Prokurorët amerikanë që ndjekin në mënyrë intensive autorët e sulmit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara kanë identifikuar gati 300 individë të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunshme që lanë të vdekur pesë persona, njoftuan zyrtarët të premten.
Numri i të dyshuarve nën hetim – 275 që nga e premtja në mëngjes – pritej të kalonte 300 deri në fund të ditës dhe të rritej në mënyrë eksponenciale në ditët në vijim, tha Michael Sherwin, ushtrues i detyrës së prokurorit për Distriktin e Kolumbias.
Zyra e zotit Sherwin po udhëheq një hetim të gjerë që përfshin qindra prokurorë dhe agjentë të FBI-së që përpiqen të identifikojnë dhe të ngrenë akuza ndaj mbështetësve të Presidentit Donald Trump që sulmuan Kapitolin javën e kaluar. Duke komplikuar punën e tyre, pothuajse të gjithë, përveç një numri të vogël protestuesish, u lejuan të largoheshin nga Kapitoli ditën e trazirave, dhe besohet se kanë udhëtuar përsëri drejt shteteve të tyre të origjinës.
Prokurori në detyrë për Distriktin e Kolumbias, Michael Sherwin
Deri më sot, zoti Sherwin u tha gazetarëve gjatë një tele-konference, se prokurorët kanë ngritur 98 çështje penale në lidhje me trazirat, shumica e tyre për vepra penale.
Autoritetet në disa raste u mbështetën fillimisht në akuza për shkelje për të arrestuar protestuesit, por “ndërsa hetimi vazhdon, ndërsa ditët dhe javët përparojnë, ne po shohim akuza më të rëndësishme për vepra penale”, tha zoti Sherwin.
Akuzat për krim variojnë që nga sulmi ndaj një oficeri të zbatimit të ligjit deri te konspiracioni për rebelim, një akuzë që mbart deri në 20 vjet burg.
Steven D’Antuono, ndihmës drejtori i FBI-së për zyrën në terren në Uashington, tha se më shumë se 100 të dyshuar janë marrë në paraburgim në të gjithë vendin. FBI-ja realizoi më shumë se 40 nga këto arrestime, tha ai.
“Ne kemi ndjekur në mënyrë metodike të gjitha udhëzimet për të identifikuar ata që janë përgjegjës dhe për t’i vënë ata para përgjegjësisë”, tha zoti D’Antuono.
Midis të pandehurve të akuzuar rishtazi, zoti Sherwin përmendi Peter Francis Stager-in, një burrë nga Arkansasi i cili u kap në video duke rrahur një oficer policie me një shtizë flamuri brenda Kapitolit. Zoti Stager u akuzua të enjten për sabotim, pengim dhe ndërhyrje ndaj një oficeri policie gjatë një çrregullimi civil.
“Unë mendoj se kjo është me të vërtetë kulmi i hipokrizisë, që [ai] po rrihte oficerin [një oficer të Policisë Metropolitane] me një shtizë flamuri dhe në skajin tjetër të asaj shtize ishte lidhur flamuri amerikan”, tha zoti Sherwin.
Disa anëtarë aktualë dhe të mëparshëm të forcave të zbatimit të ligjit dhe ushtrisë janë arrestuar gjithashtu nën akuza për trazirat në Kapitol. Të mërkurën, Jacob Fracker dhe Thomas Robertson – dy oficerë jashtë orarit të detyrës nga Rocky Mount, Virginia, të cilët dyshohet se udhëtuan 200 milje për të marrë pjesë në ngjarje – u arrestuan dhe u akuzuan në gjykatën federale.
Në nëntë ditët që nga sulmi, FBI-ja ka marrë nga publiku më shumë se 140’000 video dhe fotografi të trazirave, tha zoti D’Antuono, duke shtuar se indiciet rezultuan thelbësore për identifikimin e disa prej fajtorëve.
Paralajmërimet nga FBI-ja në lidhje me protesta të armatosura në Uashington, si dhe në të gjithë 50 kryeqytetet e shteteve amerikane, kanë çuar në masa të pashembullta sigurie në kryeqytetin e vendit përpara inaugurimit të zotit Biden të mërkurën./VoA/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...