Prokurori i posaçëm, Robert Mueller po shqyrton mundësinë të intervistojë Presidentin amerikan Donald Trump lidhur me shkarkimin e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey dhe ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn si pjesë e hetimit të tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Prokurori Mueller po heton nëse zoti Trump pengoi drejtësinë. Hetimet kanë në bazë deklaratën e zotit Comey, se në fillim të vitit 2017, presidenti i kishte kërkuar të mbyllte hetimin për kontaktet e zotit Flynn me ambasadorin e atëhershëm rus në Uashington. Kontaktet kishin ndodhur disa javë para se zoti Trump të merrte detyrën. Disa muaj pas ardhjes në pushtet, presidenti e shkarkoi ish-drejtorin e FBI-së i cili në atë kohë kryesonte hetimet për Rusinë.
Sipas njoftimeve në mediat amerikane, nuk dihet nëse Presidenti Trump do të bjerë dakord të intervistohet, kur mund të bëhet intervista dhe nëse po, në çfarë formati: me shkrim apo personalisht.
Ai i ka hedhur vazhdimisht poshtë sugjerimet se ka patur bashkëpunim të fshehtë midis këshilltarëve të tij gjatë fushatës dhe zyrtarëve rusë për ta ndihmuar atë që të fitonte në zgjedhje.
Para disa muajsh, zoti Trump tha se do të ishte “100 për qind” dakord të takohej me hetuesit e ekipit të zotit Mueller, por së fundmi ka ngritur pyetje se pse do të ishte e nevojshme një intervistë, derisa nuk ka patur “bashkëpunim”.
Kërkesa e zotit Mueller ndaj avokatëve të zotit Trump për ta pyetur presidentin lidhur me shkarkimin e zotit Flynn, për shkak se gënjeu nënpresidentin Mike Pence lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin Sergey Kislyak; bisedat me zotin Comey, për të hequr dorë nga hetimi i ish-këshilltarit Flynn dhe shkarkimi më pas i zotit Comey, lënë të kuptohet se Prokurori i Posaçëm Mueller po fokusohet tani tek çështja e pengimit të drejtësisë.
Presidenti Trump ka mohuar t’i ketë kërkuar zotit Comey që të heqë dorë nga hetimin i zotit Flynn, duke e quajtur këtë pohim “një gënjeshtër”./VoA/
Hamza i PDK-së: Pensionet e moshës do të rriten 70%
Hiqet ndalesa për kamionë në rrugën Tetovë-Kodra e Diellit
Arrestohet gjenerali i Assad, përgjegjës për dhënien e mijër...
Lukashenka fal 20 të burgosur
Gërvalla: Liberalizimi i vizave si rezultat i luftës ndaj ko...
“Sonte nuk jom ‘kingu’, jom baba”, Gjesti flirtues ndaj Xhen...