Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e ka sfiduar në Gjykatën Kushtetuese të Gjeorgjisë vlefshmërinë e ligjit të miratuar së fundmi për “transparencën e ndikimit të huaj”, i cili ka zemëruar publikun në Gjeorgji dhe ka rritur shqetësimet e partnerëve perëndimorë në Tbilisi.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e Presidencës, ndihmësi i Zurabishvilit, Giorgi Mskhiladze, e ka bërë të ditur dorëzimin e padisë në Gjykatë, lidhur me ligjin që është miratuar në maj, pavarësisht vetos presidenciale, për të ashtuquajturin “ligj rus”.
Ligji është “jokushtetues” dhe është në kundërshtim me Artikullin 78 të Kushtetutës së Gjeorgjisë, ka thënë ai.
Kjo pikë parasheh që trupat shtetërorë, përfshirë Qeverinë, duhet të marrin të gjithë hapat e mundshëm për të garantuar integrimin e plotë të Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Padia sfidon edhe disa pika të ligjit, të cilat shkelin të drejtën bazike të garantuar me Kushtetutë”, është thënë në deklaratë.
“Përmes kësaj padie, presidentja kërkon pezullimin e ligjit në tërësi”.
Ligji që e ka miratuar Qeveria parasheh kontroll të rreptë ndaj mediave dhe organizatave joqeveritare që marrin më shumë se 20 për qind të fondeve prej jashtë.
Ligji është kundërshtuar ashpër prej publikut, përmes protestave masive, i cili besohet se rreshton vendin më afër Rusisë dhe e largon prej Perëndimit.
Vetë Zurabishvili e ka quajtur ligjin “rus, në thelb dhe shpirt, që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe standardet evropiane”.
Si pasojë e kalimit të ligjit, Brukseli i ka pauzuar negociatat për anëtarësim të Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë nisur “analizë të thellë” për lidhjet me këtë shtet./REL/
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës