Presidenti kinez, Xi Jinping, ka deklaruar se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) është “larg nga përfundimi”, si dhe ka kërkuar bashkëpunim global dhe përforcimin e multilateralizmin për të vazhduar luftën kundër infektimit.
Në adresimin e tij përmes video-lidhjes në Forumin Ekonomik Botëror, presidenti kinez tha se bota e udhëhequr nga shkenca, arsyeja dhe fryma humanitare ka arritur një përparim fillestar në luftën kundër pandemisë, por sipas tij pandemia akoma është larg nga përfundimi.
“Rishfaqja e fundit në rastet COVID-19 na kujton se duhet të vazhdojmë luftën. Megjithatë, ne ende mbetemi të bindur se dimri nuk mund ta ndalojë ardhjen e pranverës dhe errësira nuk mund ta ndalojë dritën e agimit”, tha Jinping.
Ndryshe, përveç në vendet e tjera të botës, rastet e transmetuara lokale në Kinë po shënojnë rritje, pavarësisht se në fund të vitit të kaluar autoritetet pretenduan sukses mbi infeksionin.
Duke bërë thirrje për forcimin e vendeve të G20-tës, Jinping shqiptoi disa hapa për të tejkaluar krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
“E para është rritja e koordinimit të politikës makro-ekonomike, së bashku me promovimin e rritjes së fuqishme, të qëndrueshme, të ekuilibruar dhe gjithëpërfshirës të ekonomisë botërore”, tha presidenti kinez.
Ai shtoi se bota po kalon një “recesion më të keq që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”.
“Ne duhet të zhvendosim forcat shtytëse dhe modelet e rritjes së ekonomisë globale dhe të përmirësojmë strukturën e saj, në mënyrë që të vendosim kursin për një zhvillim afatgjatë, të shëndoshë dhe të qëndrueshëm të ekonomisë botërore”, tha Jinping.
Ai kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të “braktisë paragjykimet ideologjike dhe në vend të kësaj së bashku të ndjekin një rrugë të bashkëjetesës paqësore, përfitimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të favorshëm”.
“Askund në botë dy gjethe nuk janë identike, si dhe asnjë kulturë, histori apo sistem shoqëror nuk është i njëjtë. Secili vend është unik me historinë, kulturën dhe sistemin e tij shoqëror dhe askush nuk është më superior se tjetri”, u shpreh presidenti kinez.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë në “mbylljen e ndarjeve midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim”
Lideri i ekonomisë së dytë më të madhe në botë tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë në “mbylljen e ndarjeve midis vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim”.
Duke përkrahur më shumë hapësirë dhe burime për vendet në zhvillim, tha Jinping, “duhet të pranojmë që me rritjen e vendeve në zhvillim, prosperiteti dhe stabiliteti global do të vendosen në një bazë më solide dhe vendet e zhvilluara do të përfitojnë nga një rritje e tillë”.
Ai bëri thirrje për një përgjigje të përbashkët të “sfidave globale dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për njerëzimin”.
“Në epokën e globalizimit ekonomik, emergjencat e shëndetit publik si COVID-19 mund të përsëriten shumë fuqishëm dhe qeverisja globale e shëndetit publik duhet të përmirësohet”, shtoi ai.
Duke kërkuar mbështetje për multilateralizmin, presidenti kinez tha se, “Ne duhet të qëndrojmë të përkushtuar ndaj hapjes dhe përfshirjes në vend të intimitetit dhe përjashtimit”.
“Multilateralizmi ka të bëjë me çështjet ndërkombëtare të adresuara përmes konsultimit dhe të ardhmes së botës, të vendosur nga të gjithë që punojnë së bashku”, shtoi ai, duke kritikuar atë që ai e quajti “ndërtimin e qarqeve të vogla ose fillimin e një lufte të re të ftohtë”.
Kërcënimet dhe sanksionet do të çojnë në një rrugë pa krye
Më tej, presidenti kinez përmendi kërcënimet, përçarjet e furnizimit dhe sanksionet, duke theksuar se, “Kjo vetëm do ta çojë botën në ndarje dhe madje në konfrontim”.
“Ne nuk mund të trajtojmë sfidat e përbashkëta në një botë të ndarë dhe konfrontimi do të na çojë në një rrugë pa krye. Njerëzimi ka mësuar mësime në rrugën e vështirë, historia nuk është larg. Ne nuk duhet të kthehemi në rrugën e të kaluarës”, tha ai./AA/
Casado për Pedrin: Ai është një nga më të mirët në pozicioni...
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar
Dënohet me 18 vite burg pronari i hotelit që u shemb nga tër...
Mungesa e energjisë elektrike, ministria e Ekonomisë del për...
Mbesin pa ujë deri nesër dy fshatra të Vushtrrisë
Atletico Madrid skuadra me më së shumti pikë në top pesë lig...