Një studim i kryer nga Instituti Karolinksa në Suedi tregon se njerëzit që nuk kanë antitrupa të koronavirusit, mund të kenë imunitet me qelizat T, të cilat i identifikojnë dhe i vrasin qelizat e infektuara. Studimi ka përfshirë rreth 200 persona. Njëri nga bashkautorët e tij, Hans-Gustaf Ljunggren, thotë se imuniteti me qeliza T duket se është shumë jetëgjatë. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ljunggren, profesor i Mjekësisë së Infeksionit në Institutin Karolinska, thotë se qelizat T po ashtu çojnë më pranë imunitetit të tufës.
Profesor Ljunggren, një studim i Institutit Karolinska në Suedi – bashkautor i të cilit jeni edhe ju – tregon se njerëzit që testojnë negativë për antitrupa ndaj koronavirusit, mund të kenë akoma imunitet. Si është e mundur kjo?
Hans-Gustaf Ljunggren: Ajo që kemi vërejtur është se shumë pacientë që kanë qenë të infektuar me virus, kanë pasur reagim të fuqishëm të qelizave T, që është i pavarur nga përgjigjja e antitrupave.
Përmendët qelizat T… Si funksionojnë këto qeliza, krahasuar me antitrupat?
Hans-Gustaf Ljunggren: Kjo është një pyetje e mirë. Qelizat T janë qeliza të bardha të gjakut dhe ato janë të specializuara në identifikimin e qelizave të infektuara nga virusi. Për dallim prej tyre, antitrupat janë të specializuar në identifikimin e grimcave të lira të virusit në trup. Qelizat T i vrasin qelizat që janë infektuar me virus. Në thelb, e eliminojnë ‘fabrikën’ ku prodhohen grimcat e virusit në trup.
Si zhvillohen qelizat T në trupat e njerëzve?
Hans-Gustaf Ljunggren: Në çdo sekondë, në trupin tënd, në trupin tim dhe në trupin e secilit, gjenerohen miliona qeliza të reja T. Të gjitha këto qeliza T, në mënyrë të mrekullueshme, kanë aftësi të njohin gjithçka që trupi mund të hasë. Kjo do të thotë se të gjitha qelizat T kanë specifika të ndryshme. Nëse ne infektohemi me virus, si koronavirusi për shembull, disa prej qelizave T do t’i identifikojnë qelizat e infektuara. Ato do të ndahen me shpejtësi – do të jenë miliona sosh me këtë specifikë të veçantë, që do të luftojnë sëmundjen.
A ka ndonjë metodë specifike apo ndonjë ilaç që mund të nxisë prodhimin e qelizave T?
Hans-Gustaf Ljunggren: E dimë në përgjithësi se për një imunitet të mirë duhet një dietë e mirë ushqimore, stërvitje, gjumë i mirë natën. E dimë se uria dhe mungesa e gjumit kanë efekte negative. Po ashtu edhe disa sëmundje mund të kenë efekte negative. Për shembull, kanceri mund të shtypë imunitetin dhe trupi i njeriut mund të mos jetë në gjendje të mirë për t’u mbrojtur nga infeksionet, përfshirë viruset.
Përmendët një dietë të mirë ushqimore. Ta elaborojmë pak më shumë… Çfarë lloji ushqimesh u rekomandohet njerëzve të hanë?
Hans-Gustaf Ljunggren: Nuk jam i sigurt se mund të jap rekomandime specifike, por e dimë se në vendet ku ka varfëri, mungesa ushqimesh, uri… këto kanë efekte në sistemin imunitar.
Le të themi se një person i caktuar ka qeliza T, a do të thotë kjo se ato do ta mbrojnë vetëm atë, apo po ashtu do ta pengojnë atë që ta transmetojë infeksionin te të tjerët?
Hans-Gustaf Ljunggren: Nëse një individ ka qeliza shumë të mira T, që mund ta luftojnë virusin, kjo do të thotë se ai nuk do të ketë përsëritje virale. Andaj, ai individ specifik nuk do të jetë në gjendje ta transmetojë virusin te të tjerët. Pra, përfundimisht, një përgjigje e mirë e qelizave T do të kontribuojë në përgjigjen e përgjithshme ndaj virusit dhe në aftësinë e individit për të përhapur virusin tutje.
A keni ndonjë ide se sa mund të zgjasë imuniteti me qelizat T?
Hans-Gustaf Ljunggren: Kjo po ashtu është një pyetje e mirë. Në rastin e COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi], ne nuk e dimë këtë, sepse sëmundja është me ne që pesë ose gjashtë muaj – së paku në Evropë. Por, ajo që mund të bëjmë është të shohim epidemitë e tjera të koronaviruseve. Në vitin 2003 ka qenë një epidemi e madhe në Azinë Juglindore, por që nuk është përhapur globalisht.
Ka pasur disa studime për përgjigjen imunitare të pacientëve. Është interesante se përgjigjja e antitrupave te disa pacientë nuk ka zgjatur më shumë se dy-tre vjet. Por, disa njerëz që janë infektuar atëbotë, pra më 2003, ata edhe sot kanë qeliza T kundër atij virusi. Kjo na tregon se përgjigjja e qelizave T mund të jetë me të vërtetë jetëgjatë. Nuk e dimë se si do të ndodhë në këtë rast [të COVID-19], por ka indikacione për një rrjedhë të ngjashme.
Ku mund të bëhen testet për qelizat T? Në çdo laborator? Njësoj si për antitrupa?
Hans-Gustaf Ljunggren: Jo. Kjo është një pyetje që na bëhet shpesh. Për fat të keq, testet e qelizave T janë shumë më të komplikuara. Ato kërkojnë një laborator të specializuar, një laborator të specializuar kërkimi. Nëse janë nga persona të infektuar, nganjëherë kërkojnë masa paraprake të sigurisë dhe teknologji e metodologji mjaft të përparuara. Pra, në këtë moment, ato mund të kryehen vetëm në laboratore kërkimore.
Jo secili vend i ka këto laboratore?
Hans-Gustaf Ljunggren: Vendet, në shkallë të ndryshme, kanë laboratore të tilla, por ju duhet të keni edhe shkencëtarë të aftë për t’i kryer ato teste.
A na afron imuniteti i qelizave T më pranë imunitetit të tufës?
Hans-Gustaf Ljunggren: Po. Jam absolutisht i bindur. Do të thosha se roli i qelizave T është mbrojtja nga infeksionet e viruseve, përtej të gjitha funksioneve të tjera. Kështu janë zgjedhur gjatë rrjedhës së evolucionit. Pra, po, ky është supozimi im absolut.
Edhe një pyetje, Suedia ka ndjekur një rrugë tjetër në luftimin e koronavirusit, ndryshe nga vendet e tjera në Evropë. A keni të dhëna se sa ka zhvilluar imunitet popullata?
Hans-Gustaf Ljunggren: Sikurse edhe në vende të tjera, janë matur nivelet e antitrupave. Nuk ka pasur matje të gjera, por në Stokholm, për shembull, seropozitiviteti, apo niveli i konsiderueshëm i antitrupave, në matjet e një jave apo dy javëve më parë, ka dalë të jetë 15-17 për qind.
Por, ajo që ne kemi treguar është se shumica e njerëzve që kanë antitrupa, kanë qeliza T, por përveç kësaj, shumë njerëz kanë qeliza T dhe nuk kanë përgjigje të antitrupave. Pra, shkalla e imunitetit, së paku te popullsia e Stokholmit, ka të ngjarë të jetë më e lartë seç reflektohet në matjet e antitrupave./Rel
Aktivistët e LVV-së në Mitrovicë me pankarta ku “kërko...
LVV: Kontratat njëburimore janë vetëm propagandë e opozitës
SPAK godet një organizatë kriminale, heton si të përfshirë e...
Nesër mbahet ceremonia e 25 vjetorit të themelimit të SHKK-s...
Ish-krerët e UÇK-së i kërkojnë trupit gjykues që ta ruajë pa...
Erion Veliaj ia uron ditëlindjen Rita Orës: Super goca jonë,...