Google ADS

Presidenti Trump do të emërojë një grua si anëtare të Gjykatës së Lartë

20:41 | 21 Shtator 2020
A Z

Presidenti Donald Trump duket i përqendruar në emërimin e një prej tre juristeve konservatore gra që ai ka caktuar në gjykatat federale të apelit për të zëvendësuar anëtaren e Gjykatës së Lartë Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq javën e kaluar. Në një intervistë për televizionion Fox News të hënën në mëngjes, zoti Trump tha se do ta bëjë të njohur zgjedhjen e tij të premten ose të shtunën dhe se lista e tij tani ka pesë emra.

Gjatë një tubimi politik të shtunën në Fayetteville të Karolinës së Veriut zoti Trump kishte thënë se kandidatura që ai do të zgjedhë “do të jetë një grua”. Presidenti ka përmendur emrin e Amy Coney Barrett të Gjykatës së Apelit të Rrethit të 7-të Gjyqësor me bazë në Çikago dhe Barbara Lagoa të Rrethit të 11-të Gjyqësor me bazë në Atlanta si kandidate të mundshme.

Gjatë takimit elektoral mbështetësit e zotit Trump brohorisnin duke I kërkuar atij “të plotësojë vendin e mbetur bosh në gjykatë”, gjë që Presidenti tha se do ta bënte.

Por kandidati demokrat për president, Joe Biden i nxiti republikanët e Senatit të mos votojnë për asnjë kandidaturë për Gjykatën e Lartë përpara zgjedhjeve të nëntorit.

“Votuesit e këtij vendi duhet të dëgjohen. Kushtetuta parashikon se janë ata që vendosin se kush ka fuqinë për ta bërë këtë emërim”, tha zoti Biden të dielën në Filadelfia.

“Ta kryesh me forcë këtë emërim përmes Senatit është një tregues një papjekurie politike”, tha ai.

Synimi i Presidentit Trump për ta bërë emërimin gjashtë javë përpara një gare jo të lehtë për t’u rizgjedhur kundër zotit Biden më 3 nëntor, është bërë shkak për një luftë të beftë e të ashpër politike në Uashington. Republikanët e Senatit thonë se do ta mbështesin emërimin e zotit Trump por demokratët po bëjnë thirrje që plotësimi i vendit bosh në gjykatë të shtyhet deri pas marrjes së detyrës në janar ose nga zoti Trump ose nga zoti Biden.

Presidenti Trump kërkon që Senati ta miratojë sa më parë kandidaturën që ai do të propozojë, por është e paqartë nëse republikanët, të cilët gëzojnë një shumicë prej 53 vendesh në këtë dhomë krahasuar me 47 të demokratëve, do të veprojnë para ditës së zgjedhjeve.

Në vitin 2016, republikanët refuzuan të lejojnë shqyrtimin e kandidaturës përfundimtare për Gjykatën e Lartë të ish-Presidentit Barack Obama, Merrick Garland, i cili do të zëvendësonte pas vdekjes gjykatësit Antonin Scalia, në shkurt të po atij viti. Ata argumentuan se vakanca e krijuar në Gjykatën e Lartë duhet të lihen të paplotësuar gjatë një viti zgjedhor në mënyrë që populli amerikan të vendoste se kujt do t’i takonte ta bënte emërimin.

Donald Trump, aso kohe kandidat për president tha gjithashtu se plotësimi i vendit në Gjykatën e Lartë duhet të shtyhet derisa të bëhet betimi i një presidenti të ri.

Të paktën disa republikanë kanë thënë tashmë se duan ta shtyjnë konfirmimin për një të vend në Gjykatën e Lartë, të paktën deri pas zgjedhjeve.

Si zonja Barrett 48 vjeç dhe zonja Lagoa 52, do të siguronin mbështetjen e palëkundur të republikanëve dhe opozitën e mundshme e të fortë të demokratëve. Zgjedhja e tyre do të krijonte një shumicë konservatore edhe më të madhe në Gjykatën e Lartë nga 5 me 4 aktualisht në 6 me 3 me zëvendësimin e zonjës Ginsburg, e cila shërbeu në gjykatë për 27 vite.

Kushdo që zgjidhej do të luante një rol në marrjen e vendimeve të rëndësishme të gjykatës në vitet e ardhshme mbi të drejtat e abortit, kufizimet lidhur me armët, çështje që lidhen me lirinë fetare, atë të fjalës, imigracionin, ligjin e kujdesit shëndetësor dhe një sërë çështjesh të tjera të diskutueshme.

Ky do të ishte emërimi i tretë i zotit Trump për Gjykatën e Lartë pas miratimit në seanca të nxehta në Senat të dy gjyqtarëve të tjerë konservatorë, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh.

Krahas emrit të zonjës Barrett dhe zonjës Lagoa si kandidatura që mundëshme zoti Trump ka diskutuar edhe emrin e një tjetër gruaje Allison Jones Rushing, të Gjykatës së Apelit të Rrethit të 4-t Gjyqësor të Apelit në atë që njihet si rajoni i mesëm i Atlantikut. Të treja këto kandidatura gëzojnë mbështetje të gjerë të ligjvënësve konservatorë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme