Prokurorët marrin në pyetje kryeministrin Conte mbi masat e hershme për COVID-19

00:43 | 13 Qershor 2020
Trina Galanxhi

Prokurorët morën në pyetje kryeministrin italian, Giuseppe Conte të premten në lidhje me masat e marra nga qeveria për pandeminë.

Kryeministri u pyet për një vendim të qeverisë për të mos vendosur masat e izolimit, dy javë më herët, në dy qytete në rajonin e Lombardisë. Ky rajon më pas u bë një nga epiqendrat e shpërthimit të koronavirusit në Itali.

“Sot dëgjuam si persona të informuar për faktet, kryeministrin Giuseppe Conte, ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Brendshëm. Seanca dëgjimore u mbajt në një atmosferë të ngrohtë dhe pati një bashkëpunim maksimal institucional. Iu jam mirënjohës për deklaratat e marra dhe ne do të përfundojmë punën tone”, tha prokurorja Maria Cristina Rota.

Mjekët dhe virologët kanë thënë se vonesa me dy javë, për vendosjen e masave izoluese në Alzano dhe Nembro ndihmoi që virusi të përhapet në provincën Bergamo, ku në mars pati 571 për qind më shumë vdekje sesa mesatarja e pesë vitevet të mëparshme. Deri më tani, asnjë zyrtar publik nuk është vënën nën hetim për vendimet që ata morën ose nuk morën.

Ndërkohë, në Itali nga kjo e premte ka nisur të përdoret një aplikacion në telefonat celularë për gjurmimin e kontakteve, si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar përhapjen e COVID-19.

Ministrja e Inovacionit, Paola Pisano tha se deri më tani dy milionë njerëz kishin shkarkuar aplikacionin “Immuni”. Ekspertët thonë se vendit do t’i duhej që 60% e popullsisë të përdorë këtë aplikacion në mënyrë që të ketë efekt.

“Immuni” përdor teknologjinë Bluetooth për të njoftuar përdoruesit se ata kanë patur kontakt për një kohë të gjatë me një individ që është pozitiv me COVID-19.

Italia ishte vendi i parë evropian që u godit me fort nga koronavirusi. Deri të premten në mëngjes numri i viktimave ishte mbi 34 mijë./voa/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme