Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro tha se qeveria amerikane goditi me thikë dialogun meksikan midis qeverisë dhe opozitës në Venezuelë, por ata po përpiqen të arrijnë një konsensus me të gjithë aktorët e opozitës për t’u kthyer në proces.
Presidenti i Venezuelës, Maduro, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Türkiye (Turqi), foli për Anadolu Agency (AA) për procesin e dialogut me opozitën, si dhe për marrëdhëniet e vendit të tij me Argjentinën dhe Meksikën.
Maduro deklaroi se ka pasur gjithmonë proces dialogu kombëtar midis qeverisë së Venezuelës dhe opozitës dhe ky dialog do të vazhdojë.
Duke thënë se së fundmi është takuar me të gjithë aktorët e opozitës dhe partitë politike në Venezuelë, Maduro tha se diskutuan mundësinë e kthimit në axhendën e bisedimeve meksikane me këto parti opozitare.
Ai theksoi se bisedimet në Meksikë po shkojnë shumë mirë me një axhendë të mirëpërcaktuar. “Për fat të keq, administrata e SHBA-së e ka goditur pas shpine Dialogun Meksikan. Tani po përpiqemi të arrijmë konsensus me të gjithë aktorët e opozitës për t’u rikthyer në Meksikë. Shpresoj se javën e ardhshme do të arrihen rezultate të mira”, tha Maduro.
Marrëdhëniet me Argjentinën dhe Meksikën
Duke iu referuar marrëdhënieve të vendit të tij me fqinjët, Maduro tha se procesi i përmirësimit të marrëdhënieve me Meksikën si dhe me Argjentinën po shkon mirë.
Ai tha se mori lajmin se Meksika ka emëruar një ambasador në Karakas gjatë vizitës së tij në Turqi. “Ai ka mbërritur. Do të pranohet nga Ministria e Punëve të Jashtme. Unë do ta pranoj që të paraqesë letrën e tij kredenciale sapo të kthehem në Karakas”, tha Maduro.
Maduro potencoi se presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez ka emëruar ambasadorin e ri të vendit të tij në Karakas. “Unë besoj se marrëdhëniet synojnë të zhvillojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin ekonomik, diplomatik, politik dhe energjetik me Argjentinën”, u shpreh ai.
“Unë dhe gruaja ime i duam serialet turke”
Maduro deklaroi se ai dhe gruaja e tij, Cilia Flores i duan serialet turke dhe se ata ndjekin serialet “Diriliş Ertuğrul”, “Muhteşem Yüzyıl” dhe “Payitaht Abdülhamid”.
Duke folur me lëvdata për serialet turke, Maduro tha se këto ditë po ndjekin serialin “Kuruluş Osman”.
Seriali “Kuruluş Osman” do të transmetohet në televizionin venezuelian
Maduro tha është takuar edhe me producentin dhe skenaristin e serialit “Kuruluş Osman”, Mehmet Bozdağ. “Seriali është shumë emocionues. Shumë shpejt do të kemi shfaqjen e parë të serialit në televizionin venezuelian”, tha ai.
Presidenti i Venezuelës, Maduro tha se “Diriliş Ertuğrul” ka qenë seriali i tij i preferuar televiziv deri më tani, por tani vazhdon të ndiqet seriali i ri “Kuruluş Osman”.
Duke deklaruar se i rekomandohet të shikojë edhe serialin e ri turk “Destan”, Maduro tha: “Dua të them se serialet turke realisht janë të parët në botë për sa i përket kapacitetit prodhues, kapacitetit regjisorial, aktrimit dhe ngjyrave”.
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...