Princesha saudite: “Si e vodhën shprehjen Allahu Ekber disa terroristë”

00:03 | 28 Gusht 2017
Trina Galanxhi

I gjithë komuniteti i besimtarëve muslimanë në botë ndihen keq teksa mësojnë në lajme se autorët e akteve terroriste thërrasin “Allahu Ekber” – Zoti është më i madhi – në çastin kur i kryejnë ato.

Së fundi, një reagim të ashpër ndaj këtij fenomeni ka patur princesha saudite Amerah Al Taweel, e cila tha se këta njerëz të ulët jua kanë vjedhur 1.8 miliard muslimanëve në botë, fjalët e tyre më të shenjta duke i përdhunuar ato me aktet e tyre çnjerëzore.

“Çdo musliman duhet të marrë përgjegjësinë e portretizimit të imazhit të vërtetë të Islamit dhe të rivendosë kuptimin e termit të rrëmbyer ‘Allahu Ekber’”, tha princesha në Forumin Arab për Media.

Duke iu referuar Islamit si “një fe e bukur me simbolizmin e saj të thjeshtë”, princesha Amerah shpjegoi palidhjen e deklamimit “Allahu Ekber” me aktet terroriste dhe dhunën nga ca individë.

“Këto fjalë që zakonisht përdoren për të treguar madhështinë e Zotit, fatkeqësisht janë ndotur nga terroristët dhe ekstremistët të cilët e thonë këtë deklamim kur kryejnë krimet e tyre të dhunshme dhe të tmerrshme”, tha ajo.

Sipas statistikave, fjalët “Allahu Ekber” janë kërkuar 79 milionë herë në faqet e mediave sociale dhe motorët e kërkimit brenda vetëm një viti, shtoi princesha Amerah.

“Kjo tregon se njerëzit në mbarë botën janë të interesuar të gjejnë më shumë informata për Islamin, dhe është përgjegjësia jonë individuale si muslimanë për ta mbrojtur fenë tonë dhe për të informuar të tjerët për thelbin dhe bukurinë e saj”.

Ajo vuri në dukje se ka pasur një fokus në krijimin e qendrave kërkimore dhe muzeve të ndryshme për prezantimin e Islamit para botës, megjithatë përpjekjet janë lënë në hije nga aktet individuale të urrejtjes dhe terrorit.

Duke kujtuar një sondazh të kryer nga Twitter në lidhje me perceptimet e njerëzve për Islamin, princesha Amerah tha se vetëm 12 për qind e përdoruesve thanë se kishin një pikëpamje negative për fenë, 5 për qind kishin një pikëpamje pozitive dhe 83 për qind ndjehen neutralë rreth Islamit.

“Vetëm 12 përqind e përdoruesve të Twitter kanë pikëpamje negative mbi Islamin. Më shumë se 280 milionë llogari të Tëitter në botën arabe mund të ndihmojnë në projektimin e imazhit të vërtetë të Islamit”, tha ajo.

Princesha i bëri thirrje që të ndihmohet në ndryshimin e imazhit të shtrembëruar të Islamit, duke bërë nga një postim në javë në lidhje me mësimet e Islamit nëpër kanalet e mediave sociale.

“Terroristët thërrasin ‘Allahu Ekber’ para shkatërrimit, ndërkohë që ne e themi këtë para dhe gjatë festave tona, gjatë namazit dhe lutjeve, sa herë që shohim diçka të bukur dhe kur ndihemi të dobët, të frikësuar dhe të lumtur”, theksoi princesha Amerah.

https://www.youtube.com/watch?v=XXDC6fmSuRU

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme