Presidenti Donald Trump emëroi të shtuan gjykatësen federale Amy Coney Barrett për të zëvendësuar të ndjerën Ruth Bader Ginsburg si anëtare të Gjykatës së Lartë, në një veprim që i jep mundësinë për të bërë gjykatën më konservative, 37 ditë para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
“Sot jam i nderuar të emëroj një nga mendjet ligjore më të shkëlqyera dhe të talentuara të kombit tonë në Gjykatën e Lartë… Gjykatësja Amy Coney Barrett, ”tha presidenti Trump në një takim në Shtëpinë e Bardhë.
Ai bëri thirrje për një konfirmim të shpejtë, duke nxitur ligjvënësit dhe mediet të përmbahen nga sulmet personale dhe partiake ndaj zonjës Barrett.
Presidenti Trump kishte premtuar të emërojë një grua për të pasuar zonjën Ginsburg, e cila vdiq javën e kaluar në moshën 87 vjeçare. Zonja Barrett, një gjykatëse konservatore e Gjykatës së Apelit, ishte një nga kandidatet së bashku me një tjetër gjyqtare të Gjykatës së Apelit, Barbara Lagoa, që të dyja të emëruara më herët nga presidenti Trump.
Vendimi i presidentit për të caktuar një kandidate përpara garës së tij të nxehtë të rizgjedhjes me ish-nënpresidentin Joe Biden, menjëherë shkaktoi një betejë të ashpër politike në Uashington, me udhëheqësit republikanë të Senatit që argumentuan se procesi i konfirmimit duhet të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa demokratët pretendojnë që emërimi duhet të vonohet derisa të dihet fituesi i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Në lojë është prirja politike e Gjykatës së Lartë, në të cilën caktohen gjyqtarë që shërbejnë për tërë jetën. Gjykata kishte një shumicë konservatore 5-4 para vdekjes së zonjës Ginsburg. Nëse konfirmohet një gjykatëse konservatore për të zëvendësuar zonjën Ginsburg, shumica konservatore mund të zhvendoset në 6-3.
Kushdo që zgjidhet për të plotësuar vendin bosh do të luajë rol në marrjen e vendimeve kryesore të Gjykatës së Lartë në vitet e ardhshme për një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë të drejtat e abortit, kujdesin shëndetësor, ligjet e armëve, lirinë fetare, imigracionin dhe lirinë e fjalës./voa/
Kosova U19 fiton ndeshjen e fundit, por nuk mjafton për kual...
Miftaraj: Osmani i tregoi Qeverisë e Kuvendit se s’dinë të h...
“Si nuk po të vjen marre, nuk po të njoh se kush je”, Kevini...
Parandalohet futja e kontrabandës në Qendrën Korrektuese të ...
“Trepça” largon përkohësisht dhe një punëtor, mungoi në punë...
“Ftoha marrëdhëniet”, Meta flet në gjykatë për raportin me k...