Ndërsa Shteti Islamik ndodhet në prag të humbjes së territoreve të tij në brendësi të Sirisë dhe Irakut, gjithashtu po dështojnë përpjekjet e grupit për të fituar luftën e informacionit.
Analistët thonë se propaganda e ISIS-it ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Ndërsa propagandistët e saj nuk mund të pretendojnë më për fitore ushtarake, ata e kalojnë vëmendjen tek sulmet frymëzuese jashtë vendit. Zërit i Amerikës foli me një ekspert të terrorizmit, i cili ka ndjekur ndryshimet në luftën e Shtetit Islamik në media.
Një video e fundit realizuar nga krahu mediatik i Shtetit Islamik.
“Duket se është filmuar në Raka. Ata po përpiqen ta portretizojnë ushtrinë e Shtetit Islamik si një makinë ende profesionale, të aftë dhe të mirëmbajtur. Por thjesht, janë tre vetë në një kamion në një qytet të braktisur. Është shumë larg asaj që realizonin dikur”, thotë Charlie Winter me Qendrën për Studime të Radikalizimit.
Charlie Winter ka studiuar propagandën e Shtetit Islamik që në fillimet e grupit.
“Shteti Islamik është shumë më pak produktiv nga sa ç’ka qenë. Duket sikur dikush ka shtypur butonin e heshtjes tek propagandistët. Por në tetor, ishte periudha kur vërtet u shua propaganda dhe mendoj se kjo ishte si pasojë e shkatërrimeve të një qendre apo disa qendrave të medias përreth Rakës dhe Majadinit në Siri”.
Territori që mbahet nga Shteti Islamik është zvogëluar në një fraksion të zonës që ata kontrollonin vetëm një vit më parë. Pra ka shumë më pak material që mund ta shfrytëzojë për media.
Forcat e koalicionit që luftojnë ISIS-in kanë mësuar gjithashtu rëndësinë e propagandës së grupit. Media e tyre është vënë në shënjestër si në terren ashtu edhe online. Zoti Winter thotë se militantët po rikalibrojnë pritshmëritë e pasuesve të tyre në fitore – nga ëndrrat e një kalifati islamik, në thjesht mbijetesë.
“Edhe nëse nuk ka territor, ende ka ideologjinë, ka ende përkrahësit, ende ka besimtarët e vërtetë që vrasin veten në emër të grupit.”
Në vitet e mëparshme, propaganda e ISIS-it kishte për qëllim joshjen e besimtarëve të huaj për të jetuar në utopinë e supozuar islame.
“Ata nuk po bëjnë më thirrje që njerëzit të shkojnë në Irak dhe Siri. Në vend të kësaj, ata po dyfishojnë përpjekjet për të frymëzuar njerëz që të kryejnë operacione në vendet e tyre.”
Kjo është ajo ku propaganda e Shtetit Islamik po përpiqet të kërkojë sukses. Megjithëse ka pak prova për lidhje të drejtpërdrejta, grupi trumpeton se ai ka aftësinë për të frymëzuar sulmet terroriste kudo në botë, siç janë seria e sulmeve me automjete në Londër dhe qytete të tjera evropiane si dhe në Nju Jork në tetor.
Kjo sjell një përgjegjësi të madhe në median globale të ISIS-it që zoti Winter thotë se po mbështet në mënyrë efektive Shtetin Islamik edhe kur grupi po mposhtet në fushën e betejës.
“Si përgjigjet media globale ndaj këtyre operacioneve. Gjithnjë e më shumë ata do të bëhen pjesa jetësore e Shtetit Islamik. Ata do të jenë mjeti që e mban lart grupin, si ideologji, si lëvizje dhe si organizatë.”
Në videon e fundit t publikuar nga Shteti Islamik thuhet se gadishulli Sinai në Egjipt do të bëhet pjesë e territorit të tij. Luftëtarët e Shtetit Islamik sulmuan një xhami në rajon javën e kaluar duke vrarë më shumë se 300 njerëz./VoA/
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...