drejtësisë, programi ishte plot me “pasaktësi dhe konfuzion”. Harteau ka pranuar ta azhurnojë sistemin. Veç kësaj, ka reduktuar rrethanat ku agjentët autorizohen të vrasin një të dyshimtë. Në 2016 Departamenti ka rishkruar rregullin e tij lidhur me përdorimin e forcës, duke u përqëndruar mbi “shenjtërinë e jetës”, me rregulla të reja që u impononin efektivave të nëdrhynin për ta mdaluar një koleg që po kryente shkelje.
Këto hapa përpara, duke filluar nga kërkesa për një provimi nga ana e autoriteteve federale, janë lavdëruar nga mbështetës të ndryshëm të një reforme politike në nivel kombëtar. Por disa aspekte të rëndësishme janë anashkaluar: Drejtoria nuk ka riparë rregullat lidhur me kapjet në fyt, një teknikë ashpërsisht e kritikuar në të gjithë vendin për shkak të incidenteve vdekjeprurëse. Sot efektivat e policisë së Minneapolis janë ende të autorizuar që t’ia marrin frymën një të dyshuari deri sa ai të humbasë ndjenjat nëqoftëse konsiderojnë se po bën “rezistencë aktive”, siç saktësohet në rregullin e drejtorisë. Mbytja deri në vrasje konsiderohet e pranueshme kur përdorimi vdekjeprurës i forcës është i justifikuar. As Harteau, as drejtoria e policisë nuk kanë dashur të japin deklarat për këtë artikull.
Edhe Togeri Bob Kroll, President i Federatës së Efektivave të Policisë së Minneapolis, ka refuzuar që të komentojë. Kroll, që është i bardhë, është cituar në një çështje për diskriminim racial kundër drejtorisë së policisë të ngritur nga nga një grup agjentësh zezakë dhe hispanikë, midis të cilëve drejtori aktual i policisë. Denoncimi, që i përket vitit 2007, theksonte se Kroll kishte shpalosur haptazi një simbol suprematist në xhupin e tij prej motoçiklisti.
Forcë jo e justifikuar
Ditët e kaluara kryebashkiaku i Jacob Frey ka deklaruar se manovra e kryer ndaj Floyd nuk ishte e autorizuar dhe nuk duhej të zbatohej kurrë. Frey ka ftuar prokurorët vendorë që ta inkriminojnë Derek Chauvin, efektivin që është filmuar me gjurin mbi qafën e Floyd. Sipas Teresa Nelson, drejtuese ligjore e American Civil Liberties Union (ACLU) të Minnesota, Chauvin ka shkelur rregullin e drejtorisë së policisë lidhur me kapjet në fyt, pasi manovra e tij ka shkaktuar vdekjen e njeriut në një kontekst ku përdorimi i forcës vdekjeprurëse nuk ishte i justifikuar. Çastet e fundit e jetës së Floyd, ku vazhdonte të përsëriste se nuk po arrinte të merrte frymë teksa Chauvin i mëshonte mbi qafë, përbëjnë qartazi një shkelje të politiës së drejtorisë lidhur me “shenjtërinë e jetës”, ka shtuar Nelson, duke nëvizuar se edhe efektivat që kanë qenë të pranishëm pa ndërhyrë kanë shkelur rregullat e drejtorisë. “Kanë injoruar në mënyrë flagrante protokollin e ndërhyrjes. Por mbetet fakti që rregullat e drejtorisë mundësojnë që t’i humben ndjenjat një individi dhe ky është problem”, akuzon Nelson. “Shpresoj që nga kjo ngjarje të lindë një reformë konkrete”.
Sipas Nelson, modifikimet ndaj rregullave lidhur me përdorimin e forcës gjithsesi i kanë mundësuar drejtorisë së policisë që t’i shkarkojë të 4 efektivat e përfshirë në vdekjen e Floyd në harkun e 24 orëve, me një shpejtësi që në të kaluarën ishte jashtëzakonisht e rrallë në rastet e shkeljeve nga ana e policisë. Shumë vëzhgues konsiderojnë se rregullat lidhur me kapjen në fyt nuk janë aspekti i vetëm ku reforma e forcave të rendit të Minneapolis ka qenë joefikase. Të njëjtat dyshime kanë të bëjnë me sistemin që duhet të identifikojë “sjelljet problematike” nga ana e efektivave. Për momentin nuk është e qartë nëse drejtoria i ka ndjekur ndonjëherë rekomandimet federale lidhur me automatizimin e mekanizmit. “Nuk ua kanë referuar asnjëherë qytetarëve. Është frustruese”, rrëfen Chuck Turchick, aktivist për ndërgjegjësimin e forcave të rendit që ka qenë pjesë e komitetit të krijuar për të ndihmuar administratën në futjen e reformave federale. “Ka qenë qesharake”, kujton ai.
Drejtoria e policisë nuk ka dashur të sqarojë nëse në të kaluarën sistemi i alarmimit për shkeljet kishte sinjalizuar nëse Chauvin apo tri agjentët e tjerë e përfshirë në vdekjen e Floyd. Por regjistrat tregojnë se Chauvin dhe një prej efektivave të tjerë kanë qenë objekt ankesash të ndryshme. Nga dokumentat zyrtare rezulton se Chauvin, në shërbim prej 19 vjetësh, ka grumbulluar nja 10 ankesa nga ana e qytetarëve, por nuk ka marrë kurrë masa disiplinore. Dokumentat nuk tregojnë natyrën apo rëndësinë e ankesave dhe, duke qenë se regjistrat e aktivitetit formues nuk janë publikë, nuk është e qartë nëse Chauvin i është nënshtruar sesioneve formuese si alternativë ndaj ndëshkimeve.
Arkivat e mjeteve të informimit zbulojnë se në harkun e 6 viteve Chauvin është përfshirë në të paktën 3 episode ku një efektiv policie ka qëlluar ndaj një të dyshimti. Në 2006 Chauvin i është nënshtruar një lejeje me pagesë pasi ka marrë pjesë në një operacion ku një efektiv kishte vrarë një të dyshimtë të armatosur me thikë. Në 2008 ka qëlluar ndaj një 21 vjeçari të dyshuar se kishte rrahur një grua. Sipas të përditshmes “St. Paul Pioneer Press”, në atë rast efektivat kishin theksuar se njeriu kishte kërkuar t’i rrëmbente pistoletën Chauvin apo kolegut të tij dhe se në këtë pikë Chauvin kishte hapur zjarr. Në 2011 Chauvin ka marrë pjesë në një operacion ku një koleg ka qëlluar ndaj një njeriu që dipas dëshmitarëve i kishte duart lart dhe po dorëzohej. Avokati i Chauvin nuk ka dashur të japë deklarata. Sipas regjistrave bashkiakë Tou Thao, një prej efektivave të përfshirë në vdekjen e Floyd, ka qenë objekt i të paktën 6 ankesave. Në 5 raste nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese, ndërsa për të gjashtin është ende nën hetim. Në 2017 administrata vendore i ka paguar një dëmshpërblim prej 27000 dollarësh Lamar Ferguson, që kishte akuzuar Thao se i kishte thyer dhëmbët gjatë arrestimit. Në këtë rast Thao e kishte ndaluar Ferguson, që po shëtiste bashkë me shoqen e tij shtatzënë, për t’i kërkuar informacion lidhur me disa prej kushërinjve të supozuar të tij. Situata kishte degjeneruar menjëherë. Avokati i Thao nuk ka dashur të japë deklarata.
Ideja se drejtoria e policisë së Minneapolis ishte në pararojë të reformave ishte zhdukur tashmë shumë më përpara se vdekja e Floyd. Në korrikun e 2017 efektivi Mohamed Noor kishte vrarë Justine Ruszczyk Damond, një mësuese joge australiane që kishte njoftuar policinë për të denoncuar një përdhunim të mundshëm në afërsi të banesës së saj. Harteau ka dhënë dorëheqjen pak ditë më vonë. Somalo – amerikan, Noor është dënuar me 12 vjet burg pse ka vrarë Damond, një grua e bardhë. Administrata vendore ka paguar një dëmshpërblim prej 20 milion dollarësh familjes dhe avokatëve të Damond. Duke qenë se Noor nuk e kishte regjistruar episodin me gruan nëpërmjet videokamerës së tij, drejtoria ka azhurnuar protokollin e saj, që sot kërkon përdorimin e videokamerave në çdo ndërhyrje nga ana e trupës së policisë. Burime zyrtare referojnë se videokamerat e efektivave të përfshirë në vdekjen e Floyd qenë aktive gjatë operacionit.
Sugjerime të injoruara
Keith Ellison, Prokurori i Përgjithshëm i Minnesota, është deklaruar i përgjegjshëm për problemet që prej shumë kohësh prekin forcat e rendit të shtetit. “Deri më tani reformat kanë qenë me hope, të papërshtatshme apo deri të shtyra menjanë deri në tragjedinë e radhës”, ka deklaruar ai. “Kur nuk verifikohen episode dramatike, pas pak kohe reformat injorohen”. Sipas Ellison është i domosdoshëm një ndryshim politik dhe kulturor për ta rishëndoshur raportin midis policisë dhe komuniteteve të Minnesota, por një modifikim normativ gjithsesi mund të jetë i dobishëm. Pandemia e Covid-19 e ka ndaluar aktivitetin e një grupi pune “lidhur me rastet e përdorimit vdekjeprurës të forcës nga ana e forcave të rendit” i menaxhuar nga Ellison bashkë me komisariatin shtetëror e sigurisë publike. Në shkurt, grupi ka botuar 28 rekomandime, midis të cilave standarde të reja formuese dhe kërkesën për një hetim të pavarur lidhur me përdorimin vdekjeprurës të forcës.
Megjithatë, shumë prej ndyshimeve të propozuara duhet të miratohen nga parlamenti i Minnesota dhe, duke pasur parasysh të kaluarën e afërt, është e vështirë që të ecin përpara. Faktikisht, nga 2015 e deri më sot, parlamentarët shtetërorë kanë paraqitur më shumë se 10 propozime reforme të forcave të policisë, por asnjë nuk është miratuar. Disa prej tyre do t’i modifikonin rrënjësisht standardet lidhur me përdorimin e forcës dhe do të çonin në hapjen e hetimeve lidhur me incidentet vdekjeprurëse. Një tjetër propozim do të duhej të financonte aktivitetin formues për të tejkaluar paragjykimet raciale dhe mësuar teknikat e zgjidhjes paqësore të konflikteve efektivave të drejtorive më të mëdha të shtetit.
Disa prej propozimeve të Ellison do të përfshinin Peace Officers Standards and Training Board (POST), një agjenci shtetërore që menaxhon aftësimet e të gjitha forcave të rendit të Minnesota. Sugjerimet e Prokurorit të Përgjithshëm do t’i rrisnin aftësitë e POST-it për të pezulluar apo revokuar aftësimet. Sipas Ellison, në gjendjen aktuale agjencia nuk është në kushtet që të imponojë standadet e duhura dhe parlamenti shtetëror nuk ka dashur që miratojë ligjet që do t’ia jepnin këtë pushtet. “Në këto kushte, POST-i nuk është forcë ndryshimi, por formalitet”. Ellison, që gjatë 6 viteve të kaluara në parlament ka nënvizuar shumë herë problemet e lidhura me forcat e policisë, ka njoftuar se do të duhej të konsiderohej se prokurori shtetëror Mike Freeman po e menaxhon jo siç duhet vdekjen e Floyd, do t’i kërkonte guvernatorit që t’ia besonte rastin zyrës së prokurorit të përgjithshëm. Në këtë mënyrë Ellison mund të mbikëqyrë hetimet.
Pasditen e 28 majit, gjatë një konference për shtyp, Freeman ka deklaruar se “askush nuk duhet të sillet” si Chauvin, por ka saktësuar se “disa prova nuk tregojnë nevojën e një procesi penal”. Prokurori ka premtuar se “drejtësia nuk do të ngutet që të marrë një vendim”. Chauvin është arrestuar të nesërmen me akuzën e vrasjes, por nuk është e qartë nëse gjykimi do të mjaftojë për të ndaluar protestat e dhunshme që e kanë shtyrë guvernatorin të kërkojë ndërhyrjen e Gardës Kombëtare. Dhe nuk është e thënë që një proces penal mund të sjellë paqe në familjen e Floyd. Pas vdekjes së Philando Castile në 2016, efektivi Jeronimo Yanez është gjykuar për vrasje, por juria e ka nxjerrë të pafajshëm. Njerëzve si Valerie Castile, të dëshpëruar dhe të bindur se nuk ka ndryshuar asgjë, Ellison u thotë: “Mund t’i them vetëm një gjë Valerie: duhet ta provojmë. Nuk dua të theksoj se gjërat kanë ndryshuar, por mund të premtoj se do të bëjmë gjithçka për t’i ndryshuar”./bota.al/
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...