Prokurorët e Milanos të mërkurën kërkuan që ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni të dënohej me gjashtë vjet burg nën dyshimin se u kishte dhënë ryshfet dëshmitarëve në një rast prostitucioni me një të mitur në vitin 2013.
Zoti Berluskoni akuzohet se ka paguar 24 persona, kryesisht të rinj të ftuar në festat e tij të mbrëmjes, për të gënjyer në një gjyq të mëparshëm, ku ai u akuzua se kishte paguar për marrëdhënie seksuale me një kërcimtare 17-vjeçare marokene në një klub nate.
Skandali mbi të ashtuquajturat festat “Bunga Bunga” kontribuoi në largimin e zotit Berluskoni nga posti i kryeministrit në vitin 2011, duke shënuar fundin e qeverisë së tij të katërt.
Silvio Berluskoni, udhëheqës i partisë së qendrës së djathtë Forca Italia, u shpall i pafajshëm në atë rast dhe ai u deklarua i pafajshëm në gjyqin pasues të ryshfetit.
Avokati i zotit Berluskoni, Federico Cecconi, tha se ai nuk ishte i befasuar nga kërkesa e prokurorëve për burg dhe ai ishte i bindur se klienti i tij do të shpallej i pafajshëm.
“Ne besojmë se nuk është bërë asnjë krim”, u tha ai gazetarëve.
Prokurorët kërkuan gjithashtu dënime nga një deri në gjashtë vjet për 27 të pandehur të tjerë në këtë rast.
Ne mesin e tyre është edhe kërcimtarja e klubeve të natës, Karima El Mahroug, e njohur më mirë në Itali me emrin e saj të skenës “Ruby the Heartstealer”, e cila prokurorët thanë se duhet të kalonte pesë vjet pas hekurave nën akuzat për marrje ryshfeti.
Prokurorët thanë se gjykata duhet të konfiskojë 10.8 milionë euro nga Berluskoni dhe 5 milionë euro nga El Mahroug, që pohohet se kanë qenë të përfshirë në skemën e dhënies së ryshfeteve dhe gjithashtu të sekuestrojë katër shtëpi në Milano që Berluskoni dyshohet se u ka ofruar atyre që pohohet se i ka paguar për të gënjyer.
Gjyqi i nisur në vitin 2017 do të rifillojë në qershor, kur mbrojtja do të paraqesë argumentet e saj. Vendimi i gjykatës pritet të shpallet në fund të shtatorit.
Zoti Berlusconi, themeluesi i kompanisë mediatike “Mediaset MFEA.MI”, përballet me dy raste të tjera të ngjashme të ryshfetit në gjykatat në Romë dhe Siena.
Të tre gjyqet janë ndërprerë vazhdimisht për shkak të problemeve të shpeshta shëndetësore të manjatit 85-vjeçar.
Ish-kryeministri Berluskoni fillimisht u shpall fajtor për pagesën për të kryer marrëdhënie seksuale me kërcimtaren El Mahroug, e cila në moshën 17-vjeçare konsiderohej e mitur nga ligji italian dhe u dënua me shtatë vjet burg.
Vendimi u rrëzua në vitin 2014 nga një gjykatë e apelit, e cila vendosi se nuk kishte prova se ai e dinte moshën e saj.
Karriera e Berluskonit është shoqëruar me beteja të shumta ligjore dhe atij iu mor përkohësisht e drejta për të mbajtur një post politik pas një dënimi për evazion fiskal në vitin 2013, i cili ka skaduar prej kohësh./VoA/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...