Pronarja e një dyqani në Iran dënohet me dy vjet burgim, pasi u fotografua pa shami

16:09 | 5 Janar 2024
E.K

Pronarja e një dyqani në Iran është dënuar me dy vjet burgim, për shkak se kishte publikuar fotografi pa shami në kokë, tha të premten rrjeti amerikan për të drejtat e njeriut, HRANA.

Sipas NRANA, Zeinab Khenyab Pour ishte dënuar në fillim të dhjetorit me tre muaj burgim, në një rast tjetër për “propagandë kundër shtetit”.

Zeinab, e cila vjen nga jugperëndimi i Iranit, kishte tërhequr vëmendje të madhe gjatë protestave gjithëkombëtare, kur autoritetet ia kishin mbyllur dyqanin.

Në shtator 2022, vdekja e gruas së re kurde, Mahsa Amini, nxiti protestat më të mëdha në historinë e Republikës Islamike.

Për disa muaj rresht, të rinjtë dolën nëpër rrugë për të demonstruar kundër sundimit islamik.

Amini vdiq në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, ku po mbahej pasi ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës, apo hixhabin.

Protestat e humbën gjallërinë dalëngadalë kah fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë.

Qindra protestues u vranë dhe mijëra u arrestuan, sipas aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme