Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh sot se një raport i debatueshëm i republikanëve, ku pretendohet se hetuesit e FBI-së abuzuan me detyrën gjatë hetimeve për Rusinë, e ka bërë të ndjehet “plotësisht i shpaguar”, megjithëse demokratët kanë shprehur ndërkohë perceptim të kundërt.
Presidenti shkruajti sot në Twitter se: “Ky raport e shpagon plotësisht Trumpin në procesin hetimor. Por, gjuetia për shtrigat ‘ruse’vazhdon sërish. Nuk ka patur Bashkëpunim dhe nuk ka patur Pengim të drejtësisë (kjo është fjala që përdorin tani, pas gati një viti kërkimesh pa fund dhe pasi nuk gjetën ASGJË, fjala “bashkëveprim” ka vdekur). Ky është një turp amerikan!”.
Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve bëri dje publik një raport ku paraqiten pretendimet e ligjvënësve republikanë se hetuesit e FBI-së kanë tejkaluar autoritetin e tyre në hetimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Publikimi u bë pasi Presidenti Trump miratoi çklasifikimin e raportit, i cili ishte shkruar nga kreu i komisionit, Ligjvënësi republikan Devin Nunes.
Publikimi i raportit ka ngritur një tjetër furtunë politike në Uashington, rreth hetimit për ndërhyrjen e Rusisë.
Presidenti Trump ra dakort për çklasifikimin e një raporti të republikanëve, megjithë kundërshtimin e Departamentit të Drejtësisë dhe të FBI-së.
Presidenti shkruajti në Twitter se pretendimet e raportit tregojnë që zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit e politizuan hetimin ndaj Rusisë.
Ai foli dje me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.
“Mendoj se është e turpshme ajo çfarë po ndodh në vendin tonë. Kur shikon se çfarë po ndodh, mendoj se shumë njerëzve duhet t’u vijë turp”, tha Presidenti Trump.
Raporti republikan pretendon se vendimi për të përgjuar një bashkëpunëtor të fushatës Trump, u bazua përgjithësisht mbi informacione të marra nga një burim i paguar nga demokratët.
Nga ana e tyre, demokratët dënuan botimin e raportit dhe thanë se republikanët kishin përzgjedhur disa fakte të caktuara, duke u përpjekur të ndihmojnë Presidentin dhe të dëmtojnë hetimin e Rusisë, të drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.
“Ata publikuan pjesë të përzgjedhura që do të mbështesnin versionin e Presidentit”, tha ligjvënësi demokrat, Adam Schiff.
Gjatë gjithë presidencës së tij, Presidenti Trump është ankuar se hetimi për Rusinë është një “gjueti shtrigash”. Ai dhe aleatët e tij republikanë në Kongres prisnin me padurim bërjen publike të raportit, thotë analisti John Hudak.
“Absolutisht që republikanët po përpiqen të dëmtojnë hetimin e prokurorit Mueller. E shikojnë jo vetëm si një kërcënim serioz për Presidentin, por edhe për vetë republikanët”.
Demokratët gjithashtu e paralajmëruan Presidentin që mos ta përdorë raportin për të shkarkuar Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm, Rod Rosenstein, zyrtarin që mbikqyr hetimin, apo edhe vetë Prokurorin Mueller. Ky veprim mund të shkaktojë një krizë kushtetuese, thotë Thomas Schwartz.
“Megjithëse nuk i pëlqen prokurori Mueller dhe përpjekjet për hetime, mendoj se shkarkimi i tij do të shndërrohej në një problem të vërtetë”.
Por, analistë konservatorë, si Michael Barone, thonë se demokratët po e teprojnë.
“Ka njerëz, shumica në Partinë Demokrate, që mendojnë se do të ketë një tjetër ‘Watergate’ dhe se Presidenti Trump do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, në gjashtë javë apo dy muaj. Në gjykimin tim, kjo nuk do të ndodhë”.
Disa demokratë e kanë krahasuar hetimin për Rusinë dhe përfshirjen e Presidentit Trump, me skandalin “Watergate” dhe Presidentin Nixon në vitet 1970-të. Presidenti Nixon pati urdhëruar shkarkimin e prokurorit të posaçëm që hetoi Shtëpinë e Bardhë në vitin 1973, por më vonë dha dorëheqjen pasi Kongresi filloi procedurat e hetimit për shkarkimin e Presidentit./VoA/
Kurti dhe Rizvanolli vizitojnë KRU “Hidroregjioni Jugo...
Man City assesi të fitojë ndalet me barazim nga Evertoni
Ministri Peci nesër mban konferencën përmbyllëse për media
Tajvani përgatitet për mandatin e ri të Presidentit Trump në...
Hamza: Bursa e Kosovës mundësi për diasporën dhe investitorë...
Pas largimit të Redonit, Egli befason me këtë deklaratë