Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale tha të hënën se po kërkon urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, ministrin e mbrojtjes dhe tre udhëheqësit kryesorë të Hamasit në lidhje me veprimet e tyre gjatë luftës shtatë-mujore midis Izraelit dhe Hamasit.
Ai akuzoi qeverinë e Izraelit se, ndër të tjera, ka përdorur urinë si mjet lufte. Ndërsa për udhëheqësit e Hamasit, veç sulmit më 7 tetor në Izraelin jugor, Kryeprokurori Khan thotë se ka arsye të besohet se pengjet izraelite janë përdhunuar gjatë mbajtjes në Rripin e Gazës.
Zyrtarët izraelitë e kanë akuzuar zotin Khan se me kërkesën e tij për urdhër-arreste ka barazuar luftën për mbrojtje të Izraelit me sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor.
Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare tha të hënën se ka kërkuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, shefin e tij të mbrojtjes dhe tre udhëheqës të Hamasit për krime të dyshuara lufte.
Zoti Khan thotë se Kryeministri Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Gallant, mbajnë përgjegjësi për krimet e luftës të kryera në siç tha ai, ‘territorin e shtetit të Palestinës’ nga të paktën 8 tetori i vitit 2023.
“Krimet përfshijnë shfrytëzimin e urisë si mjet lufte, trajtimin mizor, vrasjet dhe sulmet e qëllimshme kundër popullsisë civile; si dhe krimetkundër njerëzimit, persekutim dhe krimevpërmes veprave të tjera çnjerëzore”, tha zoti Khan.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk ka reaguar ende ndaj vendimit, por në fund të muajit prill ai foli për mundësinë e urdhër arresteve kundër zyrtarëve izraelitë.
“Është e qartë se ky kërcënim nga Gjykata Ndrëkombëtare Penale nuk është një përpjekje për të zbatuar ligjin. Izraeli nuk i nënshtrohet juridiksionit të gjykatës dhe ka një sistem ligjor të pavarur që heton të gjitha shkeljet e ligjit. Përkundrazi, kjo përpjekje është për të paralizuar aftësinë e Izraelit për të mbrojtur veten”, tha zoti Netanyahu më 30 prill.
Qëndrim të ngjashëm mbajti të hënën edhe ministri pa portofol i qeverisë së Izraelit, Benny Gantz.
“Pranimi i qëndrimit të prokurorit, do të dëmtonte aftësinë e çdo vendi për të mbrojtur qytetarët e tij dhe do të përbënte një krim me përmasa historike”, tha ai.
Kërkesën për urdhër arrest e dënoi edhe udhëheqësi i opozitës së Izraelit, Yair Lapid i cili kërkoi ndërhyrjen e Kongresit amerikan kundër kërkesës.
Megjithatë zoti Khan nuk pajtohet.
“E drejta për t’u mbrojtur nuk e liron Izraelin nga detyrimi për të respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha zoti Khan.
Në lidhje me veprimet e Hamasit më 7 tetor, Kryeprokurori Khan tha se i ka parë vetë skenat shkatërruese të sulmeve dhe ndikimin e thellë të krimeve. Duke folur për përgjegjësitë e udhëheqëve të Hamasit, zoti Khan përmendi edhe krimet seksuale të kryera ndaj pengjeve izraelite që janë mbajtur në Gazë.
“Zyra ime gjithashtu parashtron sot se ka arsye për të besuar se pengjet janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe se disa i janë nënshtruar dhunës së tmerrshme seksuale, përfshirë përdhunimin, gjatë kohës që janë mbajtur në robëri”.
Izraeli nuk është anëtar i gjykatës dhe, edhe nëse urdhër-arrestet lëshohen, Kryeministri Netanyahu dhe ministri Gallant nuk përballen me ndonjë rrezik të menjëhershëm për ndjekje penale. Megjithatë, njoftimi i Kryeprokurorit Khan thellon izolimin e Izraelit teksa ai vazhdon luftën dhe urdhëri i arrestit mund ta bëjë të vështirë për udhëheqësit izraelitë udhëtimin jashtë vendit.
Dy udhëheqës të Hamasit, Sinwar dhe Deif besohet se fshihen në Gazë dhe Izraeli përpiqet t’i kapë apo vrasë ata. Drejtuesi i tretë, Haniyeh, udhëheqësi suprem i grupit militant islamik, jeton në Katar dhe shpesh udhëton në të gjithë rajonin.
Kërkesa e zotit Khan duhet miratuar nga një trup gjykues prej tre gjyqtarësh, të cilëve u duhen mesatarisht dy muaj për të shqyrtuar provat dhe për të përcaktuar nëse mund të vazhdojë procesi./VOA
Foda: Kosova më nuk do të tolerojë të ofendohet
Pacolli: Ministër Peci, reagimi emocional mund të japë përsh...
Mos e përdorni këtë fjalëkalim pasi hakerit do t’i duhet vet...
Reali do ta huazojë Endrickun, pesë klube pas yllit brazilia...
Vazhdon debati mes Edit dhe Gresa, sherr rrobat
Biden në takimet e fundit në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomi...