Pritet dialogu SHBA-Kinë

23:26 | 26 Gusht 2019
Arbresh.info

Pas një dite konfuze plot sinjale të përziera mbi tregtinë dhe Iranin, presidenti Donald Trump e nisi raundin final të bisedimeve në samitin e G7-ës, i gatshëm t’i jepte një shtysë pozitive axhendës së tij.

Shefi i shtëpisë së bardhë erdhi me një lajm të mire që davarit, të paktën për momentin, frikën e luftës së shumëpërfolur tregtare, SHBA-Kinë.

“Nga Pekini më kanë ardhur fjalë se negociatorët e tij janë gati të rikthehen në tryezën e bisedimeve”, tha presidenti amerikan, ndonëse vetëm një ditë më parë, këshilltarët vazhduan të këmbëngulnin se Trumpi nuk heq dorë nga ideja e rritjes së tarifave mbi produktet kineze.

Krejt i ndryshëm ishte skenari i paraqitur sot nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.

“Kinezët telefonuan e thanë: hajde të kthehemi në tryezën e negociatave, kështu le të kthehemi”, deklaroi Trump.

Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta detyrojnë Pekinin të reformojë praktikat e tij tregtare, duke argumentuar se firmat amerikane përballen me një lojë të pabarabartë për shkak të çështjeve të tilla si vjedhja e pronës intelektuale. Por në samitin e G7-ës, aleatet e Washington-it ushtruan presion mbi Trumpin duke e paralajmëruar se një luftë tregtare kërcënon mbarë ekonominë globale. Grindja tregtare mes dy superfuqive u ashpërsua para samitit, pasi qeveria amerikane bëri të ditur të premten në mbrëmje, se do të rrisë doganat ndëshkuese për importet nga Kina me 5%.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme