Në kuadër të turit ballkanik, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen qëndroi të enjten në Shkup ku bisedoi me krerët e lartë shtetërorë për sfidat e këtij vendi lidhur me integrimin evropian. Zonja von der Leyen vuri në dukje nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapin rrugën Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave mbi grup-kapitujt themelorë. Ndërkohë, autoritetet maqedonase theksojnë se integrimi në BE mbetet synimi parësor i vendit, por siç theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, “nuk duhet lejuar përulja e qytetarëve që në të ardhmen të përballen me kërkesa të cilat do të binin ndesh me idetë mbi të cilat mbështetet vetë BE-ja”. Maqedonia e Veriut do të marrë mbi 750 milion euro nga Plani i Rritjes së BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vizitoi Shkupin në një kohë kur procesi i integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian ka ngecur si rezultat i thellimit të mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që nga ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE-së.
Shkupi kërkon garanci nga Brukseli se nuk do të paraqesë kushte të tjera pas përfshirjes në Kushtetutë të pakicës bullgare, ndërsa shpreson se çështja e hapur me vendin fqinj do të gjejë zgjidhje pas zgjedhjeve të pritshme atje.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha në një konferencë shtypi se Komisioni dhe Bashkimi Evropian do të ndihmojnë që Maqedonia e Veriut të zbatojë zotimet që ka marrë në çdo hap të procesit dhe se ajo po punon fort për hapjen e shpejtë të negociatave për grup-kapitujt themelorë me këtë vend.
“Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen dhe për mua është me rëndësi se ato bëhen për interesin e Maqedonisë së Veriut. Prandaj, dua të konfirmoj dhe t’ju siguroj se do të bëjmë çdo hap përpara në mënyrë që të mbërrijmë tek qëllimi i përbashkët. Ju mund të mbështeteni tek ne”, iu drejtua zonja von der Leyen kryeministrit maqedonas, duke theksuar rëndësinë “e shikimit drejt së ardhmes dhe jo kthimin kah e kaluara”.
“Duam ta shkruajmë kapitullin e ardhshëm së bashku për të ardhmen tonë të përbashkët”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski shprehet se Bashkimi Evropian është synimi i integrimit dhe interesi i çdo qytetari të vendit të tij.
“Ne si qeveri do të vazhdojmë edhe më tej t’i pranojmë vlerat evropiane dhe do të bëjmë çfarëdo që duhet për afrimin e BE-së tek qytetarët tanë. Më tepër se 75% e qyetarëve tanë e shohin të ardhmen e tyre si pjesë e familjes evropiane”, tha zoti Mickoski, duke theksuar nga ana tjetër nevojën për ruajtjen e dinjitetit, krenarisë, duke aluduar në këtë mënyrë mos përuljen ndaj kërkesave të Bullgarisë.
Kryeministri Mickoski pret nga BE-ja që të ndihmojë në gjetjen e mënyrave për vazhdimin e rrugës së integrimit të vendit, duke njohur njëkohësisht qëndrimet legjitime, sipas tij, të qytetarëve të vendit të tij se në të ardhmen nuk do të përballen me kërkesa të cilat do të binin ndesh me idetë mbi të cilat mbështetet vetë BE-ja.
Presidentja von der Leyen theksoi se zgjerimi mbetet përparësia numër një për Komisionin Evropian në pesë vitet e ardhme.
Ajo ka biseduar me kryeminisrtin Hristijan Mickovski dhe me presidenten Gordana Siljanovska Davkova lidhur me “Planin e Rritjes”, për afrimin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor me ato të BE-së, për ruajtjen e kufijve nga emigrantët e paligjshëm.
Maqedonia e Veriut do të marrë 52 milionë euro deri në fund të vitit si pjesë e fondit prej mbi 750 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së.
Brukseli pret realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me shtimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, lidhjen infrastrukturore hekurudhore përmes Korridorit 8 që do të lidhë Bullgarinë me Shqipërinë përmes Maqedonisë së Veriut, por dhe Korridorin 10.
Presidentja von der Leyen para Shkupit ishte në Tiranë dhe më pas shkon në Bosnjë, në Serbi, në Kosovë dhe Mal të Zi./voa/
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...