Dhjetëra mijëra izraelitë mbushën rrugët e qyteteve anembanë vendit të dielën në mbrëmje, në një shfaqje spontane indinjate pasi kryeministri Benjamin Netanjahu shkarkoi befasisht ministrin e tij të mbrojtjes pasi ai sfidoi planin e udhëheqësit izraelit për reformën e gjyqësorit.
Protestuesit në Tel Aviv bllokuan një autostradë kryesore dhe ndezën zjarre të mëdha, ndërsa policia u përlesh me protestuesit që u mblodhën para shtëpisë së zotit Netanjahu në Jeruzalem dhe në një moment të caktuar thyen kordonin e sigurisë.
Trazirat thelluan një krizë disamujore mbi planin e kryeministrit Netanjahu për të bërë ndryshime të thella në sistemin gjyqësor, gjë që ka shkaktuar protesta masive, ka alarmuar udhëheqësit e biznesit dhe ish-krerët e sigurisë dhe ka ngjallur shqetësime tek Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të ngushtë.
Shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, sinjalizoi se kryeministri dhe aleatët e tij do të vazhdojnë këtë javë me hapat e planit për ndryshime. Zoti Gallant ishte anëtari i parë i lartë i partisë Likud në pushtet që foli kundër reformës, duke thënë se ndasitë e thella po kërcënonin të dobësonin ushtrinë.
Por pasi një mori protestesish vërshuan në rrugët deri në orët e vona të natës, ministrat e partisë Likud filluan të shfaqin gatishmërinë për t’u tërhequr. Ministri i Kulturës Micky Zohar, një person i besuar i zotit Netanjahu, tha se partia do ta mbështeste nëse ai vendos të ndalojë ndryshimet në gjyqësor.
Në një deklaratë të shkurtër, zyra e zotit Netanjahu tha të dielën vonë se kryeministri kishte shkarkuar zotin Gallant. Kryeministri Netanjahu më vonë shkroi në Twitter se “ne të gjithë duhet të qëndrojmë të fortë para kundërshtimit.”
Dhjetëra mijëra izraelitë dolën në rrugë në protestë pas njoftimit të zotit Netanjahu, duke bllokuar arterien kryesore të Tel Avivit, duke e shndërruar autostradën Ayalon në një det flamujsh izraelitë bardhë e blu dhe duke ndezur një zjarr të madh në mes të rrugës.
Demonstrata u zhvilluan në Beersheba, Haifa dhe Jeruzalem, ku mijëra vetë u mblodhën para rezidencës private të zotit Netanjahu. Policia u përlesh me protestuesit dhe përdori pompa me ujë për të shpërndarë turmën i. Më pas mijëra vetë marshuan nga rezidenca e tij drejt Knessetit, parlamentit të vendit.
Konsulli i Përgjithshëm i Izraelit në Nju Jork tha se po jepte dorëheqjen për shkak të shkarkimit.
Shtetet e Bashkuara thanë se ishin thellësisht të shqetësuara nga ngjarjet e së dielës dhe theksuan nevojën urgjente për kompromis, duke përsëritur thirrjet për të mbrojtur vlerat demokratike./VOA
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...