Dhjetëra mijëra protestues bllokuan të martën autostradat dhe stacionet e trenave si dhe u mblodhën në Tel Aviv gjatë një dite protestash mbarëkombëtare kundër planit të debatueshëm të Kryeministrit Benjamin Netanyahu për reformimin e gjyqësorit.
Protestat, tashmë në muajin e shtatë, janë shtuar gjatë ditëve të fundit ndërsa zoti Netanyahu dhe aleatët e tij në parlament po përparojnë me planin e reformës.
Projektligji i parë i kësaj pakete – që synon të kufizojë kompetencat mbikëqyrëse të Gjykatës së Lartë – mund të bëhet ligj që javën e ardhshme.
Trazirat lanë disi në hije edhe vizitën në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, i cili u ftua në Uashington për të festuar 75 vjetorin e Izraelit.
Zoti Herzog, një politikan i qendrës, është përfshirë në përpjekjet jopublike për të ndërmjetësuar një kompromis për reformën e gjyqësorit, që ka tensionuar marrëdhënien mes zotit Netanyahu dhe Presidentit amerikan Joe Biden.
Nuk ishte e qartë nëse zoti Herzog, një ish-rival politik i zotit Netanyahu dhe që ka treguar pak entuziazëm për planin e reformimit, do të mundohej t’i afronte dy udhëheqësit.
Zoti Netanyahu dhe aleatët e tij thonë se reforma është e nevojshme për të vendosur nën kontroll pushtetin e një gjyqësori të pazgjedhur me votë – në veçanti Gjykatën e Lartë – që ata besojnë se bën ndërhyrje të tepruara tek vendimet e qeverisë.
Kundërshtarët e tyre, që përfaqësojnë segmente të gjera të shoqërisë izraelite, thonë se plani është një zaptim pushteti nga zoti Netanyahu dhe aleatët e tij ultra-ortodoksë, që do të shkatërrojë sistemin delikat të kontrollit dhe balancës në vend.
Ata gjithashtu thonë se kryeministri, i cili po gjykohet për akuza korrupsioni, dhe aleatët e tij kanë pakënaqësi të ndryshme ndaj sistemit gjyqësor.
Gjatë të martës të mbiquajtur “dita e ndërprerjes”, protestuesit bllokuan autostradat kryesore dhe u mblodhën përpara bursës së Izraelit dhe shtabit të ushtrisë. Drejtuesit e sipërmarrjeve kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se një sistem i dobësuar ligjor do të largojë investitorët e huaj.
Rezervistët në njësi kyçe ushtarake, ndër ta pilotë të forcave ajrore dhe agjentë të luftës kibernetike, kanë kërcënuar se nuk do të paraqiten në detyrë.
“Kjo qeveri është krejtësisht e çmendur. Kemi frikë për demokracinë tonë, për gjithçka që kemi ndërtuar – kjo është arsyeja pse ne të gjithë jemi këtu duke luftuar”, tha Itai Bar Natan, 48 vjeç, drejtues në fushën e teknologjisë së lartë, i cili mbante një flamur me mbishkrimin “Bashkëluftëtarët”, një slogan i përdorur nga rezervistët e ushtrisë gjatë protestave.
Demonstruesit, shumë prej tyre rezervistë, bllokuan një nga hyrjet në komandën ushtarake të Izraelit në qendër të Tel Avivit./voa/
Hoxhaj uron Trumpin: Kosova, një mik i palëkundur i SHBA-së
Begaj uron Trumpin: Shqipëria vlerëson miqësinë me SHBA-të
Arrestohet një person në Ranoc të Klinës, iu gjet në veturë ...
Sveçla priti ambasadoren e re të Holandës në Kosovë, Karin B...
Dita e ndeshjeve në Ligën e Kampionëve/ Vëmendja në derbin I...
Haradinaj: Nën udhëheqjen e Trump, Kosova ka krijuar ushtrin...