Të martën mbrëma, kur ai do të mbajë fjalimin mbi gjendjen e vendit, Presidenti Donald Trump pritet të theksojë situatën e mirë ekonomike dhe të bëjë thirrje për përpjekje dypalëshe lidhur me emigracionin.
Fjalimi i tij përpara të dy dhomave të Kongresit, që transmetohet drejtpërdrejt në televizion, vjen një vit pasi Donald Trumpi mori detyrën e Presidentit dhe rreth një javë pas debateve mbi buxhetin dhe politikën që duhet ndjekur ndaj një grupi emigrantësh që kanë ardhur në Amerikë ilegalisht në moshë të mitur. Debatet çuan në mbylljen për tre ditë të qeverisë.
Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump do të flasë për punësimin, zhvillimin e ekonomisë dhe reformën e taksave, të miratuar kohët e fundit, si dhe t’u kërkojë ligjvënësve të miratojnë planin e tij prej triliona dollarësh për infrastrukturën. Ky plan parashikon meremetimin e rrugëve dhe urave, si dhe modernizimin e aeroporteve.
Ai pritet të flasë gjithashtu për çështje të sigurisë kombëtare, si aktiviteti bërthamor dhe programi i raketave të Koresë së Veriut, si dhe nevojën për politika të drejta tregtare, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nën administratën Trump, nga Marrëveshja e Partneritetit të Transpaqësorit, TPP, dhe nisma për rinegociimin e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë të Vendeve të Amerikës Veriore me Meksikën dhe Kanadanë, të njohur si NAFTA.
Viti i parë në detyrë i Presidentit Trump është karakterizuar nga sulmet e tij të vazhdueshme në Twitter kundër kundërshtarëve të tij politikë, ligjvënësve demokratë dhe ndaj atyre republikanëve që kanë ngjallur zemërim tek ai, ngaqë nuk kanë qenë dakord me disa politika të tij.
Shtëpia e Bardhë thotë, se edhe në kushtet kur Uashingtoni është i përçarë, zoti Trump do të mbajë një fjalim optimist, ku do të bërë thirrje për bashkëpunim si ndaj republikanëve, edhe ndaj demokratëve, për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Presidenti Trump do të mbajë një fjalim unifikues për vlerat dhe patriotizmin amerikan.
Zoti Trump po e mban fjalimin e tij për gjendjen e vendit, në kushtet kur mbështetja e vouesve për të është në nivelin më të ulët, krahasuar me presidentë të tjerë amerikanë në të njëjtën periudhë të mandatit 4-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Sipas anketave të zhvilluara kohët e fundit nga firma Gallup, 58 për qind e amerikanëve nuk janë dakord me drejtimin prej të tij të vendit. Pas 9 muajsh në Shtetet e Bashkuara do të mbahen zgjedhjet për në Kongres, ku do të votohet për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e 100 vendeve të Senatit.
Nuk është e qartë, në se zoti Trump do të diskutojë në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, për çështjen e procesit hetimor mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe kontaktet e fushatës së zotit Trump me operativë rusë. Hetimi po zhvillohet nën drejtimin e prokurorit special Robert Mueller, i cili është duke hetuar gjithashtu në se Presidenti Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë, kur shkarkoi nga puna ish drejtorin e FBI-së James Comey, në kohën kur ai drejtonte hetimin nga agjencia e zbulimit për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë.
Për muaj me radhë, zoti Trump ka mohuar të ketë patur një marrëveshje të fshehtë me Rusinë dhe javën e kaluar ai tha se nuk bëhet fjalë për “pengim të drejtësisë”. Presidenti tha se ai do që t’u përgjigjet pyetjeve të juristëve të zotit Mueller nën betim, por deri tani nuk është caktuar ndonjë datë për intervistë.
Sipas traditës, të martën në mbrëmje, në fund të fjalimit të Presidentit, disa ligjvënës demokratë do të mbajnë fjalime të shkurtra, si reagim ndaj fjalimit të Presidentit./VoA/
Moti në Kosovë për këtë të diel
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...