Google ADS

Prokurorët amerikanë akuzojnë katër persona të lidhur me rastin e “Letrave të Panamasë”

11:32 | 5 Dhjetor 2018
arbresh.info

Prokurorët amerikanë kanë akuzuar katër persona të lidhur me kompaninë ligjore, Mossack Fonseca, pas skandalit të njohur si “Letrat e Panamasë” që pati vënë në pah rrjedhje masive të të dhënave financiare dhe dokumenteve ligjore që kanë treguar për ekzistencën e një skeme globale për të shmangur taksat e Shteteve të Bashkuara.

Në një deklaratë më 4 dhjetor, prokurorët federalë në Menhetën kanë identifikuar katër persona, përkatësisht dy gjermanë, një amerikan dhe një qytetar të Panamasë, dhe kanë njoftuar se tre nga të katër personat tashmë janë arrestuar.

Në mesin e tyre është Harald Joachim von der Goltz, ish banor i SHBA-së dhe klient i kompanisë ligjore Mossack Fonseca & Co., i cili sipas prokurorëve është arrestuar në Londër më 3 dhjetor.

Një tjetër burrë është arrestuar një muaj më parë në Paris, derisa një shtetas i SHBA-së është arrestuar në Masaçusets më 4 dhjetor.

I pandehuri i katërt ka qenë avokat në kompaninë Mossack Fonseca dhe tani mbetet në arrati.

Prokurorët kanë thënë se Mossack Fonseca, kompani, e cila është mbyllur më herët gjatë këtij viti, ka kryer komplote për taksat e SHBA-së ashtu që të ruajë pasurinë e saj dhe atë të klientëve.

Të katër burrat janë akuzuar për 11 vepra të kryera, duke përfshirë komplotin dhe mashtrimet me taksa.

Letrat e Panamasë janë një koleksion i 11 milionë dokumenteve sekrete që janë bërë publike nga gazeta gjermane, Suddeutsche Zeitung.

Ato më pas janë ndarë me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues, i cili ka filluar të publikojë raporte të përbashkëta me organizata tjera mediale më 2016./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme