Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi paketën e ndihmës ekonomike për të prekurit nga pandemia e koronavirusit dhe ligjin për shpenzimet qeveritare.
Trump, fillimisht, ka refuzuar të nënshkruajë, duke thënë se dëshiron t’iu japë njerëzve ndihma më të mëdha.
Vonesa ka bërë që miliona amerikanë të papunë t’i humbnin përkohësisht përfitimet.
Paketa e ndihmës, me vlerë 900 miliardë dollarë, është miratuar javën e kaluar nga Kongresi, pas disa muajsh negociata.
Ajo është pjesë e një pakete shpenzimesh prej 2.3 trilionë dollarësh, që përfshin edhe 1.4 trilion për shpenzimet normale të qeverisë federale.
Mosnënshkrimi i ligjit deri në mesnatën e së hënës ka rrezikuar edhe mbylljen e pjesshme të Qeverisë amerikane.
Rreth 14 milionë amerikanë të papunë janë përballur me humbje të pagesave të ndihmës. Këto përfitime tani do të rikthehen.
Nuk është ende e qartë se pse Trump, i cili ndodhet në Florida, ka vendosur më në fund të nënshkruajë ligjin. Dihet se ai ka qenë nën presion në rritje nga përfaqësuesit në Kongres.
Trump tha se e nënshkruan ligjin me “një mesazh të fortë, që ia bën të qartë Kongresit se gjërat e kota duhet të hiqen”.
Trump, republikan, largohet nga detyra më 20 janar. Ai e ka humbur garën për rizgjedhje më 3 nëntor, kundrejt kandidatit demokrat, Joe Biden.
Më herët, senatori republikan, Pat Toomey, ka thënë se presidenti rrezikon të mbahet mend për “kaos, mjerim dhe sjellje të çoroditur”.
Presidenti i zgjedhur, Biden, ka paralajmëruar “pasoja shkatërruese”, nëse Trump do të vazhdonte shtyrjen e nënshkrimit.
Duke folur më 26 dhjetor, Biden e ka përshkruar refuzimin e tij si “braktisje të përgjegjësisë”.
“Është një ditë pas Krishtlindjeve dhe miliona familje nuk e dinë nëse do të jenë në gjendje t’i përmbushin nevojat, për shkak të refuzimit të presidentit Donald Trump për të nënshkruar paketën e ndihmës ekonomike, të miratuar nga Kongresi, me shumicë dërrmuese dhe dypartiake”, ka thënë Biden.
Paketa e ndihmës ekonomike ka kaluar Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin të hënën e kaluar, por, një ditë më vonë, Trump ka kërcënuar me veto, duke e përshkruar paketën si “të turpshme”.
Paketa parasheh një pagesë prej 600 dollarësh për amerikanët që fitojnë më pak se 75,000 dollarë në vit.
Trump ka thënë se dëshiron që amerikanët të marrin nga 2,000 dollarë, por republikanët në Kongres kanë refuzuar të pajtohen për këtë ndryshim.
Përveç pagesave që synojnë t’i ndihmojnë individët amerikanë, paketa përfshin edhe mbështetje për pagat e bizneseve të vogla, fonde për të ndihmuar rihapjen e shkollave dhe ndihmë për industrinë e transportit dhe shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit./REL/
Liverpool në kërkim të shkëputjes në tabelë përballet me Lei...
Cunha i shënon gol direkt nga korneri Man Unitedit
Akanji flet për çështjen e titullit kampion: Tani nuk është ...
Vullneti: Gjesti po luan me Drilonin që të e fitojë vendin n...
Gjysmë orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë, kj...
Aksidentohet autobusi me 58 persona në Norvegji, raportohet ...