Nga Rexhep Tajip Erdogan
Këtë javë, udhëheqësit nga e gjithë bota janë mbledhur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, për të shkëmbyer pikëpamjet e tyre mbi problemet më emergjente që ka aktualisht njerëzimi. Tema kryesore e takimit të këtij viti “Ta bëjmë OKB-në të rëndësishme për të gjithë njerëzit”, është shumë domethënëse.
Ajo përmbledh sfidat e vërteta, me të cilat po përballet sot organizata. Pavarësisht nga puna e madhe e stafit të OKB-së në shumë agjenci të ndryshme, ky institucion po vuan nga një krizë e pashembullt e besueshmërisë. Arsyeja kryesore e problemeve aktuale të OKB, është dështimi i Këshillit të Sigurimit në mbajtjen e premtimit të tij, për promovimin e paqes dhe sigurisë në mbarë botën.
Nga Bosnja dhe Ruandë, nga Siria, Jemeni dhe Palestina, organi më i lartë vendimmarrës i Kombeve të Bashkuara, nuk i ka penguar mizoritë dhe nuk ka çuar para drejtësisë ata që janë përgjegjës për krimet e urryera. Nën vëzhgimin e OKB-së, regjimet autoritare në mbarë botën kanë përdorur armë konvencionale, dhe armë të shkatërrimit në masë kundër civilëve të pafajshëm.
Disa regjime kanë kryer madje genocid, pa u përballur me pasoja. Kombet e Bashkuara kanë dështuar edhe me miliona fëmijë që vuajnë nga varfëria ekstreme dhe kequshqyerja, dhe siç e njeh Turqia shumë mirë, nuk ka qenë në gjendje të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të lehtësuar vuajtjet e refugjatëve.
Lista vazhdon, por është e qartë se Kombet e Bashkuara, që synonte të ishte “zemra” e njerëzimit, nuk ka më puls. Ndër kritikët e organizatës, dy kampet kryesore janë të ndara mbi atë se çfarë duhet bërë. Në grupin e parë janë vende të tilla si Turqia dhe Gjermania, që dëshirojnë ta reformojnë OKB-në për të adresuar mangësitë e saj.
Kampi i dytë është më i vogël dhe përfshin Shtetet e Bashkuara. Ky kamp, preferon të shfrytëzojë dobësitë e Kombeve të Bashkuara për të minuar rendin liberal ndërkombëtar. Merrni, për shembull, vendimin e fundit të presidentit të SHBA-së Donald Trump, për t’u tërhequr nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së; për t’u tërhequr nga UNESCO-ja, organizmi i OKB-së për bashkëpunim arsimor, shkencor dhe kulturor; dhe shkurtimi i fondeve për UNRËA, agjencinë e ndihmës për palestinezët.
Të martën, Trump e përshkroi qëndrimin e tij si një “politikë të realizmit parimor” në Asamblenë e Përgjithshme. Në një kohë kur lidershipi global është i nevojshëm, është e rëndësishme të përmirësohen Kombet e Bashkuara, në vend se të shkatërrohet ky organizëm.
Në rast se fuqitë e mëdha nuk janë të gatshme të marrin përgjegjësi; nëse një pjesë e vogël e vendeve që vjelin përfitimet e sistemit ndërkombëtar ekzistues nuk duan të angazhohen për reforma; dhe nëse disa nga arkitektët e OKB-së, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të dëmtojnë multilateralizmin duke ndërmarrë hapa gjithnjë e më të njëanshme, do të jetë koha për të ripërcaktuar udhëheqjen globale.
Ne duhet t’i japim fund monopolit të një numri të vogël kombesh, dhe të promovojmë udhëheqjen kolektive të vendeve që synojnë të zgjidhin sfidat kyçe globale. Nëse fuqitë e mëdha nuk janë të gatshme ose nuk munden të veprojnë, bashkësia e kombeve, nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara apo organizatave të tjera, duhet të bëjë atë që është e nevojshme.
Një anëtare e atij komuniteti do të jetë Turqia. Gjatë dy dekadave të fundit, vendi ynë është fokusuar në ngritjen e profilit të çështjeve të neglizhuara deri tani. Në vitin 2013, Turqia nisi një fushatë për të theksuar se “bota është më e madhe se sa pesë”, një referencë për 5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ajo paralajmëroi se Kombet e Bashkuara po përjetonin një krizë serioze besueshmërie, dhe u kërkoi të gjitha palëve të ndërmarin hapa për ta bërë organizatën më demokratike, të barabartë dhe multilaterale. Unë vazhdoj të nxis bashkësinë e kombeve, të shfuqizojë praktikën e anëtarësimit të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të rrisë numrin e anëtarëve të tij në 20, dhe të miratojë ur rregulla të reja nën të cilat të gjitha kombet do të kenë me rradhë vendin e tyre në këtë institucion.
Edhe pse Turqia nuk është një superfuqi ushtarake apo ekonomike, ajo është shfaqur si një udhëheqëse globale, duke u bërë pjesë e zgjidhjes në Irak, Siri dhe gjetkë. Sot, ajo është shtëpia e 4 milionë refugjatëve, duke përfshirë 3.5 milionë sirianë, dhe ndër donatoret më të mëdha të ndihmës humanitare në botë.
Të tjerët në bashkësinë ndërkombëtare duhet të bëjnë pjesën e tyre, por shkalla e krizës së refugjatëve, tregon se është e pamundur të zgjidhen problemet e ngutshme, pa punuar bashkë përmes organizatave të tilla si OKB. Nëse fuqitë botërore nuk do të ndihmojnë, pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare duhet t’i marrë punët në duart e veta, dhe të fillojë një proces gjithëpërfshirës të reformimit të Kombeve të Bashkuara.
Tek e fundit, ne nuk besojmë se për të ndërtuar një sistem ndërkombëtar më të përshtatshëm, duhet ta çmontojmë tërësisht rendin aktual. Njerëzit nga e gjithë bota, kanë detyrimin për t’u bashkuar dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të promovuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë për gjithë njerëzimin.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, duhet të jetë më shumë se sa thjeshtë një vend ku udhëheqësit e botës mbajnë fjalime dhe shprehin ankesa. Ky duhet të jetë viti, kur duhet të hedhim themelet e një sistemi të ri të Kombeve të Bashkuara.
Konjufca pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedon...
Del video ku Edi dhe Driloni kanë ofenduar Sarën
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’