Kandidatja demokrate për nënpresidente, Kamala Harris zgjodhi Guvernatorin e Minesotës, Tim Walz si kandidatin e saj për nënpresident. Demokrati 60 vjeçar dhe veteran i ushtrisë arriti të ngjitej në krye të listës të kandidatëve të mundshëm falë disa paraqitjeve televizive ku ra në sy stili i tij i drejtpërdrejtë dhe i thjeshtë i komunikimit, disa ditë pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat të ri. Ai e ktheu shtetin e tij në një bastion të politikave liberale. Zoti Walz u zgjodh guvernator në vitin 2018 dhe shumica demokrate në kuvendin e shtetit të tij, i mundësoi atij dhe përfaqësuesve demokratë të shfuqizojnë kufizimet për abortin, të mbrojnë kujdesin për ndryshim gjinie tek të miturit dhe të legalizojë përdorimin e marihuanës. Ai ka shërbyer për 24 vjet në Gardën Kombëtare.
Ja disa fakte nga jeta dhe karriera e zotit Walz.
Tim Walz vjen nga zonat rurale e Amerikës
Është vështirë të gjesh një përfaqësues më të mirëfilltë të zonave rurale të Shteteve të Bashkuara. I lindur në qytetin West Point, në shtetin e Nebraskës, një qytet me rreth 3,500 banorë në veriperëndim të Omahës, zoti Walz ka shërbyer në Gardën Kombëtare dhe ka punuar si mësues në Nebraska.
Ai dhe bashkëshortja e tij u zhvendosën në Mankato, në pjesën jugore të Minesotës, në vitet ‘90. Atje ai u bë mësues i shkencave shoqërore dhe trajner i futbollit në shkollën e mesme Mankato West. Njëri nga ekipet e trajnuara nga ai fitoi vendin e parë në kampionatin e shkollave në nivel shteti në vitin 1999. Ai ende krenohet me të kaluarën e tij si sindikalist atje.
Zoti Walz shërbeu për 24 vjet në Gardën Kombëtare duke marrë një nga gradat më të larta ushtarake atë të majorit, para se të dilte nga ushtria në vitin 2005.
Aftësia e tij për të bërë për vete votuesit konservatorë
Në garën e tij të parë për t’u zgjedhur në Kongres në vitin 2006, zoti Walz fitoi ndaj ligjvënësit republikan Gil Gutknecht, i cili kishte shërbyer për gjashtë mandate. Ai fitoi votat në një distrikt kryesisht rural, në pjesën jugore të Minesotës ku votuesit ishin të pakënaqur me presidentin e atëhershëm republikan George W. Bush dhe luftën në Irak.
Gjatë gjashtë mandateve në Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Walz u bë kampion i çështjeve të veteranëve.
Ai gjithashtu ka treguar thjeshtësinë e tij, mes të tjerash përmes postimeve në rrjetet sociale me vajzën e tij, Hope.
Pesha e kandidatit Walz në shtetet e pjesës rurale të Amerikës
Ndonëse zoti Walz nuk është nga një prej shteteve që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve si Uiskonsini, Miçigani dhe Pensilvania, ai vjen nga një shtet fqinj me to. Ai po ashtu mund të vazhdojë të sigurojë dominimin e demokratëve në Minesotë.
Ky është një aspekt i rëndësishëm pasi ish Presidenti Donald Trump e ka portretizuar Minesotën si shtet për të cilin do të zhvillohet betejë e ashpër këtë vit, ndonëse votuesit e tij nuk kanë zgjedhur një republikan në poste në shkallë kombëtare që nga viti 2006. Asnjë kandidat republikan nuk ka arritur të fitojë shumicën e votave në Minesotë që nga fitorja e bindshme e Presidentit Richard Nixon në vitin 1972, por zoti Trump tashmë ka bërë fushatë në këtë shtet.
Kur Guvernatori demokrat Mark Dayton vendosi të mos kandidonte për një mandat të tretë në vitin 2018, zoti Walz kandidoi dhe fitoi këtë post nën parullën “Një Minesotë”.
Zoti Walz po ashtu flet me elokuencë për çështjet që janë me rëndësi për votuesit e shteteve që dikur ishin zona industriale të zhvilluara. Ai ngre zërin për kauzat demokrate, përfshirë për sindikatat, të drejtat e punëtorëve dhe pagën minimale prej 15 dollarësh për orë pune.
Përvoja me një qeverisje të ndarë mes demokratëve dhe republikanëve
Në mandatin e tij të parë si guvernator, zoti Walz u përball me realitetin politik të një Dhome Përfaqësuesish të udhëhequr nga demokratët dhe Senatit të udhëhequr nga republikanët në nivel shteti, që u rezistoi propozimeve të tij për të përdorur taksat më të larta për të shtuar buxhetin për shkollat, kujdesin shëndetësor dhe rrugët. Por ai dhe ligjëvënësit e tjerë ndërmjetësuan arritjen e kompromiseve, duke siguruar zgjidhje dypartiake dhe lënien mënjanë të ndasive.
Bashkëpunimi ndërpartiak u bë më i vështirë gjatë vitit të dytë të mandatit të tij ndërkohë që ai përdori kompetencat e tij gjatë pandemisë së COVID-19 për të mbyllur bizneset dhe shkollat. Republikanët u rezistuan këtyre vendimeve gjë që i detyroi disa drejtues agjencish të largohen. Republikanët po ashtu kritikuan zotin Walz për atë që ata vlerësuan se ishte një përgjigje e vonuar ndaj trazirave ndonjëherë të dhunshme që pasuan vrasjen e George Floyd-it nga një polic i Mineapolisit në vitin 2020.
Pozitat e zotit Walz u lehtësuan gjatë mandatit të tij të dytë, pasi mundi kandidatin republikan Scott Jensen, një mjek i njohur për rezervat e tij ndaj vaksinimit. Demokratët fituan kontrollin në dy dhomat e legjislaturës, duke i dhënë mundësinë qeverisjes që të miratonte politika liberale, të mundësuara nga një suficit të konsiderueshëm buxhetor.
Zoti Walz dhe ligjvënësit hoqën pothuaj se të gjitha kufizimet e abortit në Minesotë që ishin vendosur nga republikanët në të kaluarën, mbrojtën trajtimin për përcaktimin gjinor të të miturve transgjinorë dhe legalizuan përdorimin e marihuanës.
Ata refuzuan thirrjet e republikanëve për të shfrytëzuar suficitin për të ulur taksat dhe me to financuan ushqim falas për fëmijët në shkolla, arsim falas në universitetet publike për studentët e familjeve që kishin më pak se 80 mijë dollarë në vit, program për leje familjare dhe shëndetësore me pagesë dhe sigurime shëndetësore për të gjithë pavarësisht statusit të banorëve.
Një gjuhë e thjeshtë dhe e qartë
Zoti Walz i quajti të emëruarin republikan Donald Trump dhe kandidatin e tij për nënpresident JD Vance “shumë të çuditshëm” në një intervistë në televizionin amerikan MSNBC muajin e kaluar. Shoqata e Guvernatorëve Demokratë – të cilën e drejton zoti Walz – e shpërndau shprehjen e tij në një postim në platformën X. Në një intervistë në CNN së fundmi, Guvernatori Walz e përsëriti këtë karakterizim ndërkohë që përmendi faktin që zoti Trump i referohej shpesh në fjalimet e tij personazhit Hannibal Lecter , vrasësit serial të filmit “Heshtja e Qengjave”, interpretuar nga Anthony Hopkins.
Kjo frazë u shndërrua shpejt në një slogan të paraqitjeve të zonjës Harris dhe demokratëve të tjerë dhe ka gjasa të bëhet fjala që do të mbahet mend nga këto zgjedhje padyshim të pazakonta të vitit 2024./voa/
Komuna e Vitisë do të ndalojë përdorimin e doracakëve “...
“Po të kishte qenë Sara më pak private”, Ledri Vula flet për...
Shqipëria vazhdon përgatitjet për sfidën e rëndësishme ndaj ...
“Rama e Beqja rritën kostot e sterilizimit”, Berisha: Mbi 1 ...
Komandanti i KFOR-it: Problemet mes Kosovës dhe Serbisë nuk ...
Protesta në Paris kundër aktivitetit në përkrahje të Izraeli...