Projektligji i ri i ardhjes së fuqisë punëtore nuk do ta shmangë nevojën e aplikimit për vizë pune. Lind pyetja se a do të shkurtohet apo do të zgjatet koha e pritjes për vizë në ambasada.
Një gjë duhet thënë që në fillim: Askush nuk mund ta parashikojë saktësisht se a do të rritet apo do të ulet kohëzgjatja e pritjes për një vizë pune. Por po përpiqemi të sqarojmë se çfarë mund të çojë në përshpejtim, e çfarë në ngadalësim të procedurave.
Vizat për të kërkuar punë
Një risi shumë e rëndësishme në projektligjin e ardhjes së fuqisë punëtore është “Viza për të kërkuar punë” (Job-Seeker-Visum). Deri tani këtë mundësi e kanë vetëm profesionistët me shkollë të lartë. Me ligjin e ri do ta kenë edhe profesionistët, kualifikimi i të cilëve njihet edhe në Gjermani. Kjo është një vizë, që jepet për një afat kohor deri në gjashtë muaj, vetëm për Gjermaninë, për dallim nga viza Schengen, e cila jepet për 90 ditë dhe vlen për të gjithë hapësirën Schengen.
Viza për të kërkuar punë i jep të drejtën një personi të kualifikuar që të vijë në Gjermani pa kontratë pune. Deri tani kjo lloj vize aplikohet vetëm për të diplomuarit me shkollë të lartë. Rregulli aktual parasheh se kush gjen punë brenda këtij gjashtëmujori, nuk ka nevojë të dalë nga Gjermania për të marrë vizë pune, por mund të aplikojë direkt në zyrën e të huajve, në vendin ku jeton. Nëse kjo procedurë do të përdoret edhe në projektligjin e ri, kjo do të shihet, kur projektligji të marrë formën përfundimtare, pasi të jetë miratuar në Bundestag dhe Bundesrat (Këshillin Federal). Kjo pritet të ndodhë në mesin e vitit 2019. Ligji është parashikuar të hyjë në fuqi në vitin 2020.
Ministri i brendshëm Seehofer tha të mërkurën (19.12) në Berlin se projektligji do të bazohet tek rregulli aktual për të diplomuarit. Por ende nuk është e qartë se sa i ngjashëm do të jetë ligji i ri me rregullin në fjalë. Një dallim me sa duket është se, ndërsa për të diplomuarit me arsim të lartë nuk ka nevojë për dëshmi gjuhe, për punëtorët e kualifikuar pa shkollë të lartë, do të kërkohen, veç kualifikimit, edhe njohuritë e gjuhës gjermane. Hubertus Heil, ministri socialdemokrat i Punës, tha se njohuritë nevojiten së paku në nivel A2, që mjafton sa për t’u marrë vesh për gjërat bazike.
Shtimi i numri të aplikuesve
Pra, falë vizës së përkohshme për të kërkuar punë, pritet që procedura e dhënies së vizës të përshpejtohet, sepse nuk do të ketë nevojë, sikurse tani, që dokumentet të kalojnë edhe njëherë në Gjermani, për të verifikuar kontratën e punës. Përshpejtuese është edhe heqja e verifikimit të përparësisë së një shtetasi gjerman apo të BE-së.
Pritet rritje aplikimesh për viza
Por nga ana tjetër, këto lehtësime e hapin rrethin e mundshëm të aplikuesve për vizë. Kështu që sipas gjykimit të specialistëve, numri i kërkesave për vizë do të shtohet dhe pikave konsullore do t’u dalin edhe më shumë punë.
Se si do të përballohet rritja e vëllimit të punës, nuk është ende e qartë. Ambasadat, të cilat që tani janë shumë të ngarkuara me punë, kanë paralajmëruar se do ta shtojnë personelin. Por ministri Seehofer tha se ndoshta do të duhet të ngrihet një ent i posaçëm për migrimin e fuqisë punëtore.
Shtim i kapaciteteve nëpër ambasada
Që ambasadat vetë nuk do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë fluks, kjo duket sidomos tek vendet e Ballkanit. Që kur ka hyrë në fuqi e ashtuquajtura Rregullore e Ballkanit Perëndimor, në fillim 2016, konsullatat gjermane të këtyre vendeve kanë pasur fluks tejet të madh kërkesash për vizë. Siç mësoi DW nga Ministria e Punëve të Jashtme, vetëm në vitin 2017, Ambasada Gjermane në Prishtinë ka trajtuar 19 000 kërkesa për viza afatgjate, pra, jo Schengen.
Me këto shifra seksioni i vizave në Ambasadën Gjermane në Prishtinë është ndër dhjetë më të mëdhatë në botë, sikurse edhe seksionet e vizave në Beograd dhe Sarajevë. Kjo rritje e madhe shpjegon edhe faktin që “megjithëse Gjermania e ka shtuar personelin konsullor në këto vende, kohëzgjatja e pritjes për një takim në ambasadë shkon deri në disa muaj”, i tha DW-së Ministria e Jashtme. Gjermania planifikon edhe në të ardhmen shtimin e kapaciteteve në Prishtinë, por Ministria e Jashtme nuk e konkretizoi, se çfarë do të thotë ky shtim i kapaciteteve dhe kur do të ndodhë.
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...