Të shtunën në Atlanta protestuesit bllokuan një autostradë kryesore dhe dogjën një restorant “Wendy”, vendi ku një afrikano-amerikan u qëllua për vdekje nga policia ndërsa po përpiqej t’i shpëtonte arrestimit.
Restoranti qëndroi mes flakësh për më shumë se 45 minuta përpara se zjarrfikësit të mbërrinin në vendngjarje. Të tjerë demonstrues marshuan në një tjetër autostradë (Interstate-75), duke bllokuar trafikun. Policia rreshtoi disa makina në një përpjekje për të ndaluar protestuesit.
Më herët gjatë ditës së shtunë shefja e policisë së qytetit, Erika Shields dha dorëheqjen lidhur me ngjarjen që çoi në vdekjen mbrëmjen e së premtes të 27-vjeçarit Rayshard Brooks. Departamenti i policisë ka shkarkuar oficerin i cili dyshohet se qëlloi e vrau zotin Brooks, njoftoi zëdhënësi i policisë Carlos Campos të shtunën vonë në mbrëmje.
Një tjetër oficer, i cili gjithashtu dyshohet të jetë i përfshirë në incident është pezulluar nga detyra. Oficeri i Atlantës i pushuar pas incidentit të së premtes u identifikua nga departamenti i policisë si Garrett Rolfe. Sipas Byrosë së Hetimit të shtetit Xhorxhas oficerët e policisë i ishin përgjigjur një ankese se një burrë po flinte në një makinë duke bllokuar një nga korsitë që të çonin drejt restorantit (Wendy).
Zyrtarët thanë se zoti Brooks i kishte rezistuar përpjekjeve të oficerëve për ta arrestuar. Të shtunën Byroja publikoi pamje filmike lidhur me ngjarjen. Pamjet tregojnë një burrë që përpiqet t’u largohet dy oficerëve të policisë ndërsa në një dorë mban një objekt dhe duket se e drejton ndaj një oficeri që ndodhet disa hapa pas tij. Më pas oficeri qëllon në drejtim të personin që është duke vrapuar dhe ky i fundit bie në tokë në parkimin e restorantit. Drejtori i Byrosë së Hetimit Vic Reynolds tha se zoti Brooks i kishte rrëmbyer njërit prej policëve nje pajisje që shërben si armë elektrike dhe dukej se ia kishte drejtuar atë oficerit te policisë ndërsa vraponte, gjë që shkaktoi sipas zyrtarëve reagimin e oficerit, i cili gjuajti në drejtim të tij me armë zjarri tre herë. Pamjet filmike të regjistruara nuk e tregojnë ndërveprimin fillestar të zotit Brooks me policinë.
Vdekja e zotit Brooks vjen pas disa javë demonstratash në disa qytete të mëdha të vendit të nxitura nga vdekja e George Floyd, një afrikano-amerikani që vdiq më 25 maj ndërsa ndodhej në duart e policisë./VOA/
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...
Rron Broja, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...